Shijak, mbytet tragjikisht në rezervuar adoleshenti
Shijak – Një 18-vjeçar është mbytur në rezervuarin “Metalla” në Shijak. Ngjarja ndodhi pas mesditës së djeshme kur adoleshenti kishte shkuar të lahej në vendin e quajtur rezervuari “Metalla” në Shijak. Mësohet se 18-vjeçari Ermal Hushi është zhytur në rezervuar por nuk ka mundur të dalë gjallë prej andej. Dëshmitarët janë përpjekur ti japin ndihmën e parë atij por ka qenë e kotë pasi ai është nxjerrë nga uji disa kohë më pas ndërsa kishte ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes mbërriti policia për të zbardhur rrethanat e mbytjes së 18-vjeçarit dhe hetimet për të përcaktuar shkaqet po vazhdojnë. Viktima u dërgua në morgun e spitalit të qytetit për t’ju nënshtruar ekzaminimeve përkatëse mjeko-ligjore.
Arrestohet nga policia 32-vjeçari, goditi me mjete të forta në kokë një person
Durrës – Masakron me mjete të forta një 52-vjeçar, arrestohet nga policia. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në fshatin Armath-Manez kur Ardian Gjika 32 vjeç ka nisur një sherr për motive të dobëta më 52-vjeçarin Viktor Cani. Pas fjalëve të ndërsjella Gjika ka goditur me mjete të forta 52-vjeçarin duke e dëmtuar rëndë. I plagosuri u transportua me urgjencë në spitalin e Durrësit nga ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që policia e Durrësit u vu menjëherë në lëvizje për të zbuluar shkaqet dhe autorin e ngjarjes. Pas hetimeve të para policia mundi të identifikonte autorin e plagosjes dhe të kryente arrestimin e tij disa orë më vonë. Burime nga policia thanë se ndaj Ardian Gjikës u mor masa e arrestit për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje”.
5 Qershor 2009