Feith: Nuk besoj tek ndryshimi i kufijve

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith ka deklaruar se nuk pret që në Ballkan të bëhet ndryshim kufijsh për asnjë shtet.
Kjo, sipas tij, nuk do të ishte zgjidhja ideale e problemeve të rajonit dhe nuk do të pranohej asnjëherë nga fuqitë perëndimore.
“Vështirë të besohet se qeveritë e rajonit, për të mos folur për SHBA, Britaninë, Gjermaninë, Francën apo Italinë, do të bien dakord se ndryshimi i kufijve është një zgjidhje më e mirë se ajo që kemi tani”, ka thënë Feith.
Problemi kryesor me të cilin po përballen vendet e Ballkanit, e në veçanti Kosova, është sipas Feith korrupsioni. Muajin e kaluar, ai paralajmëroi se ky fenomen po dëmton çdo ditë e më shumë ekonominë e brishtë të Kosovës.
“Ekonomia nuk do të zhvillohet sepse nuk do të ketë investime të huaja. Nëse një vend ka reputacion negativ, atëherë nuk mund të ketë investime”, tha Feith në një prononcim për “Irish Times”.