Feith: Privatizimi i Postës të bëhet me transparencë
PRISHTINE- Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR) në Kosovë, Piter Feith, mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për nisjen e privatizimit të kompanisë së Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, PTK. Ai kërkon që privatizimi të zhvillohet në mënyrë transparente pasi do të forconte këtë kompani dhe do ta rriste edhe më tej rolin e saj udhëheqës në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës. Sipas tij, kjo do të dërgojë një sinjal të qartë te investitorët se Kosova është destinacion i realizueshëm për investime të mëdha.
Ne nje njoftim për shtyp Feith vlerëson privatizimin e PTK-së si transaksionin më të madh që është bërë në vendin tonë. "Ky privatizim premton të jetë transaksioni më i madh që është bërë ndonjëherë në Kosovë, i cili ka ndikim të fuqishëm në tregun më të gjerë të postës dhe telekomunikacionit në rajon. E ardhmja ekonomike e Kosovës varet nga puna dhe konkurrenca e një sektori të fuqishëm të postës dhe telekomunikimit, për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe kompanive", është shprehur Fejth nëpërmjet një deklarate me shkrim.
(s.g/BalkanWeb)