Mitrovicë, serbët do hartojnë peticion kundër EULEX-it
MITROVICE- Serbët në veri të Mitrovicës kanë filluar nënshkrimin e një peticioni, me të cilin kundërshtojnë vendosjen e misionit europian në Kosovë, EULEX. Nënshkrimi i këtij peticioni është iniciuar nga Kuvendi paralel i Komunave Serbe në Kosovë dhe motoja e tij është "STOP EULEX-it".
Serbët e Kosovës e konsiderojnë të jashtëligjshëm këtë mision sepse sipas tyre, ai nuk ka marrë miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Serbisë.
"Ky është një hap i jashtëligjshëm, sepse Kombet e Bashkuara nuk e kanë lejuar vendosjen e EULEX-it. Nëse OKB-ja e lejon atë, edhe ne do ta lejojmë", shprehet një qytetar serb, pasi vendosi firmën e tij në peticion.
Nënshkrimi i peticionit kundër EULEX-it po bëhet me nismën e Kuvendit paralel të Komunave serbe.
Nënkryetari i tij, Marko Jakshiç ka paralajmëruar se peticioni do të nënshkruhet edhe në vendbanimet tjera serbe.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian dërgoi sot në Beograd Stephan Lehne për të vazhduar bisedimet me autoritetet serbe për vendosjen e EULEX-it në Kosovë. Lehne tha se BE është pranë arritjes së një marrëveshje me Serbinë për gjetjen e formulës për funksionalizimin e misionit europian me miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
(s.gBbc//BalkanWeb)