E Diel, 1 Nëntor 2026

Feith i përgjigjet VV: Nga unë, asnjë presion ndaj komisionit

(E plotësuar) Shefi i ICO-së, Pieter Feith, ka thënë se nuk ka bërë asnjë lloj presioni ndaj komisionit dhe deputetëve për Projektligjin e Qendrës Historike të Prizrenit dhe Hoçën e Madhe.

Feithi, së bashku me kryeministri Hashim Thaçi dhe ministrin Dardan Gashi kanë marrë pjesë në mbledhjen e Komisioni për planifikim Hapësinor, ku është diskutuar për Projktligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, shkruan koha.

Anëtari i Lëvizjes “Vetëvendosje” në këtë Komision, Liburn Aliu, ka dalë në mënyrë demonstrative nga mbledhja. Ai ka thënë se ky ligj është tërësisht politik dhe diskriminues në baza etnike dhe fetare.

Ndërsa kryeministri Thaçi nuk ka dashur të flasë për mediat. Ndërkohë pritet që sërish të mblidhet komisionin për të votuar amendamentet e propozuara.

VV lëshon mbledhjen, akuzon për presion Thaçin e Feithin

Shqyrtimi i Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, ka sjellë në mbledhjen e komisionit sërish kryeministrin, Hashim Thaçi dhe shefin e ICO-së, Pieter Feith, për të kaluar ky projektligj, që është pjesë e pakos së presidentit Ahtisaari.

Por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, në mënyrë demonstrative ka lëshuar mbledhjen e komisionit, pasi që ka vlerësuar se ky ligj është i ndikuar politikisht dhe bënë instrumentalizimin e trashëgimisë në bazë nacionaliste, kurse shefi i ICO, Feith ka mohuar të ketë bërë presion me prezencën e tij në komision.

Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor më mbledhjen e tij të mbajtur të hënën ka pas në rend të ditës shqyrtimin e Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe duke u vlerësuar si problematik ky projektligj, sërish është dashur në mbledhje të komisionit të marr pjesë kryeministri Thaçi dhe shefi i ICO-së, Feith, dhe kjo ka bërë që projektligji të kalojë. Në mbledhjen e këtij komisioni, Thaçi dhe Feith, kanë marrë pjesë edhe javën e kaluar, ku është diskutuar për Projektligjin për Hoqën e Madhe.

I pakënaqur më me ecurinë e këtij projektligji, në mënyrë demostrative ka lëshuar mbledhjen deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, duke thënë se nuk është lejuar ballafaqimi i ekspertëve të ICO-së dhe të komisionit.

Sipas tij komisioni ka gjetë tre ekspertë ndërkombëtar për trashëgimi kulturore, por nuk është pranuar që të ballafaqohen ata me ekspertët e ICO-së.

Aliu ka thënë se Ligji për Prizrenin është një ligj i ndikuar politikisht dhe një ligj, i cili trashëgiminë kulturore e instrumentalizon në baza nacionaliste.

“Ligji për Prizrenin së pari mos të harrojmë që është i ndikuar politikisht. Trashëgimia kulturore është diçka tejet e ndjeshme dhe trashëgimia kulturore nuk guxon të instrumentalizohet në baza nacionaliste, sepse instrumentalizimi në baza nacionaliste sjell vetëm ndarje mes popujve dhe gjakderdhje, gjë që ka ndodhur tek ne. E trashëgimia kulturore ortodokse tek ne në Kosovë duke u trajtuar si serbe, i ka shërbyer si argument Serbisë për të bërë dhunë mbi Kosovën dhe me mbajt të pushtuar. Fatkeqësisht një logjik e tillë po vazhdohet me qenë, se trashëgimia kulturore ortodokse trajtohet si serbe”, ka thënë Aliu.

Ndërkohë i pyetur rreth presionit të kryeministrit Thaçi në mbledhje të komisionit, Aliu ka thënë se kryeministri shpesh ka ndërhyrë, duke ia ndërprerë fjalën.

“Gjatë kohës sa unë flisja, kryeministri ndërhynte, ai nuk e kishte mikrofonin aktiv, por ndërhynte tërë kohën, derisa u detyrova t’i them se jemi në mbledhje të komisionit dhe ne kemi të drejtën të punojmë. Nuk mund të themi që udhëhiqte kryeministri mbledhjen, e udhëhiqte kryesuesi, mirëpo kryeministri ndërhynte në punën e komisionit”, ka theksuar ai.

Nga ana tjetër shefi i ICO-së, Pieter Feith ka mohuar të ketë bërë presion që të kalojë ky projektligj.

“Do të vazhdoj të kontribuojë kur të ftohem nga kryetari i komisionit. Unë kurrë nuk kam bërë presion, ju e dini këtë”, ka theksuar Feith.

Ndërsa ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi ka thënë se për 90 % të tekstit të projektligjit janë dakorduar Qeveria, ICO dhe shumica e komisionit.

Ai ka shtuar se si pikë kontestuese ka mbetur vetëm neni 16, që ka të bëjë me kompozimin e këshillit në Prizren, sikurse që ka qenë në Projektligjin për Hoçen e Madhe. Gashi ka thënë se ky nen do të votohet në Kuvend të Kosovës.

I pyetur rreth qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e quajtur si ligj që është diskriminues, sepse kisha ortodokse trajtohet si serbe, Gashi ka thënë se kjo është në bazë të kushtetutës që rrjedh nga pakoja e Ahtisaarit dhe nuk mund të ndryshohet.

“Ky ligj rrjedh nga pakoja e Ahtisaarit dhe nuk është diskriminues. Ne si Qeveri dhe ICO, kemi propozuar që në këshill të jenë kisha ortodookse serbe, Bashkësia Islame, Kisha Katolike, plus shoqëria civile, dhe nuk shoh diskriminim kur të gjithë janë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë”, ka theksuar Gashi.

Ndërkohë kryeparlamentari, Jakup Krasniqi i pyetur rreth presionit të kryeministrit Thaçi dhe Feith në mbledhje të komisionit, ka thënë se nuk ka marrë asnjë vërejtje nga anëtarët e komisionit për ndonjë presion.

“Kjo realisht është një pyetje që do të duhej t’i drejtohej kryetarit të komisionit. Unë nuk kam asnjë kërkesë dhe asnjë vërejtje as nga kryeministri as nga Pieter Feith për të marrë pjesë në komision dhe nuk është obligim i yni. Por nuk kam asnjë vërejtje që ndonjë ankesë nga anëtarët e komisionit për prezencën e tyre dhe është e drejt edhe e kryeministrit dhe Pieter Feith për të komunikuar me deputetët dhe për të sqaruar çështjet e ndryshme”, ka thënë Krasniqi.

Pas kalimit të këtij projektligji në komisionit, pritet që të votohet në Kuvend pas dy jave. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›