Fule: Nesër e lansojmë fizibilitetin për Kosovën

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule ka konfirmuar sot se gjatë vizitës së nesërme në Prishtinë do të lansohet zyrtarisht studimi i fizibilitetit që i paraprinë Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim për Kosovën.
“Komisioneri Fule do të lansojë zyrtarisht studimin e fizibilitetit në takimin e parë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian i cili është një organ këshillëdhënës që paarqet një forum gjithëpërfshirës për diskutim të agjendës evropiane”, ka thënë sot për KosovaTimes.net zëdhënësja e Fule-s, Anca Paduraru.
Ajo shtoi se studimi i fizibilitetit do të ofrojë një hulumtim gjithëpërfshirës të integrimit të mëtejmë të Kosovës në kornizën politike të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Fule do të ketë takime me zyrtarët më të lartë kosovarë.
“Ai gjithashtu do të bisedojë me presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi si dhe do të takojë anëtarë tjerë të Qeverisë: dy zëvendëskryeministrat, ministren për Integrim Europian si dhe Ministrin e Brendshëm”, ka thënë zëdhënësja Paduraru.
Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian i iniciuar nga presidentja Atifete Jahjaga do të mblidhet për herë të parë nesër, ku do të marrë pjesë edhe Komisioneri Fule. Anëtarë të këtij Këshilli përveç kryeministrit Hashim Thaçi, kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ministrave Vlora Çitaku dhe Bajram Rexhepi janë edhe përfaqësues të partive politike opozitare si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Studimi i fizibilitetit i është aprovuar Kosovës nga liderët e BE-së, para disa javësh, pas propozimit të Komisionit Evropian.
Ministrja për Integrim Evropian, Vlora Çitaku vlerëson se rezultati i studimit të fizibilitetit do të publikohet nga Komisioni Evropian në tetor të këtij viti. Ky studim i hap rrugë fillimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Kosovës me vende të BE-së, që është parakusht para se të aplikohet për të marrë statusin e vendit kandidat. /KosovaTimes/