Feith mirëpret presidentin dhe qeverinë e re
Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë Pieter Feith ka përgëzuar presidentin Behgjet Pacollin dhe kryeministrin Hashim Thaçi për zgjedhjen në këto poste dhe u ka dëshiruar suksese në punën e tyre në shërbim të popullit të Kosovës.
“Presidenti dhe kryeministri kanë role shumë të rëndësishme në udhëheqjen e zhvillimit të Kosovës në të ardhmen, duke përfshirë progresin e mëtejmë në perspektivën e saj drejt Bashkimit Evropian. Ata duhet t’i bashkojnë njerëzit. Ata duhet të nxjerrin më të mirën nga energjia dhe aftësia, të cilën padyshim e ka populli i Kosovës me qëllim të ndërtimit të një Kosove demokratike dhe shumetnike që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon. Kjo do të ndihmojë në angazhimin për të siguruar më shumë njohje”, thuhet në urim.
Feith ka shfaqur pritjet se institucionet e reja do të ndjekin rrugën e reformave të parashtruara në Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit, si kompletimin e decentralizimit, themelimin e komunës së re të Mitrovicës së Veriut, mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe të trashëgimisë kulturore, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe vazhdimin e reformës zgjedhore.
“Meqë kohëve të fundit Kosova ka përjetuar disa kthime prapa dhe po ballafaqohet me sfida të mëdha, duhet të bëhet punë jetike për përmirësimin e reputacionit të Kosovës. Në adresimin e këtyrë çështjeve të ngutshme, i siguroj presidentin dhe kryeministrin se do ta kenë këshillën dhe mbështetjen time”, ka thënë Feith.