E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvendosje: Dell të tregojë publikisht se çfarë ndodhi dje

Nga Express më 23 shkurt 2011 në ora 18:42

Pas publikimit në mediat e shkruara vendore të disa sms-ve të shkëmbyer gjatë seancës së djeshme të Kuvendit, me rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacollit për president, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje e cila kërkon nga ambasadori i SHBA-ve Kristofer Dell të tregojë publikisht se çfarë ndodhi dje.

“Në SMS-at e botuar në gazeta shihej qartë se edhe ai ishte i përfshirë në këtë inxhiniering zgjedhor të presidentit. Dhe ia ka borxh qytetarëve të Kosovës të tregojë se çfarë e shtyu atë të marrë pjesë në këtë proces kaq jodemokratik dhe jopolitik që ia zgjat jetën kryeministrore Thaçit dhe ia nis atë presidenciale Pacollit”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Duke vlerësuar se zgjedhja e presidentit dhe kryeministrit të vendit janë rrjedhojë e një procesi të manipulimit të dyfishtë zgjedhor të 12 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje konsideron se “të dy manipulimet ishin të ‘mbikëqyrura’ mirë nga faktorët ndërkombëtar”.

“Madje ky i dyti kishte ‘mbikëqyrje’ aktive. Shtypi i sotëm i nxori në pah arsyet pse u zgjodh Pacolli president i vendit. Kjo arsye në këtë rast quhet Essad Puskar, një boshnjak-amerikan i cili kishte punuar një kohë në USAID në Kosovë dhe është aktualisht kryetar i “D’asse Equity Group”. Një lloj Damir Fazlliqi në Kosovë. Ndërhyrjet me SMS të këtij personi në procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit paraqesin një prej shpërfaqjeve më eksplicite të fytyrës së deligjitimuar dhe deinstitucionalizuar të postit të presidentit por edhe të qeverisë së koalicionit të arritur rishtazi. A ta quajmë këtë demokraci? Kjo mënyrë e pazarllëkut me poste publike nuk len kurrfarë hapësire për asnjë fije dyshimi se krerët institucional po na imponohen. Dhe ky imponim dje ishte thuajse publik”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›