Limaj: Nuk më mbetet asgjë merak

Ministri i deritashëm i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj i ka dorëzuar të mërkurën detyrën ministrit të ri Fehmi Mujota, i cili është zotuar se do të jetë i përkushtuar për të implementuar projektet e nisura nga Limaj.
Në një ceremoni rasti është bërë pranim dorëzimi i detyrës, ndërsa Limaj ka falënderuar të gjithë punonjësit, kurse tha se ndjehet mirë që ka bërë shumë punë dhe ka nisur projektet e mëdha si autostrada dhe koncensionimi i aeroportit.
“Nuk ka asnjë gjë që më mbetet merak të them të drejtën për faktin se kemi tejkaluar përtej asaj që kemi shpresuar. Do të më mbetej marak për dy gjëra mos të kisha filluar, autostrada dhe aeroporti. Këto dyja kanë filluar dhe janë duke shkuar mirë dhe besoj që do të përfundojnë në afatin e paraparë dhe s’ka pse më mbetet marak se këto projekte do të vazhdojnë”, ka thënë Limaj, siç transmeton Kosovapress.
Nga ana tjetër, ministri i ri Fehmi Mujota shprehu konsideratat më të mira për punën e bërë deri tani në Ministrinë e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit nga ministri Limaj dhe është zotuar se do të jetë i përkushtuar për të implementuar projektet e nisura.
“Por ne jemi të përkushtuar në zotimet politike të Partisë Demokratike dhe të Qeverisë në vend që t’i qojmë përpara të gjitha këto projekte. Duke bashkëpunuar ngushtë me ministrin Limaj edhe më tutje dhe në të gjitha aspektet e konsultimeve, sugjerimeve dhe çështjeve tjera profesionale si dhe natyrisht me gjithë stafin e ministrisë, duke besuar shumë që projektet e vendit do të ecin përpara”, tha Mujota.
Ndërkaq nënkryetari i PDK-së, Famir Limaj që zgjedhjet e fundit doli personi i tretë më i votuar në vend, ka ritheksuar se edhe pse nuk do të jetë në Qeveri do të angazhohet maksimalisht si deputet për çështjet me rëndësi për Kosovën.
“Unë nuk luaj zërin e zhurmuesit. Ju e dini se Kosovën e presin momente jashtëzakonisht të vështira sfiduese dhe mendoj që Parlamenti i Kosovës do të jetë një zë i fuqishëm për të ngritur çështje dhe jo vetëm për të ngritur, por edhe për të paralajmëruar dhe për të stopuar gjërat që e dëmtojnë interesin e Kosovës”, është shprehur ai.
Me formimin e kabinetit të ri qeveritar është ndërruar edhe emri i Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomit në atë të Infrastrukturës.