E Shtunë, 31 Tetor 2026

Felipe Skolari pranon fitoren e shëmtuar

Trajneri brazilian i Çelsit vlerëson fitoren ndaj Romës, pavarësisht se "blutë" vuajtën 77 minuta

Luiz Felipe Skolari e pranoi që fitorja 1 0 e Çelsit ndaj Romës, në ndeshjen e luajtur të mërkurën për Ligën e Kampionëve ishte larg të qenët e bukur, por tri pikët e rëndësishme ishin më shumë se një kompensim i pranueshëm për trajnerin brazilian. Goli i kapitenit Xhon Terri në minutën e 77 të, goli i tij i parë në "Stamford Bridge", që prej gushtit 2006, i dha zgjidhje ndeshjes. Miqtë nga Roma, me kokëfortësinë e tyre karakteristike, nuk pranuan të dorëzoheshin, pavarësisht pas humbjes së rëndë në Serinë A nga Interi. Italianët mund të kishin marrë edhe një pikë nga kjo ndeshje, por goli i kapitenit të bluve të Londrës do të thotë që Çelsi ruan kryesimin në Grupin A dhe është favorit për të kaluar në fazën tjetër. "Gjëja më e rëndësishme e asaj mbrëmjeje ishte rezultati, - u shpreh Skolari. - U tregova lojtarëve, që para ndeshjes, se kjo do të ishte një ndeshje taktike. Na duhej qetësia dhe goli i avantazhit, i cili do të na krijonte më shumë hapësira. E kisha thënë më parë që kjo do të ishte një ndeshje mes dy ekipesh të forta. Ndonjëherë një rezultat 1 0 është më i rëndësishëm se 5 0. Nuk mendoj se ishte ndeshje e bukur, por ata që e njohin futbollin e dinë se lojtarët luajtën shumë mirë," - u shpreh Skolari, duke shtuar: "Skuadra që fitoi ishte ajo që pati një shans më shumë. Nëse do të kishin shënuar miqtë, ndoshta mund të kishin fituar ata, pasi të dy ekipet luajtën mirë," - e përfundoi komentin për ndeshjen trajneri brazilian i Çelsit. Skolari ishte gjithashtu i kënaqur që autor i golit ishte Xhon Terri, si dhe pohoi se kur drejtonte Portugalinë i frikësohej aftësisë së Territ, për të shkaktuar panik në zonën e penalltisë. "Kur drejtoja Portugalinë dhe luanim kundër Anglisë kisha frikë kur Terri vinte dhe futej në zonën tonë. U thosha lojtarëve të mi: "Hapni sytë, se është lojtar kyç! Ruajeni mirë, se, po e preku topin, është i rrezikshëm!". Tani jam këtu dhe i them Territ të futet në zonë. Dikur shpresoja të mos na shënonte gol, tani kërkoj që ai të shënojë. Ai shënoi dhe ky ishte moment vendimtar për ne. Mendoj se na duhen vetëm edhe tri pikë tani në këto tri ndeshje që kanë mbetur. Kur të luajmë kundër Romës në fushën e saj, mendoj të luaj me stil tjetër dhe do të kemi më shumë raste për gol," - u shpreh Skolari, i cili konfirmoi, po ashtu, faktin se Terri është riaftësuar plotësisht nga problemi në shpinë, që e mbajti larg kombëtares në dy ndeshjet e fundit. Këtë javë Terri është stërvitur normalisht me ekipin; pjesëmarrja e tij në ndeshjen e së mërkurës e konfirmoi këtë gjë, edhe pse burime nga klubi londinez tregojnë se ai ende është nën kontrollin e kujdesshëm të mjekëve të klubit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›