Skela: Portugalia na bëri "të pavdekshëm"
Ervin Skela ka lënë pas hallet e ekipit të tij, Energia Kotbus, dhe për momentin në Gjermani ka me çfarë të krenohet. Eshtë pikërisht barazimi historik që arriti Shqipëria me Portugalinë. Kjo e ka bërë fantazistin, që të flasë me plot pasion për kombëtaren e tij në mediat gjermane. Në një intervistë të shkrutër, dhënë revistës "Kicker", mesfushori kuqezi ka treguar për momentin magjik pas rezultatit pozitiv me "luzitanët". Ndër të tjera, ai ka folur edhe për trajnerin Ari Han.
- Duket se vini nga një botë ëndrrash?
- Pse jo? Në ekipin tonë kombëtar mbizotëron një superklimë. Kjo më bën të ndihem shumë mirë dhe i lumtur për atë që po bëjmë me kombëtaren.
- Arritët një rezultat të madh me Portugalinë, apo jo?
- Mendoj se më të madh e bën fakti që luajtëm 50 minuta me një lojtar më pak. Prej asaj ndeshjeje, në Shqipëri besoj se jemi bërë "të pavdekshëm". Treguam karakterin që kemi ne si popull. U bëmë bashkë dhe në fund morëm një rezultat historik.
- Si ju duket zgjedhja e trajnerit Ari Han në krye të Shqipërisë?
- Mund të them se ishte një gjetje shumë e mirë.
- Cili është argumentimi juaj për këtë?
- Për mua është e thjeshtë. Trajneri Ari Han na jep shumë kënaqësi të luajmë futboll nën urdhrat e tij.
- Pas një sezoni të shkëlqyer me Kotbusin, duket se nuk po e gjeni veten akoma?
- Jam i ndërgjegjshëm për këtë. Pres më shumë nga vetja, por edhe nga pjesa tjetër e ekipit gjithashtu. Unë jam në rolin tim, më shumë se të tjerët i varur nga ata lojtarë që kam pranë. Futbolli është kolektiv dhe klubi duhet të ndërhyjë në merkato. Te ne ka nevojë për më shumë lojtarë, që dinë ta mbajnë e ta kërkojnë topin. Në fund të fundit, futbollistët e mirë kanë gjithmonë diçka për të dhënë.
- Të shtunën do të luani kundër Eintrahtit të Frankfurtit, ku keni qenë pjesë e saj nga viti 2001 deri në vitin 2004?
- E kam thënë edhe më parë: Te Frankfurti kam kaluar vitet më të bukura të karrierës sime. Nuk është një ndeshje normale për mua, por jam përballur edhe herë të tjera. Di të them që Eintrahti do të qëndrojë përjetësisht në zemrën time.
Holandezi dëshiron që në të ardhmen të përdorë Canën dhe Currin në pozicionet e tyre të mirëfilltaTrajneri Ari Han kërkon mbrojtës kuqezinj
Eksperimentet me kalimin e lojtarëve jombrojtës në këtë repart, kjo e detyruar nga mungesa e alternativave, kanë bërë që trajneri i kombëtares, Ari Han, të nisë kërkimet për gjetjen e një qendërmbrojtësi. Një lojtar në këtë pozicion mungon që prej largimit të Nevil Dedes. "Eshtë luks për ekipin tonë kombëtar, që dy lojtarë si Lorik Cana dhe Debatik Curri, të cilët japin më shumë në mesfushë, t'i kthejmë nga e keqja në repartin mbrojtës. Trajneri kërkon që ky repart i pastabilizuar të ketë prurje të reja, për të gjetur një qendërmbrojtës,"- tregojnë burime zyrtare në FSHF. Në katër ndeshjet e para eliminatore, si Curri, ashtu edhe Cana janë përdorur në rolin e mbrojtësit të qendrës. Këta të fundit, në klubet e tyre luajnë në mesfushë, madje jo pak herë Curri është ankuar. "Në mesfushë jap më shumë. Kjo e tregon edhe ecuria me Vorsklën, ku shpesh kam shënuar,"- ka thënë Debatik Curri. Me ata në mesfushë, natyrisht që Shqipëria bëhet më e fortë. Mbrojtja, edhe pse me eksperimente, nuk ka qenë reparti për t'u kritikuar, pasi në katër ndeshje, vetëm atë ndaj Hungarisë janë pësuar gola. Nëse në përballjen e fundit me Portugalinë, u fitua një mbrojtës si Endri Vrapi, përsëri qendrën e bëri Cana. Emrat e parë kanë filluar të përfliten, por gjithsesi kjo ngelet për t'u parë, se çfarë do të rezervojë zgjedhja e trajnerit Ari Han, për miqësoren e 19 nëntorit.
Paraguai,një tjetër kandidat për miqësore
Presidenti i Federatës Paraguaiane të Futbollit, Juan Angel Naput, gjatë një prononcimi për "goal.com", ka thënë ndër të tjera se kombëtarja shqiptare është një kundërshtar i mundshëm për një miqësore në datën e lirë të FIFA-s, 19 nëntor. Midis disa alternativave, për liderin e grupit eliminator të Amerikës së Jugut, përfshihet edhe Shqipëria. "Peruja është një rival që e respektojmë, por nuk mund të hedhim poshtë rivalët e tjerë të mundshëm, si Izraeli dhe Shqipëria,"pohoi kreu i federatës paraguaiane. Ndërkohë, nga ana tjetër, burime në FSHF bëjnë të ditur se miqësorja do të luhet me një kombëtare europiane.