Feltman:Siria,rol konstruktiv në Lindjen e Mesme
I dërguari amerikan Xhefri Feltman ka deklaruar se Siria mund të luajë një rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në Lindjen e Mesme. Të dërguarit e Shtëpisë së Bardhë Xhefri Feltman dhe Den Shapiro kanë vizituar Sirinë dhe kanë takuar zyrtarë vendas. Ata janë zyrtarët e parë amerikanë që vizitojnë Sirinë që nga janari i vitit 2005. Vizita e tyre përbën kontaktin politik të nivelit më të lartë mes dy vendeve që kur Riçard Armitejxh, që ishte atëherë numri dy i Departamentit të Shtetit, shkoi në Siri. "Mendoj se Siria mund të luajë një rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në rajon, por edhe në marrëdhëniet tona dypalëshe", deklaroi zëvendësekretari i përkohshëm i Shtetit për Lindjen e Mesme, Feltman, pas diskutimeve me shefin e diplomacisë siriane, Ualid Muallem dhe zyrtarë të tjerë sirianë. Ky takim zhvillohet në momentin kur administrata e re amerikane e Presidentit Obama ka shfaqur vullnetin e saj për të dialoguar me të ashtuquajturat 'dele të zeza' të SHBA-së në Lindjen e Mesme. Ndërkohë, Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton u shpreh të premten se administrata Obama po testonte ujërat në marrëdhëniet e SHBA-së me Iranin dhe Sirinë. Xhefri Feltman ka qënë ambasador në Liban në kohën e atentatit ndaj Haririt. Një hetim i Kombeve të Bashkuara implikon zyrtarë të sigurisë së Sirisë në vrasjen e Haririt, por Damasku zyrtar ka mohuar cdo lloj përfshirjeje.