E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zimbabve,hetime për aksidentin e kryeministrit

Kryeministri i Zimbabves Morgan Tsvangirai mendon se aksidenti që shkaktoi vdekjen e bashkëshortes së tij dhe plagosjen e tij, është bërë me qëllim. Tsvangirai ndodhet në një gjendje të stabilizuar pas dëmtimeve në kokë që pësoi nga aksidenti, që ishte fatal për gruan e tij Suzan. Partia e drejtuar prej Tsvangirait, Lëvizja për Ndryshim Demokratik, është shprehur fillimisht se është shumë shpejt për t'u deklaruar rreth aksidentit, por më vonë ata deklaruan se aksidenti mund të jetë bërë me dashje. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Tendai Biti tha gjatë një konference për shtyp se për liderin e tyre Tsvangirai duhet të merren masa më të mëdha sigurie. "Nëse do të ishte shoqëruar nga një eskortë policie, ajo që i ndodhi kryeministrit tonë, mund të ishte evituar", tha Biti. Ai theksoi se partia Lëvizja për Ndryshime Demokratike do të nisë hetime më vete. Kryeministri zimbabvian ishte nisur për në shtëpinë e tij në fshat në fillim të fundjavës kur makina e tij u përplas pranë qytetit Beatriçe. Aksidenti ndodhi vetëm dy ditë pasi Tsvangirai mbajti fjalimin e tij të parë në parlament pas betimit si kryeministër i Zimbabves. Ai u martua me bashkëshorten e tij Suzan në vitin 1978, dhe kanë 6 fëmijë. Sipas mediave ndërkombëtare, zonja Tsvangirai kishte qëndruar larg fokusit të mediave, por ishte burim force për bashkëshortin e saj, kur ai në të kaluarën u akuzua për tradhëti dhe u sulmua për opozitën ndaj Mugabes. Kryeministri Tsvangirai, ishte lider kryesor opozitar në Zimbabve, por para pak kohësh ka formuar qeverinë me presidentin Robert Mugabe.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›