E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyseni:Procesi i njohjes së Kosovës nuk ka ngecur

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, në një intervistë për Zërin e Amerikës deklaroi se procesi i njohjes së shtetit të ri nuk ka pësuar ngecje ndërsa hodhi poshtë kritikat që i bëhen diplomacisë së Kosovës për këtë çështje. "Nuk ka ngecje, dhe kritikat për zvarritje në këtë fushë janë totalisht të paqëndrueshme. Madje, ato ndonjëherë janë tepër të befasishme dhe unë kam përshtypjen që, ata që i bëjnë këto kritika, nuk janë të vetëdijshëm për kompleksitetin e shërbimit diplomatik të Kosovës. Janë themeluar dhjetë misione diplomatike, janë në proces e sipër edhe tetë të tjera dhe shumë shpejtë ne do të vendosim edhe për katër a pesë misione të tjera diplomatike, dhe nëse arrijmë që për një vit, nga dita e themelimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të themelojmë njëzet e dy misione diplomatike të Republikës së Kosovës në botë, jo që nuk është zvarritje e këtij procesi, ngecje jo se jo, por sukses i jashtëzakonshëm, sukses që do ta dëshironin edhe vendet e konsoliduara kohë të gjatë", shpjegoi ai.Ministri Hyseni shpreh besimin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të jetë në favor të së drejtës së popullit të Kosovës për të shpallur pavarësinë.Sipas tij, Kosova nuk ka arsye të jetë e pakënaqur me numrin e arritur të njohjeve sidomos kur kemi parasysh shtetet që e kanë njohur Kosovën. "Por, gjithsesi, nga këndi tjetër nëse shihet, ne nuk mund të jemi të kënaqur me këtë numër njohjesh sepse kemi nevojë për shumë më shumë njohje për të qenë në gjendje të aplikojmë për anëtarësim në organizata e ndryshme ndërkombëtare financiare e politike. Prandaj, njohjet e mëtejme mbeten një nga përparësitë kyçe të politikës së jashtme të Kosovës", nënvizoi ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›