E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bonot, nesër fillon shpërndarja

31/03/2010 Nevojitet dokument identifikimi dhe ai i dorëzimit. Nëse mungon plotësohet një deklaratë

Qytetarët duhet të drejtohen në katër filialet e përcaktuara nga Raiffeisen Bank

Duke filluar nga dita e nesërme të gjithë ata qytetarë që kanë depozituar bonot e privatizimit në kompanitë investuese deri në vitin 1998 do të mund t’i tërheqin ato në sportelet e Raiffeisen Bank. Tashmë, kjo bankë ku mësohet se janë depozituar pjesa më e madhe e këtyre bonove ka përgatitur të gjithë infrastrukturën e nevojshme, si dhe dokumentet që duhet të kenë qytetarët për tërheqjen e tyre. Në plotësim të udhëzimit të dalë nga ministri i Financave, qytetarët duhet të kenë me vete një dokument identifikimi pasaportë ose kartë identiteti, si dhe dokumentin që kanë depozituar bonot. Duke pasur parasysh që ka kaluar një kohë e gjatë nga depozitimi i këtyre bonove dhe dokumenti i lëshuar nga kompania mund të ketë humbur atëherë në sportel do të plotësohet një deklaratë personale. Në këtë deklaratë, të interesuarit do të saktësojnë shumën e bonove të depozituara dhe më pas do të mund t’i tërheqin ato. Gjithashtu, mësohet se kjo bankë ka vënë në dispozicion të këtij procesi katër pika të ndryshme në të gjithë Tiranën. Kështu, qytetarët mund të tërheqin bonot e depozituara në filialet e Raiffeisen Bank pranë ish-restorant Durrësit, në Porcelan, në lagjen “Ali Demi” dhe pranë Qendrës Tregtare “Kristal” në “Komunën e Parisit”. Por, duke parasysh se tashmë kanë kaluar gati 13 vjet që nga dorëzimi i bonove, në rast se individi që ka investuar në fondin e investimit, rezulton i vdekur, kthimi mbrapsht i bonove të depozituara do të bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit Civil që rregullojnë trashëgiminë. Procesi i rishpërndarjes së bonove do të fillojë më 1 prill të këtij viti dhe do të zgjasë 7 muaj, deri më 30 shtator. Ndërkohë nga ana e tyre, bankat e nivelit të dytë do të raportojnë pas 30 shtatorit pranë Ministrisë së Financave për sasinë e bonove që janë shpërndarë dhe ato të mbetura. “Procedura e asgjësimit të bonove të mbetura, do të rregullohet me akt të veçantë, në përputhje me legjislacionin e fushës”, vijon më tej udhëzimi i Ministrisë së Financave. Udhëzimi në fjalë është përgatitur në kuadër të zbatimit të ligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” që u miratua në fund të vitit të kaluar. Ky ligj detyron ministrinë që të kthejë bonot e privatizimit tek individët dhe për të bërë të mundur këtë ministri i Financave me udhëzim rregullon procedurat dhe afatet e rishpërndarjes. Sipas përllogaritjeve, gjendja e bonove të privatizimit dhe vlera në miliona lekë të shpërndara zë më shumë se 51 miliardë lekë ose rreth 68 për qind. Rreth 24 miliardë lekë janë të pashpërndara dhe në total zënë rreth 75 miliardë lekë bono privatizimi.

Situata

Në procesin e privatizimit janë përdorur rreth 11 miliardë lekë bono, ndërsa 74 miliardë nuk u arritën të përdoreshin. Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit, shumica e të cilave nuk është futur ende në përdorim dhe pritet që së shpejti të kalojnë për procesin e legalizimeve.

Fondet

Në Shqipëri kanë ekzistuar tri fonde investimesh, që kanë grumbulluar letra me vlerë, ku më e njohura mbetet “Anglo-Adriatika”, në të cilën kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje shqiptare për një vlerë prej rreth 10 miliardë lekësh. Tashmë me këtë procedurë të gjitha këto bono të depozituara do rikthehen tek qytetarët.

Shitja

Pavarësisht se pagesa me bono privatizimi për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje sapo ka filluar interesi i qytetarëve për blerjen e tyre në treg është thuajse minimal. Kjo mungesë interesi ka bërë që vlera e bonove të shënojë menjëherë ulje dhe dje vlerësoheshin me vetëm 11 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›