Tropojë e Kukës, borëpastrueset nuk kanë naftë
I ftohti ka mbërthyer gjithë vendin. Reshjet e deborës kanë bllokuar disa zona. Situata më e rëndë paraqitet në veri të Shqipërisë, ku Tropoja rezulton totalisht e bllokuar në të gjitha akset rrugore. E ngjashme është situata edhe në Kukës ku janë të bllokuara 11 komuna prej rreth një muaj. Në Zapod ushqimet po u mbarojnë banorëve. Borëpastrueset nuk janë vënë në lëvizje, në Kukës thuhet se nuk kanë fonde për të blerë naftë, ndërsa në Tropojë nuk ka asnjë reagim.
Kukësi në vështirësi
Situata në Kukës është rënduar pasi prej një muaji janë të bllokuara disa fshatra. Aktualisht janë të bllokuara 11 komuna si: Arrën, Grykë-Çajë, Ujmisht, Surroj, Topojan, Shishtavec, Zapod, Golaj, Fajza etj. Akset që lidhin qytetin me këto komuna janë të bllokuara si Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi etj.
Bëhet e ditur se nuk ka pasur probleme me dritat, i gjithë qarku ka energji elektrike.
Ka pasur të sëmurë, një prej të cilëve me apendesit dhe i është dashur të kalojë kufirin për në Kosovë në këmbë dhe më pas të arrinte në qytetin e Kukësit. Shumë pacientë të tjerë janë bllokur dhe kanë ngelur në spital, në pamundësi për të shkuar në shtëpitë e tyre. Të sëmurët shtohen dhe spitali ka marrë pamjen e një hoteli.
Janë mbyllur pothuajse të gjitha shkollat. Në Kukës orë e mësimit ditët e fundit janë bërë 30-minutëshe.
Brenda në qytet kryesisht ngrohen me dru kjo ka bërë që çmimi i tyre të rritet.
Albert Zeneli përfaqësues i Këshillit të Qarkut ka thënë se borëpastrueset nuk kanë fonde për naftë dhe drejtoria rurale e rrugëve nuk ka fonde. Bëhet e ditur se situata është shumë e vështirë, pasi në fshatrat të cilat kanë një muaj të bllokuara kanë mbaruar ushqimet. Situata më e rëndë është në Zapod.
Kukës, përplasje pozitë-opozitë.
Në një dalje për mediat, kreu i Partisë Socialistë të rrethit të Kukësit ka akuzuar institucionet shtetërore për mungesë profesionalizmi në drejtim të përballimit të situatave emergjente nëpër të cilat po kalon qarku verilindor. Kreu i kësaj partie ka kërkuar nga institucionet qendrore që të ndërhyjnë në drejtim të shërbimit shëndetësor e sidomos në atë të shpërndarjes së ushqimeve për banorët e izoluar prej ditësh.
Por në një tjetër linjë ka qenë kreu i Këshillit të Qarkut të Kukësit i cili ka hedhur poshtë këto deklarata të opozitës në Kukës duke deklaruar se tashmë po punohet në çdo aks rrugor për largimin e borës, si dhe hapjen e çdo rrugë nacionale apo rurale. Ibsen Elezi ka deklaruar gjithashtu se deri tani nuk është shënuar asnjë rast emergjent sa i takon bazës ushqimore apo emergjence shëndetësore.
Ndërkohë që pozita dhe opozita në Kukës po përplasen, banorët e komunave të thella malore vijojnë të mbeten të izoluar. Gjatë ditës së djeshme është intensifikuar puna për hapjen e akseve rrugore, megjithatë ende zona të tëra janë nën mbretërimin e dëborës, akullit dhe izolimit.
Izolohet Tropoja, mbyllen shkollat
Prej dy ditësh të gjitha fshatrat e Tropojës janë të izoluara nga bora. Shkollat janë mbyllur. Bëhet e ditur se sot është bllokuar edhe rruga që lidh Tropojën me Kosovën. Asnjë makinë nuk është nisur sot në drejtim të kryeqytetit. Rrugët e fshatrave që i lidhin me qytetin e B.Currit janë të bllokuara plotësisht. Mbi një metër e gjysmë borë ka rënë në fshatra.
Kryetari i komunës së Tropojës, Ram Kortoçi, njofton se të gjitha shkollat janë mbyllur. Në fshatrat Kërrnajë, Bërbat, Ara e Çukës, Gosturan dhe Zhenaj dëbora ka arritur në 2 metra. Akset rrugore që lidhin fshatrat me Bajram Currin janë të pakalueshme. Situatë e tillë është edhe në Lekbibaj, Valbonë, Padesh, Margegaj, Llugaj, Bujan dhe zona të tjera malore. Ram Kortoçi thotë se 7 shkollat e komunës janë mbyllur derisa të përmirësohet koha. Për sa i përket energjisë elektrike bëhet e ditur se nuk ka pasur probleme, përveç disa ndërprerjeve deri në dy orë për shkak të ngarkesës në rrjet.
Vermosh, orteku dëmton shtëpinë
Një banesë është shkatërruar pasi është goditur nga një ortek dëbore në Kelmend, ndërsa tre familje janë larguar për arsye sigurie. Reshjet e borës që vazhdojnë të jenë të pranishme në komunën e Kelmendit në rrethin e Malësisë së Madhe dhe në Pukë, vazhdojnë të krijojnë probleme. Vermoshi tashmë është izoluar plotësisht pasi dëbora ka bllokuar dhe aksin që lidh këtë fshat me Plavën e Gucinë në Malin e Zi përmes pikës kufitare të Gërçarit. Kjo ka qenë e vetmja rrugë që mund të kalohej nga banorët e Vermoshit që shkonin atje për nevojat e tyre dhe për furnizimin me ushqime. Burime nga fshati më verior i vendit bëjnë të ditur se rruga Vermosh-Gërçar është bllokuar nga bora. Në fshatin Budac të komunës Kelmend, orteku i dëborës ka dëmtuar banesën e shtetasit Zef Neçaj, si dhe 20 krerë bagëti. Pjesëtarët e kësaj familjeje si dhe dy familje të tjera fqinje me shtëpinë e dëmtuar, për arsye sigurie jane zhvendosur tek të afërmit në këtë fshat. Reshjet e dëborës vazhdojnë të bien në Rrethin e Pukës. Aktualisht mbeten vështirësisht të kalueshme të gjitha akset në këtë rreth. Kalimi është i mundshëm vetëm me zinxhirë. Përveç aksit Qafë Mali- Fierzë dhe Qafë Mali-Shllak ku po punohet me vështirësi për të zhbllokuar rrugën, pasi bora në disa zona arrin lartësinë mbi 3 metër, rrugët e tjera nacionale janë të kalueshme me zinxhirë. Era e fortë e ka bërë më të vështirë punën, pasi ajo e risjell borën në rrugë edhe kur ajo arrin të pastrohet. Punohet me 6 fadroma dhe me mjete të firmave që mirëmbajnë rrugën, por dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Akset rurale në rrethin e Pukës janë të bllokuara.
Malësi e Madhe, shkëndija elektrike djeg banesën
Një banesë është përfshirë nga flakët në orët e para të së dielës në fshatin Rafsh të komunës Kastrat në Malësi të Madhe. Rikthimi i energjisë elektrike pas shkëputjes gjatë natës ka shkaktuar qark elektrik në banesën dykatëshe të shtetasit Gjergj Dreshaj. Zjarri është shfaqur në katin e parë dhe është përhapur me shpejtësi. Shtatë pjesëtarët e familjes, mes të cilëve dhe fëmijë kanë mundur të dalin jashtë me vështirësi pa u dëmtuar. Zjarri është fikur me mjete rrethanore, pasi largësia e madhe dhe rruga me borë ka penguar zjarrëfikëset të shkojnë atje.
Gjendja në akset rrugore
Në qarkun Kukës:
1. aksi rrugor Morinë Kalimash i kalueshëm me zinxhirë,
2. aksi Kukës Krumë i kalueshëm me zinxhirë,
3. aksi B.Curri Qafë Morinë i pakalueshëm,
4. aksi B.Curri Fierz i pakalueshëm,
5. aksi B.Curri Valbonë i pakalueshëm,
6. aksi Krumë B. Curri i pakalueshëm,
7. aksi Krum Qaf Prushi i pakalueshëm,
8. aksi Kukës Topojan i kalueshëm me zinxhirë,
9. aksi Ujmisht Lusen Bushtricë Kala e Dodës në drejtim të
Peshkopisë i pakalueshëm,
10. aksi Shëmri Qafë Shllak i pakalueshëm,
11. aksi rrugor Topojan Shishtavec i pakalueshëm,
Në qarkun Dibër:
1. aksi rrugor Peshkopi Bulqizë Klos i kalueshëm me zinxhirë,
2. aksi rrugor Klos Burrel Ulëz i kalueshëm pa zinxhirë,
3. aksi Bulqizë Shupenzë Ostren i kalueshëm me zinxhirë,
4. aksi Krastë Bulqizë i kalueshëm me zinxhirë me vështirësi,
5. aksi rrugor Peshkopi Sllovë Kala e Dodës në drejtim të Kukësit
i pakalueshëm,
6. aksi Peshkopi Muhurr Arasi kalueshëm me zinxhirë me vështirësi,
7. aksiArras Zall Dardhë Reç i kalueshëm me zinxhirë,
8.
