E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët basketbollistë tërheqin shumë tifozë në pallat të sportit

Fëmijët përherë e më shumë po rigjallërojnë sportin e dashur të basketbollit, në sajë edhe të dëshirës e vullnetit të jashtëzakonshëm të profesionistëve të këtij sporti. Mjaft interesante ishte ndeshja që u zhvillua para disa ditësh në palestrën e klubit të sportit “Partizani”. Në garë ishin ekipi “Olimpik Basket” me trajner Gloria Kryekurti e Mariglen Qose dhe ekipi “Q.M.B. Tirana” me trajner Eva Mehmeti dhe Astrit Greva. Ekipi “Olimpik Basket” përfaqësohej nga fëmijët e talentuar dhe të apasionuar pas basketbollit, si Marko Gjata (Kapiteni), Joni Haxhiu, Joel Gjata, Klaus Alhysa, Mateo Selfo, Deni Hysenaj, Marvi Hoxha, Kristi Kolona, Hermes Paskali. Ndeshja për moshën e tyre, si fëmijë të vegjël që ishin, u zhvillua me nerv e shpirt gare të spikatur nga lojtarët. Ajo u ndoq më shumë vëmendje, pasion e duartrokitje nga spektatorët e pranishëm, që për hir të vërtetës ishin më të shumtë se në një ndeshje kampionati për të rritur. Ndeshja u mbyll me rezultatin e merituar 21 me 19 (pikë), me fitoren e ekipit “Olimpik Basket”, i cili u nderua me kupën e takimit. Për stimul moral dhe nxitje, pjesëmarrësve të dy ekipeve, iu dhanë medalje. Në mbyllje, njëri nga trajnerët e “Olimpik Basket”, Mariglen Qose tha: “Ne specialistët e përgatitjes së sportit e ndjejmë se kemi shumë për të bërë, për edukimin dhe aktivizimin e gjerë të njerëzve, për t’u marrë me sportin. Këtij qëllimi madhor mendojmë se i shërben edhe marrja me fëmijët dhe të rinjtë, për përgatitjen e tyre si basketbollistë, pavarësisht nga vështirësitë dhe pengesat e shumta që hasim në këtë drejtim. Përveç stërvitjes së zakonshme që zhvillojmë, herë pas here aplikojmë e zhvillojmë aktivitete të larmishme funksionale me fëmijët e të rinjtë. Këto aktivitete kanë nxitur sedrën dhe ambicien e tyre të aktivizimit, por i kanë shërbyer edhe tërheqjes së elementit të ri në basketboll”. Ideatorët e këtij eventi falenderojnë të gjithë prindërit për bashkëpunimin dhe urojnë që ky bashkëpunim të forcohet më tej, që fëmijët e tyre të rriten të shëndetshëm dhe të bëhen sportistë cilësorë.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›