Fëmijët e Berishës kundër Tahirit, vonesa e deputetit shtyn gjyqin
Gjykata e Tiranës nisi procesin kundër deputetit socialist, i cili është akuzuar për shpifje nga Argita dhe Shkëlzen Berisha. Fëmijët e Kryeministrit i kërkojnë 8 milionë lekë dëm pasuror Sajmir Tahirit
Tiranë Gjykata e Tiranës nisi dje shqyrtimin e padisë që Argita dhe Shkëlzen Berisha kanë bërë ndaj deputetit socialist, Saimir Tahiri. Seanca e parë nuk është zhvilluar, edhe pse deputeti Tahiri është paraqitur në gjykatë por me disa minuta vonesë. Tahiri i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës, ka mbërritur në ambientet e gjykatës disa minuta pas orës 12:00, kur ishte caktuar zhvillimi i seancës së parë të procesit civil mes tij dhe fëmijëve të kryeministrit Sali Berisha. Procesi i caktuar për t'u zhvilluar në orën 12:00 të ditës së djeshme nisi në zyrën e gjyqtarit Ilir Çeliku dhe jo në sallë, sikundër e parashikojnë ligji dhe procedura. Duke qenë se deputeti socialist ka mbërritur disa minuta me vonesë, zhvillimi i seancës përgatitore është shtyrë për në datën 20 janar të vitit të ardhshëm. Gjatë seancës së djeshme, ku gjykata do të procedonte paraprakisht me çështjen, objektin paditës dhe paraqitjen e palëve, ka qenë i pranishëm vetëm përfaqësuesi ligjor i palës paditëse dhe deputeti i paditur. Padia që pritet të shqyrtohet në fillim të vitit të ardhshëm është depozituar nga Argita dhe Shkëlzen Berisha në Dhomën Civile të Gjykatës së Tiranës, më datën 8 nëntor. Pas hedhjes në short, gjyqtari Ilir Çeliku caktoi datën 9 dhjetor për nisjen e shqyrtimit të saj. Padia në fjalë ka si objekt detyrimin e të paditurit, deputetit Saimir Tahiri, të shpërblejë paditësen Argita Malltezi me demin pasuror dhe jopasuror në shumën e 4 milionë lekëve. Të njëjtën shumë, në formën e shpërblimit të dëmit ka kërkuar nga deputeti socialist edhe paditësi tjetër, Shkëlzen Berisha. Aktpadia i referohet një deklarate të bërë nga deputetit Tahiri në tetor të këtij viti, ku ai shprehet se “Sali Berisha është i korruptuar, i biri dhe e bija e tij janë të përfshirë në korrupsion”. Kjo deklaratë ka shtyrë fëmijët e kryeministrit Berisha t’i drejtohen Gjykatës së Tiranës për të kërkuar 8 milionë lekë dëmshpërblim nga deputeti socialist, Saimir Tahiri. Sipas paditës, mësohet se Argita dhe Shkëlzen shprehen në padinë civile se u është shkaktuar një dëm moral dhe turbullim i padrejtë i gjendjes shpirtërore të pësuar nga deklaratat e pavërteta shpifëse dhe fyese të deputetit Saimir Tahiri. Gjithashtu, paditësit thonë se është shkaktuar edhe dëm që u cenon nderin e personalitetin e tyre, duke ndikuar në opinionin publik. Padia e fëmijëve të kryeministrit Sali Berisha është e fundit në radhën e padive të depozituara deri tani në Gjykatën e Tiranës ndaj deputetit Saimir Tahiri. Më herët, Gjykata i ka dhënë të drejtë deputetes Albana Vokshi, e cila kërkoi dëmshpërblim nga Tahiri, pasi në deklaratat e tij publike kishte thënë gjera të pavërteta në adresë të saj. Deputetit socialist do t’i duhet të përballet me një padi të bërë ndaj tij nga zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Agron Kuliçaj, i cili kërkon nga Tahiri ta dëmshpërblejë për dëmin jopasuror që i ka shkaktuar nëpërmjet deklaratave të pavërteta. Një tjetër padi që adresohet ndaj Tahirit dhe që ka si objekt shpërblimin e dëmit jopasuror, mban firmën e ish-ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, i cili kërkon 5 milionë lekë nga deputeti i PS-së.