Atentati me eksploziv, BRISK-u merr në mbrojtje nr.2 të Policisë
Pas atentatit me tritol në shtëpinë e Dorian Muçës, shtohen masat e sigurisë për të dhe familjen e tij. Policia verifikon emra të njohur të krimit, të goditur kohët e fundit ose nën hetim
Tiranë Dy ditë pas atentatit me tritol në derën e shtëpisë, Policia e Shtetit merr në mbrojtje zv/drejtorin e Policisë së Tiranës, Dorian Muça dhe familjen e tij. Burime policore konfirmuan se janë përforcuar masat e sigurisë edhe në drejtim të familjarëve dhe të afërmve të Muçës, ndërsa për numrin 2 të Policisë është paracaktuar dhe një itinerar lëvizjesh strikte, deri në një urdhër të dytë. Me mbrojtjen e numrit 2 të Policisë së Tiranës po merren efektivët e BRISK-ut, repart ky i specializuar për personalitetet. Ndonëse atentati me tritol është kthyer në prioritetin kryesor të hetimeve, zyrtarë të policisë së Tiranës janë tepër të rezervuar në dhënien e informacioneve. Prokurorët e çështjes kanë marrë gjatë në pyetje numrin 2 të policisë, në përpjekje për të kuptuar më shumë rreth aktivitetit të tij dhe personave të interesuar për ngjarjen, ndërsa vetë Muça ka deklaruar se nuk kishte asnjë dyshim konkret. Prej dy ditësh, grupi i posaçëm hetimor është fokusuar tek rastet e fundit të goditura nga policia e Tiranës, nën drejtim e Dorian Muçës. Dhjetëra elementë kriminalë të arrestuar ose nën hetim, kanë kaluar në ‘sitën’ e verifikimeve, por ende nuk është gjetur asnjë provë që mund të lidhë ndonjërin prej tyre me atentatin me eksploziv. Të pyetur mbrëmë nga MAPO, zyrtarë të Policisë së Tiranës thanë se kanë marrë në pyetje persona të dyshuar, si dhe kanë kryer verifikime tek persona të njohur për problemet e tyre me ligjin, por deri tani nuk ka asnjë gjurmë të autorëve të atentatit. Të njëjtët zyrtarë kanë mohuar mbrëmë të kenë në rrethin e të dyshuarve persona që ndodhen në burg, për të cilët u fol se kanë urdhëruar vendosjen e tritolit në derën e jashtme të apartamentit të Dorian Muçës, në rrugën “Frosina Plaku” në Tiranë. Një tjetër element që e vështirëson zbardhjen e kësaj ngjarjeje janë kamerat e sigurisë në oborrin e pallatit të Muçës. Përgjatë dy ditëve, hetuesit kanë parë pamjet e filmuara në kohën e atentatit, por nuk kanë mundur të realizojnë një identikit të përafërt të autorit të krimit. Lënda shpërthyese ishte vendosur në derën e jashtme të banesës së nëndrejtorit Muça, ndërkohë që forca e shpërthimit ka shkaktuar dëmtime edhe në banesat e tjera pranë. Grupi hetimor nisi hetime intensive, duke u përqendruar në detyrën që ushtron kryepolici dhe në hetimet më delikate që ai mund të ketë drejtuar vitin e fundit ndaj grupeve të ndryshme kriminale në kryeqytet. Përgjatë së enjtes dhe së premtes, grupi hetimor ka marrë në pyetje mbi 30 persona, të njohur për precedentët e tyre kriminalë, por asnjëri prej tyre nuk ka dhënë elementë të dobishëm për zbardhjen e ngjarjes. Agjentët e policisë dhe përfaqësuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë duke punuar edhe me informacionet e siguruara në mënyrë operative nga “pikat e kontaktit” në terren.
Mbetjet e eksplozivit i dërgohen Laboratorit
Grupi hetimor ka sekuestruar disa copa fitili, mbetje pluhuri të lëndës shpërthyese, si dhe ngjitës adeziv në derën e apartamentit të Dorian Muçës. Gjithashtu janë mbledhur në cilësinë e provës materiale disa elementë metalikë, që mendohet se janë mbetje të bombës së vënë në derën e Muçës. Këto materiale kanë kaluar për analizë në laborator, në përpjekje për të përcaktuar llojin e bombës. Përmes mekanizmit shpërthyes, ekspertët e policisë synojnë të gjejnë vendin ku është siguruar bomba, e përmes saj edhe ekzekutorët e atentatit ndaj numrit 2 të policisë. Përgjigjet e laboratorit kriminalistik pritet të mundësojnë edhe një krahasim të mundshëm me eksplozivë të vendosur më parë, duke iu dhënë kështu një gjurmë të re hetuesve të ngjarjes.