E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikata e Policisë: Arrestim të shpejtë atentatorit

Sindikata e Policisë ka dënuar sulmin me eksploziv ndaj nr.2 të Policisë së Tiranës dhe kërkon arrestimin e shpejtë të autorit

Sindikata e Policisë dënon sulmin me eksploziv në shtëpinë e nr.2 të Policisë së Tiranës. “Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit mësoi me keqardhje sulmin barbar të kryer ndaj uniformës së policisë, konkretisht në atentatin me eksploziv në banesën e kryekomisar Dorian Muçës, me detyrë Zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Nga kjo ngjarje e rëndë, që fatmirësisht nuk pati të dëmtuar në njerëz, ne marrim shkas për të dënuar dhunën ndaj çdo punonjësi policie, e për të qenë pranë çdo punonjësi që bie pre e sulmeve kriminale për shkak të detyrave të tyre, të kryera gjatë karrierës në shërbim të komunitetit”,-thuhet në njoftimin për shtyp të Sindikatës së Policisë. Drejtuesit e saj kanë kërkuar zbardhjen dhe dokumentimin sa më të shpejtë të ngjarjes dhe vendosjen para drejtësisë të autorit. “Duke u nisur nga kjo, kërkojmë nga strukturat më të larta të Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë për Krimet e Rënda të hetojnë intensivisht për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje kriminale dhe për zbulimin e arrestimin sa më të shpejtë të atentatorit’, thuhej dje në deklaratën e Sindikatës. Ata kërkuan që në dispozicion të hetimit të vihen mjetet dhe burimet më të mira logjistike, me qëllim që dora kriminale të dërgohet para drejtësisë së vendit.

Policia: Sulmi, për shkak të detyrës

Atentat për shkak të detyrës. Ky është versioni zyrtar i Policisë së Tiranës për shpërthimin e eksplozivit në derën e apartamentit të zv/drejtorit Dorian Muça. Në një deklaratë të posaçme për shtyp, në lidhje me atentatin e rëndë kundër numrit 2 të Policisë së Tiranës, Drejtoria e Policisë ka dhënë një “mesazh” të qartë mes rreshtave, duke paralajmëruar se do të vazhdojë goditjen e cilitdo niveli të krimit në vend. “Strukturat e Policisë së Shtetit kanë qenë dhe do të jenë të vendosura për të luftuar me rigorozitet çdo lloj forme krimi, duke goditur në kohë dhe vendosur përpara drejtësisë elementë kriminalë, duke punuar me angazhim maksimal dhe duke qëndruar të palëkundur në luftën ndaj krimit, gjithnjë me fuqinë që i jep ligji”, - saktëson deklarata. Më tej, policia sqaron se do të kryhen të gjitha veprimet intensive hetimore për të bërë me çdo kusht të mundur zbardhjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›