E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët e demokracisë dhe sorollatja e një ish-përndjekuri (I) (Triptik)

Numri i fundit i revistës “Mapo” na rezervoi një sondazh interesant mbi fëmijët e lindur në vitet e ndërrimit të regjimeve, nga ai komunist në atë demokratik. Pasi lexova përgjigjet e tre-katër të rinjve mbi atë çfarë përfaqësonte komunizmi për ta, mbeta i befasuar ngaqë disa përgjigjeshin aq naivë sa artikulonin shprehje si “s’ka qenë mirë”, “sigurisht nuk mbaj mend asgjë nga komunizmi”, “babai më ka dhënë kështu”, “është bërë elektrifikimi i Shqipërisë” dhe shumë gjëra kësisoj... Fjalë të tilla sikur përligjin dhunën e heshtjes së ushtruar mbi armiqtë e proletariatit, nga njerëzit e errësirës e kështu me radhë...
Kuptohet vetiu injoranca e theksuar e të rinjve për historinë e atyre viteve është diçka e frikshme. Ky konstatim befasues ishte shkaku kryesor që më bëri të reflektoj mbi gjithë atë që quhet ndikimi i historisë së largët apo të afërt në realitetin e sotëm shqiptar dhe mbi peshën që ajo ka në vendimmarrjen e sotme të rëndësishme.
Ndërsa, një prej këtyre të rinjve, i lindur në 1991-in sapo kishte mbaruar gjimnazin dhe kërkonte në të ardhmen të bëhej politikan a politolog, madje në intervistë thotë se “kam dëgjuar për komunizmin se ai ishte një sistem ku njerëzit, pavarësisht se nuk mund të kishin liri të plotë mendimi e veprimi, ndihmoi megjithatë në elektrifikimin e vendit dhe mundësoi arsimimin të të gjithë popullsisë”, etj.
Tani ne nuk do të merremi me një njomëzak, që të tilla i ka edhe mendimet për komunizmin, por dy gjëra do t’i themi. Së pari këtu ka një problem edukativ të shoqërisë mbi memorien afatshkurtër dhe atë afatgjatë. Më pas, edhe probleme logjike elementare, sepse këtij të riut prindërit e tij nuk i kanë shpjeguar akoma se po nuk pate “liri të plotë mendimi e veprimi” nuk mund të jesh njeri i plotë, por thjesht një karikaturë hipokrite të një njeriu që noton në një govatë e jo në oqeanin e dijes. Është sikur të thuash se po i heqim shpejtësinë Gepardit që të jetojë më normal, por kjo gjallesë atë veti ka më të mirën, e në bazë të saj edhe është përvijuar konstrukti tij fizik e mendor... Afërmendsh pastaj nga mishngrënës, Gepardi do na kthehej në një barngrënës.
Së dyti përsa i përket elektrifikimit të vendit duhet thënë se në disa diktatura të egra ca gjëra mund të bëhen: Hitleri bëri çudira për ekonominë gjermane në vitet tridhjetë. Stalini në Rusi mblodhi të gjithë makineritë e industrive të vendeve satelite. Por në afat të gjatë, totalitarizmat e rrënuan Rusinë ekonomikisht dhe e deformuan shpirtin. Në Kinë hapi i madh i Maos (që kushtoi 40 milionë të vdekur) dhe revolucioni kulturor e rrënuan vendin.
Por jo vetëm në Azi, por edhe në Shqipëri, lidhja e komunistëve shqiptarë me ata kinezë na dhuroi përveç traktorëve-tank të viteve ‘50 edhe ateizmin e shtetit, me shumë pasoja për shpirtin e lënduar shqiptar. Gjykoj se pjesa më e madhe e këtij brezi sot nuk e kanë haberin për dhunimin që i është bërë shpirtin të shqiptarit, as nuk i intereson të dijë çka ka ndodhur jashtë apo edhe brenda burgut-ferr.
Në libraritë e qyteteve të mëdha janë disa kujtime të atyre që quhet “letërsia e burgut”. Ka libra si “Rrno vetem per me tregue” të padër Zef Pllumit, e shumë të tjerë që mund të të japin një inkursion në brutalitetin më të pagdhendur që shqiptari ka pësuar gjatë diktaturës. Shumë dokumente për historinë e atyre viteve nuk gjenden vetëm në arkivat e sistemit, por edhe në mendjet e atyre që e kanë kaluar e pësuar, por kujtimet e atyre viteve janë narkotizuar nga shoqëria. Problemi i memories historike është tipike e atyre vendeve që kanë pësuar trauma të gjata kohore. Siç do të thoshte dikush tjetër na ka prekur një tumor në memorie, i cili është padyshim malinj.
Vendet e tjera kanë histori të tjera. Veç të kujtojmë Gjermaninë e pasluftës së dytë botërore, ku njerëzit nuk pranonin as të flisnin për atë periudhë të jetës së tyre gjatë nazizmit. Edhe rebelimi i rinisë së Evropës gjatë vitit 1968, erdhi si pasojë e “vrasjes simbolike” të etërve, të cilët ishin velur nga ai sistemi i çmendur. Ishte një zhvillim fiziologjik i një rinie që kërkon të dijë, të mësojë, ta gjurmojë historinë këmba-këmbas, që ato të mos përsëriten më. Si gjithmonë, ne jemi të jashtëzakonshëm, por do të më pëlqente të ishim të zakonshëm, si e gjithë Evropa. Por ja që ne kemi marrë një shteg tjetër, ku problemin nuk e përballojmë, por e fshehim, me lehtësinë e një prestigjatori.
Sorollatja e një ish-të përndjekuri:
Në Shqipërinë e viteve të demokracisë, të rinjve, nuk u shkon në mendje ta njohin të shkuarën e prindërve të tyre as të dinë se ç’u bë me fatin e atyre që ishin në hekurat e një regjimi shtazor. Jo vetëm që nuk njihet nga të rinjtë, por as nga këta që qëndrojnë në politikë. Nëse do kishim të bënim vërtet me një shtet që funksionon sipas ligjeve demokratike, atëherë kjo histori do të kishte mbaruar. Me këto sorollatje pafund po shikojmë se pak prej ish-të përndjekurve po arrijnë të dëmshpërblehen sa janë gjallë. Fati i tyre i lodhur nga prangat e komunizmit sot është në dorë të burokratëve, që në shumicë i sorollasin derë më derë, sikur të ishin fëmijë dhe jo njerëz që kërkojnë të drejtën e tyre për dëmshpërblim, që i ka bërë po ato institucione si Ministria e Drejtësisë gjatë komunizmit. Por këto zyra akoma edhe sot janë të mbushura me njerëz të regjimit mendor komunist, që qëndrojnë akoma indiferentë ndaj kërkesave për drejtësi tokësore... se me atë hyjnore do t’i bëjnë llogaritë më vonë... (vijon)

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›