E Diel, 1 Nëntor 2026

Problemet e demokracisë nuk zgjidhen me yshtarët e frymës së nostalgjisë

Johanes Esli - Për këtë aktor të njohur gjerman, kam shkruar edhe herë tjetër dhe do të vazhdoj të shkruaj edhe në të ardhmen, sepse çështja Esli më duket se ia vlen të shndërrohet në një dukuri, për problemet e demokracisë në Shqipëri. Johanes Esli është i mirënjohur në vendin e tij jo vetëm për talentin, por edhe për moshën me vitet që po i afrohet njëqindës. Dhe as për faktin se mbahet si një i ri, duke qenë parësor në mjaft aktivitete artistike e kulturore, ku spikat gjallëria e një personi, për të cilin mosha e thyer mbetet si dytësore. Johanesi pyetet në intervista për kohën e tij të rinisë, kur Gjermania ndodhej para të papriturash, si pasojë e një vendi të mundur në Luftën I Botërore. Përgjigjet e tij kanë  befasuar edhe historianët për kujtesën e tij të pazakontë për vitet që i rëndojnë në kurriz. Veçse njëherë foli edhe për pikturat e Hitlerit. Disa nga akuarelet e tij i kishin zgjuar interes. Ishte një gafë, sipas shtypit gjerman. Jo vetëm që u kritikua publikisht, por edhe sikur e ndjeu veten të veçuar, tashmë. Nuk e thërrisnin më në aktivitetet artistike. Edhe gruaja e tij i kishte folur ashpër në shtëpi për të folurit në një frymë simpatie ndaj një njeriu që ishte i mallkuari i Gjermanisë.
Pjesa e dytë e këtij episodi ishte interesante. Esli kishte vajtur, pa u ftuar tanimë, në një aktivitet artistik dhe kishte pasur guximin që të dilte në podium. - “Të dashur bashkatdhetarë, jam para jush për t’ju kërkuar ndjesë. Më falni për atë shprehje të pamenduar mirë ndaj një njeriu të cilin demokracia jonë e ka nxjerrë, me të drejtë, jashtë ligjit. E ndjej veten fajtor  dhe shpresoj që të besoni në fjalët e mia të sinqerta. I kërkoj të falur edhe gruas sime, e cila nuk rresht që të ma vërë në dukje vazhdimisht atë shkarje timen. (Ndërkaq i vezullonin lot në faqet e tij). Plateja dhe lozhat shpërthyen në duartrokitje dhe i kërkuan një recitim. Mea culpa  e tij ishte e efektshme. Ai recitoi një vjershë kundër racizmit hitlerian me një frymëzim si kurrë ndonjëherë më parë. Auditori e përshëndeti mbarimin e poezisë duke u ngritur në këmbë, me brohoritje, të cilat Johanesit iu dukën se nuk i kishte ndjerë aq të përzemërta e të nxehta më parë, në daljet në publik.
Po vjen 16 shtatori!
E paraqitëm si një dukuri këtë ngjarje, për të bërë një krahasim me të kaluarën, ndërmjet një vendi totalitar si Gjermania dhe një vendi totalitar si Shqipëria. Vendimi i Asamblesë Parlamentare të BE-së, i dënon pa dallim, të dyja diktaturat. Nostalgjitë politike janë anakronike në vendet e demokracisë. Por, ndërsa Gjermania e ka zbatuar, në emër të demokracisë, zhdukjen e mendësive pronaziste, majtizmi ynë, me në krye Partinë Socialiste, në mënyrë të përkundërt, e ka  nxitur nostalgjinë e së kaluarës diktatoriale komuniste. Në Gjermani e pamë sesi ndëshkohet rreptësisht nga opinioni publik, qoftë edhe një aluzion i përciptë për ndonjë simpati kalimtare ndaj Hitlerit. Këtu te ne bëhet apoteoza e Enver Hoxhës në dritë të diellit dhe nën rrezet e hënës, sikur të mos kishte ndonjë vendim zyrtar të bashkësisë europiane kundër krimeve të komunizmit. Edvin Rama është eksponenti kryesor i festave të 16 shtatorit në Pezë,  me fotot e zbukuruara të atij demagogu që, ndonëse në 16 shtator të vitit 1942 ishte vetëm një postier që shpërndante ftesat (është pohimi i tij) me urdhër të Miladin Popoviçit dhe ka thënë, po ashtu, se ndodhej para një fakti të kryer. Nga cilët? Nga ata që komandonin në vendin tonë në Komitetin Qendror, sikur ta kishin atë një agjenci të tyren!
Vendi ynë ishte më i terrorizuari nga vendet e Lindjes komuniste Europiane. E, megjithatë, paranojaku Edvin Rama, kërkon të na bindë se është i përgjëruar për demokracinë dhe për transparencën, kur brenda përbrenda partisë së tij, ushtron diktaturën dhe qëndrimin opak të dyerve të mbyllura! Tani jemi në shtator, në vigjilje të gjashtëmbëdhjetës. Edhe një javë e dy ditë na ndajnë nga 16 shtatori. Merret me mend sikur ky demagog të kishte arritur të bëhej edhe kryeministër, përveçse kryetar bashkie, siç e gënjente etja e tij e shfrenuar për të bërë ligjin në emër të së majtës, por edhe të së djathtës! Por populli po ndërgjegjësohet dita-ditës. Dhe, nëse edhe këtë 16 shtator, ky njeri që fillimisht (1990) e kishte batërdisur me të gjitha sharjet e fjalorit të tij vulgar Enver Hoxhën, do të vazhdojë edhe këtë vit të rrënimit të tij politik, atë që ka bërë pa asnjë ndjesí për ata që u shkatërruan përvajtueshëm - me kryetar familjeje e me fëmijë të pafajshëm, -  do të vazhdojë në megalomaninë e tij të yshtjes së nostalgjisë për E.H.-n, i cili  i ka pasë bërë aq të zeza njerëzve dhe kombit. Nga marrëdhëniet që kam me ish-të përndjekurit politikë, këta kanë për t’i bërë një peticion proteste Asamblesë Parlamentare, për t’i argumentuar asaj se një mitoman i rrezikshëm, e ka shkelur me neveri një dokument të rëndësishëm të saj. Dhe, sikur pështjellimet e tij mendore e shpirtërore të jetësoheshin, nuk mbetej veçse të  vihej sërishmi drapri e çekani, në testatën e “Zërit të Popullit” që vazhdon në politikën e tij enveriste, me bekimin e ekscentrikut Edi Rama. Ky parvëny i të ultrapasuruarve të Ballkanit, ka frymëzuar edhe mjaft organe propagandistike në shërbim të tij (të blera nga ai), që të na hapin barkun me mendimet dhe fotografitë e Zonjës së Zezë, e pranishme vend e pavend në faqet e gazetave të majme nga ana ekonomike. Edhe një pjesë e madhe mediash vizive janë vënë në këto shërbime antidemokratike, duke bërë vazhdimësinë e indoktrinimit të shqiptarëve të shkretë, përmes tregimesh, episodesh, ngjarjesh të shpëlara, e pornoshkrimesh të tjera. Ja përse thamë se episodi i Johanes Eslit është një dukuri mësimdhënëse për ne. Dukuri e cila, e ballafaquar me thagmat e Edi Ramës, do të na çonte në një anakronizëm të thershëm, të cilin populli demokrat shqiptar nuk e ka plojë ta heqë si një mallkim, të injektuar nga forcat që ëndërrojnë diktaturën dhe flasin për demokraci!  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›