E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët e demokracisë dhe sorollatja e një ish-përndjekuri (III)

Duke qenë në vallen e konstatimeve, duhet thënë se fëmijët e demokracisë si gjithmonë në kohë demokracie e kanë filluar ditën e parë të shkollës me datë 15 shtator. Një ditë e rëndësishme për një fëmijë, por jo për një të ri. Këtyre të fundit më shumë se data 15 do t’u pëlqente data 16 shtator. Shumëkush do ta dijë se përpara bashkisë së Tiranës në këtë datë ka autobusë falas për të shkuar në fshatin Pezë, disa kilometra larg Tiranës, jo për të ekskursion me shkollën as për të bërë ndonjë leksion historie, por për të bërë pallë e harem nën kujdesin e Edi Ramës, i cili nën petkun e zyrtarit e cilëson “përkujtimin” e Konferencës së Pezës, një zdërhallje informalitete e një analogon të një orgjie të pastër postkomuniste. Është një kamuflazh artistik që s’ka asgjë interesante përveç fushës së antropologjisë sociale, ku mund të njohësh habitatin e një kaçaku ordiner si Myslym Peza, alias Babë Myslimi, të cilit tashmë i është uzurpuar shtëpia nga Egoarku. Aty, përveç shallpionierëve, sytë të zënë edhe imazhe të gjakatarit të Shqipërisë komuniste... Kuptohet se kush është.

Mirëpo, përsa i përket Konferencës së Pezës, ajo nuk është një konferencë në stilin evropian siç mund ta kuptojë një i huaj, por në gjykimin e historianëve ka qenë veç një mbledhje nacional/çlirimtare e zakonshme. Aty nuk u shfaq asnjë strategji luftimi, veprimi a gjykimi, por vetëm llogje kavaje. Nuk është vendi këtu për të folur për Konferencën e Pezës, por është interesante simbolizmi që po merr kohët e fundit me investimin e një njeriu hipokrit si Egoarku. Ai, pasi kishte babanë në Komitetin Qendror, në vitet ‘90 shndërrohet në rebel antisistem, por kur “rritet”, rikthehet në folenë e komunistëve, edhe si nostalgji për fëmijërinë, edhe si ithtar i kulturës idolatrike të të atit.

E ka thënë mirë, ndryshe, i pamposhturi Kostaq Xoxa, në faqet e kësaj gazete kur thotë se po kërkohet t’i bëhet një “apoteozë Enver Hoxhës” nga Bashkia Tiranë. Për të thënë të vërtetën, më duket një keqanticipim i festës së halloween-it në salcë e kontorno shqiptare.

Të kuptohemi, nuk jam kundër luftës nacionalçlirimtare, sepse në të gjithë vendet që patën një pushtim sadopak të vogël, ka pasur gjithmonë persona që rebeloheshin. Edhe në Shqipëri pati mjaft figura që për patriotizëm, por edhe për idetë politike iu kundërvunë armikut pushtues.

Ka qenë një kaleidoskop reagimesh. Figura e rebelit anti-totalitarist të luftës së dytë botërore është institucionalizuar edhe në Shqipëri - me hir apo pahir - të spikatur si "veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar”. Madje kuptohet fare lehtë se veteranë janë bërë vetëm partizanët komunistë, të cilët mbas lufte patën pozicione drejtuese e privilegje nga më të ndryshmet. Të tjerët: nacionalistë, ballistë, zogistë apo legalistë, që s’spikatën për ndonjë strukturë mendimi a veprimi, por që luftuan për truallin e tyre, u harruan, madje u arrestuan, u internuan e u pushkatuan, me gjyq e pa gjyq.

Brenga që po më ha ndërgjegjen është statusi i tyre social, moral e intelektual në shoqërinë tonë. Ata, përveçse një copë letër, ku thuhet se kanë qenë ish-të përndjekur politikë, nuk kanë pasur ende ndonjë gjë konsistente për t’u përmendur. Pra asgjë do të thotë se janë akoma pa dëmshpërblim, pa privilegje, pa përfaqësim në parlament, as përkujtime, as nderime.

Ndërsa në vendet e BE-së, ku ne dëshirojmë të anëtarësohemi pra Gjermani, Itali, Francë është ndryshe sepse atje demokracia funksionon. Funksiono sepse një hebre gjerman që ka kaluar internimet naziste është dëmshpërblyer, nga ana morale dhe intelektuale në shoqëri janë integruar më së miri. Nëpër shkollat e Italisë dhe të Francës partizanët jo vetëm komunistë, por të të gjithë frontit: nacionalistë, liberistë, mbretërorë e shumë të tjerë shkojnë nëpër shkolla për t’u treguar të rinjve sesi ishte puna e atyre viteve, si mësuan dhe si pësuan në regjimet diktatoriale. Pse luftuan për lirinë.

Është e rëndësishme të kuptosh për se njeriu lufton për lirinë. Sepse në pjesën e parë të këtij triptiku pamë se si një i ri tha se “edhe pse nuk kishin liri të plotë mendimi dhe veprimi u bë elektrifikimi”, këto fjalë nuk do të ishin prononcuar me komandë në qoftë se çdo ish-i përndjekur politik shkon nëpër shkollat e Shqipërisë dhe rrëfen vuajtjet, dëmtimet, gatimet, asgjësimet dhe gëzimet e burgut. Po-po, edhe burgu ka gëzime, sepse brenda vetvetes edhe pse je në burg, je i lirë, sepse jashtë hekurave në komunizëm kishte një rrethim tjetër, një burg më të madh. 

Duhet të ndalim e të pyesim: po ne shqiptarët, a e kemi bërë një ekzaminim të ndërgjegjes për këta të panafakët e një kohe që nuk i meritonte? 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›