E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aliu, mashtrim me uniformën e policisë

 

Trazhgim Sokolaj

Në listën e mashtrimeve të biznesmenit në kërkim Indrit Aliu shtohet edhe një precedent i bujshëm në lidhje me Policinë e Shtetit. Sipërmarrësi i rremë nga Vlora, i shpallur në kërkim ndërkombëtar është bërë pjesë e një skeme mashtrimi me uniformën e re të Policisë së Shtetit, duke i shtuar begraundit të tij të pazakontë edhe një rast tjetër të guximshëm. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave, biznesmeni i arratisur në Turqi Indrit Aliu kishte mashtruar edhe vetë strukturat e Policisë së Shtetit, që janë vënë në kërkim të tij pas gjashtë denoncimeve nga kompani dhe biznesmenë të mëdhenj, nga të cilët i akuzuari ka përfituar 3 milionë euro. Precedenti i bujshëm i mashtrimit nga Indrit Aliu ka nisur të ravijëzohet në mesin e vitit 2008 kur biznesmeni në kërkim është ofruar të sponsorizojë projektin e uniformës së re të Policisë së Shtetit. Duke marrë dijeni nga disa zyrtarë të lartë të policisë, të njohur si miq të tij, sipërmarrësi kontrovers nga Vlora është ofruar të financonte jo pak, por 13 milionë euro projektin për veshjen e re të policisë. Mbi atë premtim siç duket të pambajtur, mësohet së sektori përkatës në Policinë e Shtetit është duke punuar ende për projektin e ri të uniformës së policisë, e cila pritej të vihej në zbatim në vitin 2010 pas vendimeve përkatëse nga Ministria e Brendshme dhe Qeveria.
Uniforma e policisë
Ndryshimi i fundit në uniformën e policisë shqiptare ka ndodhur në vitin 2004, kur me vendim Qeverie është përcaktuar forma dhe simbolet e veshjes së punonjësve të rendit në të gjithë sektorët. Duke parë vjetrimin dhe nevojën për modernizmin e përshtatjen e uniformës me mentalitetin e ri të policimit, zyrtarët kanë vendosur të projektojnë uniformën e re. Disa muaj më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë bëri publike modelet e reja të uniformës për punonjësit e Policisë së Shtetit duke i veçuar në bazë të reparteve dhe shërbimeve që kryen secili efektiv. Financimi i këtij projekti gjigant për shkak të numrit prej 10800 efektiva policie, i ishte besuar pikërisht biznesmenit Indrit Aliu të shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tiranës për akuzën e “mashtrimit me pasoja të rënda”. Edhe pse sipërmarrësi premtues i vetëlançuar edhe në disa projekte të tjera dhurimi dhe bamirësie, është shpallur tashmë në kërkim, sektori përkatës në Policinë e Shtetit mësohet se po vazhdon punën për plotësimin e anës administrative, me qëllim zbatimin e uniformës së re në vitin 2010. Kjo nënkupton hartimin e urdhrave dhe dokumentacionit të nevojshëm me qëllim prodhimin e veshjes së re të policisë, në mënyrë që në vitin 2010 gjithçka të jetë gati për shpërndarjen e saj tek efektivat e të gjitha strukturave.
Mashtroi edhe policinë
Burimet zyrtare thanë se projekti i uniformës së re të policisë është një ndërmarrje serioze, e cila nuk vihet në rrezik nga mashtrimet e biznesmenit nga Vlora. Në mënyrë vullnetare në vitin 2008, pas kontakteve me zyrtarë të lartë të policisë, Indrit Aliu kishte premtuar financime për projektin e uniformës së re të policisë. Ky rast megjithatë, duket se nuk është vetëm një precedent më shumë në listën e gjatë të ngjarjeve të çuditshme, ku sipërmarrësi vlonjat është implikuar. Kompani të mëdha biznesi dhe personazhe të njohur të aktivitetit financiar në Tiranë, kanë rënë pre e mashtrimeve dhe pasi kanë kuptuar humbjen e shumave kanë denoncuar në polici Indrit Aliun. I cili mesa duket ka kuptuar rrezikun që i kanosej dhe për këtë shkak është larguar nga Shqipëria para se të arrestohej për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda në më shumë se një rast.

Biznesmeni akuzë pas 6 denoncimeve
TIRANE – Gjashtë denoncime janë bërë në policinë e Tiranës nga biznesmenë dhe kompani që pretendojnë se janë mashtruar nga biznesmeni nga Vlora Indrit Aliu. Duke premtuar nënshkrimin e kontratave të ndryshme për tendera dhe investime ai ka përvetësuar shuma të majme financiare që arrijnë deri në 3 milionë euro. pasi ka marrë shumat, Indrit Aliu ka shmangur çdo kontakt me “borxhlinj” e tij duke u zhdukur pa gjurmë. Me dështimin e premtimeve të tij, të dëmtuarit i janë drejtuar policisë.

Mashtroi edhe Unionin e Gazetarëve dhe emisionin në Tv
Biznesmeni në kërkim, kompjuterë Drejtorisë të Policisë së Tiranës

TIRANE - Falë njohjeve personale me disa nga zyrtarët e lartë të Policisë së shtetit, Indrit Aliu kishte shfrytëzuar këtë marrëdhënie për t'u bërë publik si një dhurues i pajisjeve të punës për strukturat e rendit në vend. Një prej këtyre rasteve, veç asaj të uniformës, ka qenë premtimi për t'i dhuruar pajisje kompjuterike policisë së Tiranës. Ndërkaq precedentët e mashtrimeve të Indrit Aliut shkojnë më tej me paraqitjen e tij në emisionet televizive dhe në ndihmën e premtuar, por të pambajtur kurrë për OJF-të e ndryshme në vend. Më 19 shkurt në një konferencë të përbashkët për shtyp me Unionin e Gazetarëve ai ka premtuar dhurimin e disa kompjuterëve. Indrit Aliu, kishte kontaktuar me ta rreth një muaj më parë gjatë një konference të zhvilluar në hotelin "Sheraton". Biznesmeni ishte prezantuar me ta dhe u kishte thënë se fondacioni, që ai drejtonte do i dhuronte disa kompjuterë Unionit të Gazetarëve. Pas kësaj ditën tjetër, përfaqësues të Unionit të Gazetarëve dhe Aliu kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp. Pas kësaj biznesmeni ishte zhdukur pa lënë gjurmë, duke mos mbajtur premtimin e dhënë me vullnetin e tij. Ndërkaq, përfaqësues të emisionit "Më shumë dashuri" në televizionin "Klan" janë shprehur se Indrit Alliu ishte ofruar vullnetarisht në këtë emision, në edicionin e datës 14 shkurt dhe ka premtuar se do të ndihmonte financiarisht një person që kishte pësuar fatkeqësi. Gjatë emisionit biznesmeni ka marrë fjalën dhe ka premtuar se do të jepte një ndihmë të konsiderueshme financiare, duke sqaruar se një gjë e tillë ishte e lehtë të bëhej nisur nga bizneset e mëdha të tij. Por ndryshe nga kjo, që nga momenti i emisionit ai nuk është kujtuar asnjëherë duke mos dërguar pranë "Tv Klan" as shumën e premtuar dhe asnjë ndihmë tjetër. Sipas përfaqësuesve të këtij emisioni, Aliu ishte ofruar vullnetarisht dhe ishte treguar i gatshëm për të financuar në këtë emision ndihmën për një nga rastet e bëra publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›