E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fëmijët e ngujuar”, Barka gjykim veçmas

08/10/2009  Katër të akuzuar për shpërdorim detyre në këtë qendër. Ndarja, për të shkurtuar procesin

POLICAN - Pas disa seancave të dështuara për mungesë të palëve, çështja e shpërdorimit të fondeve në Qendrën e Fëmijëve të Ngujuar në qytetin e Poliçanit ku janë në gjykim ish-ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, dhe tre të akuzuar të tjerë dje ka zhvilluar seancën e radhës pranë gjykatës së rrethit gjyqësor në Berat. Ndër katër të akuzuarit e kësaj çështje i vetmi që ka preferuar të paraqitet në seancë ka qenë Ali Aushani, ish- kryetari i bordit drejtues pranë qendrës, i cili është paraqitur së bashku me avokatin e tij, ndërsa tre të akuzuarit e tjerë përfshi dhe ish-ministrin Kosta Barka janë paraqitur vetëm nëpërmjet avokatëve të tyre.

Vendimi

Seanca e radhës e kësaj çështjeje nisi rreth orës 10:00 ku trupi gjykues i përbërë nga treshja gjykuese Agron Vavla, Berninda Kondi dhe Nazmi Troka morën në shqyrtim kërkesën e bërë nga avokati i ish-ministrit Barka, që ky i fundit të gjykohet veç të akuzuarve të tjerë. Duke qenë që dosja e kësaj çështje është shumë voluminoze për vetë faktin se ka katër të akuzuar pala mbrojtëse e ish-ministrit kërkoi që Barka të gjykohet veç të akuzuarve të tjerë për të shkurtuar kështu kohën e gjykimit. Treshja gjykuese vendosi gjykimin e Barkës veç të akuzuarve të tjerë, gjë e cila tashmë do të kërkojë hedhjen e shortit për vendosjen e një tjetër trupi gjykues, çka do të zhvillohet në ditët në vijim. Me kaq përfundoi dhe seanca e radhës e çështjes së shpërdorimit të fondeve në qendrën e Fëmijëve të Ngujuar në qytetin e Poliçanit. Në gjykim për “shpërdorim detyre” janë ish-ministri Kosta Barka, i cili miratoi dhënien e fondeve qendrës nëpërmjet një shoqate të palicencuar, ish-përgjegjësja e saj, Liljana Luani, ish-llogaritari i saj, Demir Ysenbelliu dhe kryetari i bordit drejtues Ali Ajlushani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›