E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e PS Banorët e rrethinave më këmbë drejt sheshit

08/10/2009  Kryetari i PS i shqetësuar për pjesëmarrjen në protestën e së shtunës

Strukturat kanë marrë urdhra të prerë të sjellin njerëzit në manifestim

Pjesëmarrja në protestën e së shtunës duket se është shqetësimi dhe synimi kryesor i lidershipit socialist. Duke e konsideruar si një mjet përmes të cilit kërkohet të ushtrohet presion për plotësimin e kërkesës së saj për transparencë të procesit zgjedhor për zgjedhjet e 28 qershorit, kupola rozë ka i përqendruar të gjitha përgatitjet e saj pikërisht te pjesëmarrja. Për këtë arsye që prej marrjes së vendimit për thirrjen e një proteste të tillë strukturat socialiste kanë nisur kontaktet e drejtpërdrejta jo vetëm me anëtarësinë, por dhe me mbështetësit e Partisë Socialiste.

Përgatitjet

Kupola rozë prej ditësh ka nisur përgatitjet për manifestimin e 10 tetorit, duke zgjedhur si hap të parë sensibilizimin e bazës për një nismë të tillë, me qëllim tërheqjen e një numri sa më të madh protestuesish në sheshin para Kryeministrisë. Kjo për vetë faktin se kjo protestë dhe pjesëmarrja në të shihen nga drejtuesit socialistë si një faktor ku i tregohet forca mazhorancës qeverisëse. Për më tepër që qëllimi për të cilin thirret kjo protestë dikton prezencën e një numri sa më të madh në shesh. Kështu, burime pranë selisë rozë bënë me dije se menjëherë pas marrjes së vendimit për organizimin e protestës së parë për hapjen e kutive të votimit të shtunën e javës që vjen në kryeqytet, strukturat drejtuese në rrethe janë urdhëruar ndërmarrjen e takimeve me anëtarësinë dhe mbështetësit e PS-së për të bërë me dije lidhur me një vendim të tillë. Organizatorët e kësaj proteste kanë ideuar që dhe kësaj radhe të rezervojnë risi në përgatitjen e manifestimit. Në këtë mënyrë, pritet që banorët kryeqytetas që do të jenë pjesë e kësaj proteste, por që vijnë nga rrethinat e Tiranës, të jenë të organizuar në atë mënyrë që të bashkuar në grupe të mëdha të rrugëtojnë më këmbë deri në shesh, duke krijuar një atmosferë ndryshe nga herët e tjera. Por në të njëjtën kohë dhe duke krijuar një lloj sensibilizimi dhe për pjesën tjetër të qytetarëve, të cilët nuk kanë zgjedhur të mbështesin një protestë të tillë. Ndërkohë protestat e paralajmëruara nga PS-ja, pas organizimit në Tiranë, priten të shtrihen dhe në rrethe të tjera, duke shtuar kësisoj presionin ndaj mazhorancës qeverisëse. Kjo për vetë faktin se është pikërisht hetimi parlamentar për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit një nga kushtet kryesore që socialistët duan të realizojnë e më pas të jenë pjesë e Kuvendit.

Protesta

Gjatë përgatitjeve për manifestimin pasditen e së shtunës përfaqësuesit socialistë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në të dhe të anëtarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kështu, ajo pjesë e anëtarësisë së LSI-së që ka qenë kundër bashkëpunimit mes kësaj partie dhe demokratëve ka dhënë sinjale të qarta për selinë rozë se jo vetëm është në mbështetje të bojkotit që PS-ja ka ndërmarrë ndaj Kuvendit, por dhe do të jetë përkrah mbështetësve të saj në protestën e së shtunës dhe të atyre që do të vijojnë më tej. Ndërkohë pritet që strukturat drejtuese në rrethe të sigurojnë transportin për qytetarët që do të vijnë në kryeqytet për të qenë pjesë e protestës.

Kreu socialist zbardh një tjetër qëndrim të PS-së

Rama: Do të bojkotojmë zgjedhjet e 15 nëntorit

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ndalur në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit gjatë një interviste televizive, deklaroi se “ende nuk ka një vendim për këtë, por besoj se logjika e gjërave na çon drejt një vendimi që nuk ma ha mendja se ka shumë vend për diskutim”. Ndërkohë më tej Rama argumentoi qëndrimet dhe vendimet e PS-së.

- Partia Socialiste ditën e shtunë nis protestën. Pse u zgjodh kjo formë?

- 28 qershori ishte një ditë që duhej të ndërronte faqen e historisë. Populli shqiptar votoi për ta ndërruar faqen e historisë, por, për fat të keq të vendit dhe të njerëzve, historia u përsërit dhe jo vetëm nga kutia e votimit nuk doli rezultati i vullnetit të popullit, por ne patëm një palë zgjedhje jashtë standardeve pas një procesi historik ku u bë anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe ku i dhamë jetë një konsensusi për reforma, që duhej ta çlironin Shqipërinë nga zgjedha e zgjedhjeve të deformuara, të manipuluara, të kontestuara. Në këto kushte, ne kërkuam në bazë të ligjit garancinë fundore, që me ligj garantonte mbrojtjen e çdo vote: hapjen e kutive. Kutitë nuk u hapën. Ne vendosëm të mos hyjmë në Parlament. Ne vendosëm që këtij parlamenti të lindur nga një proces i deformuar, si një produkt pa legjitimitet të plotë, ti qëndrojmë si një forcë e vetëdijshme për misionin e saj, që është në radhë të parë mbrojtja e lirive dhe të drejtave kushtetuese në një vend evropian, në një vend që është anëtar i NATO-s, në një vend që po troket në BE dhe vendosëm një sërë kushtesh, që nuk janë kushtet e një pale për një palë tjetër, që nuk kanë të bëjnë me interesat e një pale në dëm të një pale tjetër, por janë kushte të domosdoshme për të bërë transparencën e një procesi kaq shumë të deformuar dhe të kontestuar dhe për të kthyer normalitetin. Ne nuk kërkojmë ndryshimin e pushtetit në tavolinë, aq më pak nuk synojmë që nga hapja e kutive mandatet e dhëna përmes një procedure legale të ndryshojnë destinacion, por ne kemi detyrimin historik që ti japim fund një historie zgjedhjesh të papranueshme dhe të bëjmë transparencën e zgjedhjeve të shkuara për të mos lejuar që zgjedhjet që vijnë dhe ato pas tyre, por dhe të tjerat akoma të jenë njësoj si këto dhe për të mos lejuar që projekti i patolerueshëm i Sali Berishës së bashku me Ilir Metën, Fatos Nanon e kompaninë e tyre për hir të oborreve të tyre familjare e klanore ta kthejnë Shqipërinë në një skemë të mbyllur, ku, pavarësisht se si voton populli, është pushteti që në fund numëron dhe fiton.

- Ju kërkoni hapjen e kutive, ndërkohë që në emër të Kodit po përgatitet asgjësimi i fletëve të votimit. Çfarë apeli keni për kreun e qeverisë Sali Berisha?

- Çështja e kutive është një çështje kaq qendrore e politikës dhe është e domosdoshme që Sali Berisha të kuptojë se do të jetë e keqja e tij dhe pa dyshim e atij ushtarit fanatik që ka në krye të KQZ-së, në rast se prek kutitë e votimit, të cilat janë objekti i prekshëm i të gjithë kërkesës sonë për transparencë mbi zgjedhjet. Ne nuk po kërkojmë ta kthejmë Parlamentin në një shkallë tjetër gjykimi, ne nuk presim dhe nuk synojmë që nga gjykimi i Parlamentit të ndryshojë automatikisht pushteti, por ne kërkojmë që Parlamenti të bëjë një ligj për të hapur kutitë, për të hetuar të gjithë mekanizmat që çuan në deformimin e 28 qershorit, duke bërë kështu transparencën para popullit të të gjithë asaj që ka në kuti e pastaj të gjitha pasojat janë nga njëra anë politike dhe nga ana tjetër janë të lidhura me domosdoshmërinë për të përmirësuar të gjitha hallkat e procesit zgjedhor, duke filluar nga vendosja në themele të tij të kushtit të transparencës. Të gjithë duhet ta dinë se nuk duhet të luajnë më me votat, nuk mund të luajnë më me materialet zgjedhore, nuk mund të luajnë më me procesverbalet, nuk mund të falsifikohen rezultatet duke i mbushur kutitë sipas qejfit, siç ka ndodhur në shumë anë të vendit dhe as duke firmosur procesverbale false përmes influencës së korrupsionin elektoral, sepse në fund të ditës kutitë hapen dhe të gjithë atyre që thonë se “ne premtuam mbrojtjen e votës dhe nuk e bëmë”, unë u them “jo”. Ne e bëmë gjithçka kishim në dorë ta bënim për mbrojtjen e votës dhe vendosëm një garanci fundore në ligj, që është që çdo kuti e kontestuar me kërkesën e një pakice absolute në KQZ hapet. Ajo që ka ndodhur është se Sali Berisha ka bërë grusht të mirëfilltë shteti, duke e shkelur ligjin zgjedhor, duke mos lejuar hapjen e kutive sipas ligjit, duke penguar transparencën, duke marrë peng kutitë bashkë me të vërtetën dhe duke kërkuar që ti sundojë shqiptarët përmes një pushteti që është i paligjshëm, në rast se ka lindur nga shkelja e ligjit dhe që sot ka një legjitimitet të cunguar për sa kohë ka akoma shans që ti hapë rrugë transparencës dhe kështu të fitojë atë legjitimitet që i takon.

- A do të merrni pjesë në zgjedhjet vendore të datës 15 nëntor?

- Ende nuk kemi marrë një vendim për këtë, por besoj se logjika e gjërave na çon drejt një vendimi që nuk ma ha mendja se ka shumë vend për diskutim.

Qendra e djathtë mbështet protestat e PS-së

“JO pjesëmarrës në manifestimin e së shtunës”

Krerët e katër partive të djathta politike, të cilat nuk janë pajuar me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare dhe kanë denoncuar kryeministrin Sali Berisha për manipulim të tyre, kanë deklaruar se mbështesin protestat e opozitës. Pas një takimi, zhvilluar ditën e djeshme, Nard Ndoka i Partisë Demokristiane, Dashamir Shehi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Spartak Ngjela i partisë “Ligj dhe Drejtësi” dhe Ylber Valteri i partisë “Bashkimi Demokrat” kanë dalë me një mendim, duke theksuar se me gjithë mbështetjen politike nuk do të marrin pjesë në protestën e organizuar nga Partia Socialiste ditën e shtunë. Megjithatë, ata nuk do të ndalojnë në asnjë mënyrë simpatizantët e forcave politike që drejtojnë që atë ditë të jenë në shesh përkrah opozitarëve të majtë. Në një deklaratë të shpërndarë për mediet pas takimit mbajtur në selinë e PDK-së theksohet se përfaqësuesit e katër partive politike të qendrës së djathtë mbështetën bojkotimin e Parlamentit nga deputetët e opozitës deri në plotësimin e kërkesave të drejta për hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave ne qarqet e kontestuara. Kreu i PDK-së Nard Ndoka ka kërkuar reflektim nga ana e mazhorancës, ndërsa Ngjela ka shprehur mbështetjen pa rezerva të bojkotit të PS-së.

PS lëshon paralajmërimin e radhës

Dade: Do të përshkallëzojmë luftën politike

Partia Socialiste lëshoi sërish deklarata kritike ndaj kryeministri Sali berisha. Deputetja socialiste Arta Dade gjatë një deklarate për shtyp u shpreh se “në vend që Sali Berisha të vazhdojë të bëjë thirrje të pasinqerta për bashkëpunim për reformën elektorale me Partinë Socialiste, duhet të përmbushë kushtet që opozita ka vendosur për pjesëmarrjen e saj në Parlament”. Sipas saj, strukturat e komanduara nga Sali Berisha shkelën nenin e rëndësishëm të Kodit Zgjedhor për rinumërim të votave në rastet kur kjo kërkohet nga dy anëtarë të KQZ-së. “Në mbrojtje të demokracisë, Partia Socialiste do të përshkallëzojë luftën e saj politike duke nisur me mitingun e datës 10 tetor, ku janë ftuar të marrin pjesë të gjithë qytetarët që gjykojnë se është cenuar themeli i demokracisë - zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Shqiptarët janë po aq dinjitozë sa të gjithë qytetarët e vendeve të tjera të NATO-s dhe BE-së dhe ky dinjitet manifestohet edhe në mbrojtjen e votës së lirë dhe denoncimit të një pushteti të dalë nga vjedhja dhe shtrembërimi i vullnetit të lirë të votuesve”, - deklaroi Dade. Njëkohësisht ajo garantoi se “PS-ja do të jetë gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë me BE, që Shqipëria të përfitojë liberalizimin e vizave, proces ky i vonuar nga mungesa e vullnetit politik të Sali Berishës, por edhe angazhimit të qeverisë së tij për përmbushjen e kushteve”.

Kreu i NATO-s, Anders Rasmisen, mesazh ministrit të Jashtëm Ilir Meta

Shqipëria kontribut në sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan

“I bindur se ky përkushtim do të vijë vetëm duke u forcuar”

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), Anders Fogh Rasmisen, i ka dërguar një mesazh urimi zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme Ilir Meta. Numri një i Aleancës, pjesë e të cilës është edhe vendi ynë, në mesazhin e tij vlerëson kontributin e Shqipërisë për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan si dhe në operacionet paqeruajtëse të NATO-s. “Shqipëria ka kontribuar për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan dhe në operacionet e NATO-s që para anëtarësimit të saj të plotë në Aleancë, kontribut që është dëshmi e qartë e zgjedhjes së rëndësishme të popullit shqiptar për tu bërë pjesë e komunitetit të kombeve demokratike të zonës së Atlantikut të Veriut në përpjekjet e tij për siguri”, - shkruan kreu i NATO-s. Në mesazhin drejtuar shefit të diplomacisë shqiptare Rasmisen shpreh bindjen se ky përkushtim do të vijë duke u forcuar, sidomos tani që Aleanca mbetet e përkushtuar ndaj Afganistanit dhe në të njëjtën kohë po kalon përmes një transformimi të rëndësishëm. Ai evidenton faktin se gjithë kjo punë lidhet me angazhimin e NATO-s. Gjithashtu numri një i Aleancës thekson se është i bindur se përkushtimi i Shqipërisë do të vijë duke u rritur. “Kjo punë përfshin edhe zhvillimin e një koncepti strategjik të ri deri në samitin e ardhshëm të NATO-s në vjeshtën e vitit 2010. Ky proces do të jetë një proces përfshirës politikëbërjeje, që do të përfshijë të gjithë aleatët, dhe jam i sigurt se Shqipëria do të marrë pjesë në detyrimet e caktuara”, - shkruan Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në mesazhin drejtuar ministrit të Jashtëm shqiptar. Rasmisen në këtë mesazh urimi, duke iu drejtuar ministrit Meta, shkruan se e mirëpret në selinë qendrore të Aleancës gjatë takimit të ardhshëm të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s.

Vizita

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta do të presë ditën e sotme homologun e tij autriak Michael Spindelegger. Gjatë bisedimeve dypalëshe pritet të bisedohet mbi bashkëpunimin mes dy vendeve, integrimin e vendit tonë në BE dhe mbështetjen austriake në këtë drejtim, si dhe për procesin e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. Po ashtu pritet të diskutohen edhe çështje të tjera.

Kreu i KQZ-së konfirmon asgjësimin e fletëve të votimit, nëse do të duhen kutitë

“Djegia e materialeve zgjedhore, KQZ-ja do të zbatojë vetëm ligjin”

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, deklaroi dje se do të zbatojë vetëm ligjin për fletët e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, duke konfirmuar djegien e tyre, në rast se do të duhen kutitë për zgjedhjet e afërta vendore. Numri një i KQZ-së në përgjigje të interesit të gazetarëve shpjegoi se procedurat që do të ndiqen nga Komisioni do të jenë në respektim të ligjit dhe jo mbi bazën e deklaratave politike të cilitdo krahu qofshin, aq më tepër të politikës së ditës. “Kodi Zgjedhor parashikon që, pasi përfundojnë zgjedhjet, KQZ-ja hap kutitë e votimit dhe materialet që duhen dërgohen në Arkivin e Shtetit, ndërsa ato që nuk duhen asgjësohen. Ky është përcaktimi, që është një përcaktim pa afat, por që në këtë rrugë veprohet menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve,- sqaroi Ristani. - Por, - vijoi ai, - ajo që na dikton për të vepruar në këtë rrugë janë dhe nevojat, pasi, nëse do të na duhen kuti të lira për të zhvilluar zgjedhjet e 15 nëntorit, sigurisht që do na duhet ti boshatisim dhe ti bëjmë gati për këtë proces. Megjithatë, ne do të vlerësojmë nevojat dhe, nëse do të na duhen, do të zbatojmë ligjin, që është një ligj i miratuar me konsensusin e plotë të të gjitha palëve dhe ligji nuk mund të zbatohet çapraz, një herë majtas e një herë djathtas”, - nënvizoi ai.

Letra e PS-së

“KQZ-ja të mos veprojë për asgjësimin e fletëve të votimit që ndodhen në kutitë e votimit të përdorura në këto zgjedhje, pasi çdo përpjekje e nxituar në këtë drejtim do të përbënte një veprim të motivuar politikisht dhe me pasoja serioze për vendin.

KQZ-ja tu mundësojë akses përfaqësuesve të PS-së për të vëzhguar nga afër dhe në mënyrë periodike ambientet ku ruhen kutitë e votimit.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›