E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët e policëve të vrarë: Gjeni autorët e na shkolloni

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Fëmijët e policëve të vrarë në krye të detyrës shfrytëzuan veprimtarinë e dje-shme festive organizuar në Lezhë, për t'i kërkuar shtetit zbulimin e autorëve që vranë baballarët e tyre. Në takimin ku merrnin pjesë zonja Liri Berisha, zv.ministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, drejtori i policisë së Lezhës, Mërgim Hoxha etj., fëmijët e mbetur jetimë kërkuan vëmendje më të madhe karshi tyre. Ata theksuan se nuk kanë mundësi të shkollohen më shumë se 9 vite klasë, për shkak të gjendjes së mjeruar në të cilën ndodhen. Gjovalin Mustafa nga fshati Fushëkuqe i Kurbinit u vra 12 vite më parë. Ai la gruan me 6 jetimë. Vajza e madhe e tij Jetmira Mustafa, tashmë 20 vjeçe, i kërkoi ndihmë kreut të Policisë së Shtetit dhe zv.ministrit të Brendshëm për zbardhjen e vrasjes së babait të saj. "Vrasja e babait na la jetimë në mes të katër rrugëve. Nuk kemi mundësi as për t'u shkolluar. Doja edhe unë të vijoja shkollën e mesme si shoqet e mia, por nuk kam pasur të ardhura. Nga pushteti vendor nuk kemi gjetur përkrahje. Jetojmë vetëm me pensionin e babait të vrarë", u shpreh vajza 20 vjeçe dje para drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit. Por deklarata e saj vazhdoi edhe më tej, duke i kërkuar krerëve të policisë zbardhjen e ngjarjes së ndodhur prej më shumë se një dekade. "Ajo që më shqetëson më shumë dhe e kemi brengë në familje është misteri i vrasjes së babait tim. As sot nuk dihen autorët. Askush nuk ka ardhur për të na treguar nëse është arrestuar njeri për vrasjen e babait. Përderisa babai im ka rënë në krye të detyrës dhe i ka shërbyer këtij shteti, ne kërkojmë që të zbardhet vrasja. Jemi të bindur që nëse shteti e ka këtë dëshirë, atëherë vrasësi një ditë do të zbulohet", u shpreh Jetmira Mustafa, duke ritheksuar në fund edhe një herë kërkesën ndaj Prençit e Strazimirit të ndihmojë atë, motrat dhe vëllain e saj të shkollohen. Gjatë ceremonisë së djeshme, policia e Lezhës në bashkëpunim me bizneset e qarkut iu shpërndau familjeve të 16 punonjësve të policëve të vrarë në krye të detyrës 20 mijë lekë të reja. Ndërsa zonja Liri Berisha, si kryetare e fondacionit "Për fëmijët e Shqipërisë", shpërndau disa dhurata me rastin e festave të fundvitit për 41 fëmijët e policëve të vrarë. Kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, shprehu mirënjohje, nderim e respekt për fëmijët dhe familjarët e policëve të rënë në krye të detyrës, duke i garantuar mbështetjen e Qeverisë dhe Policisë për të qenë pranë tyre, për të zgjidhur hallet e shqetësimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›