E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi propozon Kadarenë për çmimin “Nobel”

 

ALMA MILE

Presidenti Topi propozon zyrtarisht shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, për çmimin “Nobel” në letërsi për vitin 2009. Vite më parë, një zyrtar i shtetit shqiptar, një diplomat, i shkroi Akademisë Suedeze kundër marrjes së “Nobel”-it nga ana e Kadaresë, ndërsa tani është kreu i shtetit, që tenton ta vërë në vend këtë padrejtësi bërë ndaj shkrimtarit, por dhe vendit që ai përfaqëson. Pasi është konsultuar me anëtarë të Akademisë së Shkencave shqiptare, me rrethe të ndryshme intelektualësh, botuesish, kritikësh letrarë dhe personalitete të spikatura të artit e të kulturës, shqiptarë dhe të huaj, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi, i ka dërguar një letër Akademisë së çmimit “Nobel”, në përkrahje të kandidaturës së shkrimtarit të madh, Ismail Kadare për marrjen e këtij çmimi në vitin që vjen. Sipas presidentit Topi, Kadare e meriton ta marrë këtë çmim, për vlerat humaniste dhe emancipuese që përçon vepra e tij.
Në letrën dërguar Akademisë së Çmimit “Nobel”, Presidenti i Republikës shkruan:
“Kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, t’i drejtohem Akademisë suaj të nderuar, duke ju propozuar shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, për çmimin “Nobel” në letërsi për vitin 2009. Këtë akt po e ndërmarr, sepse vepra e Ismail Kadaresë është monumentale për nga vlera artistike, si dhe mbart e përcjell mesazhe humaniste e universale ndaj gjithë njerëzimit.
Shqiptarët vuajtën njërën prej diktaturave më të egra, që njerëzimi ka njohur në shekullin e 20-të, ku izolimi total ishte një nga tiparet dalluese të saj. Në këtë sistem të mbyllur, shkrimtari i madh Ismail Kadare shkroi një letërsi me frymë evropiane, të lirë dhe emancipuese për artin e kulturën shqiptare, kur kjo ishte gjëja më e vështirë në një shtet komunist të bunkerizuar. Si për shumë shkrimtarë të mëdhenj, nuk kanë munguar insinuatat e pabazuara. Shteti ynë demokratik e njeh mirë këtë shkrimtar, i cili ka një integritet të lartë moral. Është ky shtet demokratik, i cili menjëherë pas rrëzimit të komunizmit, i dha Kadaresë titullin më të lartë moral “Nderi i Kombit”. Ndryshimet demokratike në vendin tonë, ndërtimi i demokracisë dhe integrimi në Evropë, zënë fill edhe tek vepra e Ismail Kadaresë, i cili mbështeti me kurajë lirinë kundër tiranisë, humanizmin kundër dhunës. Vepra dhe zëri i Kadaresë janë padyshim, pasuria më e madhe intelektuale, artistike e morale në botën shqiptare, dhe përbëjnë gjithashtu vlera të çmuara të trashëgimisë shpirtërore e kulturore botërore.
Për gjithçka që përfaqëson Ismail Kadare dhe vepra e tij, jam i mendimit se meriton të nderohet me çmimin e lartë “Nobel” prej Akademisë suaj”.

Letra e diplomatit

Prej disa vitesh emri i shkrimtarit Ismail Kadare qarkullon në qarqet e Akademisë suedeze, për marrjen e çmimit “Nobel” në Letërsi, pa mundur ta marrë atë. Vetëm pak kohë më parë, fillimisht në Gjirokastër e më tej në të tjera intervista, Kadare tregoi për herë të parë, se arsyeja pse ai nuk e ka marrë çmimin deri më sot, ka qenë letra e një diplomati shqiptar, dërguar Akademisë së “Nobelit”. Në të, ai shprehej kundër marrjes së këtij çmimi nga Kadare, pasi sipas tij, shkrimtari i ka shërbyer sistemit që ishte në fuqi për 45 vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›