Ruggeri, me 5 biçikleta nga perëndimi
Dy këngëtarë, një nga lindja e tjetri nga perëndimi, këndojnë në gjuhët e njëri-tjetrit. Dueti Lila-Ruggeri ka qenë një nga surprizat e natës finale të Festivalit të 47-të në RTSH. Një nga këngëtarët më të njohur italianë, i shquar për karakterin e tij të veçantë, rebel, me një luk gjithnjë të ndryshëm,(dikur me flokë të gjatë e sot pa to fare), një drejtues televiziv gjithashtu, Enrico Ruggeri u bë pjesë e festivalit të këngës shqiptare. Jo vetëm ardhja e tij pa shumë bujë në Tiranë, por edhe performanca që ai ofroi në skenë, ishte një surprizë. E shoqëruar nga Elsa Lila, të cilën dikur e kishte bërë të qante pas kuintash me këngën e tij, Ruggeri këndoi në shqip e italisht kolonën zanore të filmit me regji të Gjergj Xhuvanit “Lindje, Perëndim, Lindje”, të kompozuar nga vetë ai, “Fluturimi i fundit”. Një gjetje tërësisht origjinale dhe emocionuese, e cila u shoqërua edhe me sekuenca nga filmi i Xhuvanit, i cili ende nuk është shfaqur për publikun. Historia e pesë çiklistëve, që shkojnë kundër rrymës, që kërkojnë të kthehen në atdhe, erdhi përmes dy zërave me ngjyra krejt të ndryshme, por tepër të harmonizuar. E gjitha, një premierë në llojin e vet. Ruggeri këndoi gjithashtu një nga këngët e tij të njohura, “Pranverë në Sarajevë”.