Vllaznia fiton sërish e shpallet kampione dimri
Java e 16-të e Kategorisë Superiore ishte tërësisht e Vllaznisë. Fitore në transfertë kundër Bylisit (1-2); kampione e dimrit e Superiores, +7 pikë diferencë ndaj Tiranës; Vioresin Sinani i vetëm në klasifikimin e golashënuesve me 8 gola, 1 më shumë se Migen Memelli e Sebino Plaku. Edhe një herë tjetër Agim Canaj dëshmoi se është në ndër trajnerët më të mirë të Shqipërisë, madje duke sfiduar në Ballsh një teknik kampion me Vllazninë, si shkodrani i mirënjohur Hysen Dedja. Edhe pse pjesa e parë prodhoi emocione në “Adush Muça”, fraksioni i dytë i shijoi golat. Vioresin Sinani, tri herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë (2-herë me Vllazninë e 1-herë me Tiranën) “vodhi” një gol në minutën e 47-të, për t’ia lënë radhën një ish-lojtari të Vllaznisë, futbollistit të Bylisit, Maringlen Kapaj, të përjetonte hidhur kënaqësinë e një goli, por në portën e tij pas vetëm pesë minutash. Minuta e 52-të dhe Vllaznia kryesoi 2-0. Ndeshja duket praktikisht e mbyllur, ndërkohë që lajmet nga Vlora, teksa Flamurtari udhëhiqte ndaj Tiranës, entuziazmuan jo vetëm bankinën e 9-herë kampioneve të Shqipërisë, por dhe presidentin Valter Fushaj, i cili pas fitimit të Kupës së Shqipërisë sezonin e kaluar, dëshiron të ketë në “muzeun” e sukseseve të tij dhe trofeun e kampionatit të 70-të. Goli i shënuar nga afrikani i Bylisit, Kabore Moussa, në minutën e 87-të vetëm sa shkurtoi diferencën e ndeshjes së mbyllur me fitoren e merituar të Vllaznisë. Kjo ishte dhe fitorja e 9-të e Vllaznisë në 15 ndeshje historike me Bylisin (4 fitore), ndërkohë që goli i Sinanit e autogoli i Kapajt, e çuan në 30-të numrin e golave të shkodranëve kundrejt 14 të Bylisit. Flamurtari me fitoren 2-0 kundër Tiranës në Vlorë riktheu në realitetin e hidhur 23-herë kampionët. Dy golat vendimtarë për formacionin e Edmond Liçaj – të vetmit trajner që ka mund të nxjerrë kampion Flamurtarin – u shënuan nga Mema (min. 61)dhe zëvendësuesi Rustemi (min. 90). Tirana e kërkoi me ngulm fitoren, madje trajneri Agustin Kola – ende pa përvojë në “Serinë A” shqiptare – kishte rreshtuar në vijën e parë goleadorin më të mirë bardheblu, Migen Memellin (shënoi pesë gola në Kupë kundër Lushnjës) dhe Daniel Xhafaj (dy gola kundër Apolonisë, një javë më parë). Kjo fitore e ngjiti Flamurtarin në vendin e shtatë me 23 pikë, ndërsa Tirana tani ndjen afër presionin e Dinamos (fitoi të dielën kundër Lushnjës) dhe Besës së vendit të katërt. Fitorja e sotme ishte e 30-të e Flamurtarit në 119 ndeshje historike me Tiranën (67 fitore). Trajneri Agustin Kola pas dy fitoreve në bankinën e bardhebluve shijoi edhe humbjen e parë. Tashmë, pas javës së 16-të bardheblutë e shohin veten shtatë pikë pas Vllanzisë kryesuese, kur në javën e shtatë ishin pesë pikë pas shkodranëve.