Gruaja divorcon agresorin, plagosi mjekun Agron Ylli
Bashkëshortja padit në gjykatë për divorc personin që plagosi mjekun Agron Ylli. Padia ndaj 35-vjeçarit Bujar Valisi është ngritur nga gruaja e tij Fëllënxa Valisi, e cila veç zgjidhjes së martesës kërkon edhe kujdestarinë mbi dy djemtë e tyre, njëri 11 dhe tjetri 7 vjeç. Fëllënxa Valisi pohon në padinë në ngarkim të bashkëshortit se martesa e tyre është bërë në vitin 1994 me ndërmjetësimin e një mblesëri. Sipas saj, marrëdhëniet në çift kanë qenë të mira, por me kalimin e disa viteve kanë nisur të përkeqësohen, ndërsa bashkëshorti ushtronte dhunë mbi të dhe më pas edhe mbi dy djemtë. Seanca e parë e procesit ishte parashikuar të zhvillohej më datë 18 dhjetor, por që nuk është zhvilluar pasi i padituri nuk kishte marrë njoftim pasi ndodhet i arrestuar. Burime nga gjykata pohojnë se ia kishin dërguar atij njoftimin në adresën e banesës, në fshatin Kashar të Tiranës. Po në të njëjtën adresë, ai kishte marrë njoftimin edhe për seancën përgatitore të procesit, në të cilën ka deklaruar se nuk është dakord me divorcin dhe se pretendimet e bashkëshortes duhet të rrëzoheshin pasi ishin të pavërteta. Sipas të paditurit, ai bënte jetë të rregullt familjare, ndërsa pohoi se divorci mund të ndikonte në rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Por arrestimi i 35-vjeçarit ka bërë që të dështojë seanca e parë në të cilën bashkëshortja do të paraqiste provat kundër tij. Tashmë pritet që thirrja e tij në proces të përsëritet, duke iu drejtuar Drejtorisë së Burgjeve për ta shoqëruar atë në gjykatë. 35-vjeçari Valisi plagosi mjekun endokrinolog dhe diabetolog Agron Ylli brenda klinikës së tij në zonën e "Shallvareve" në kryeqytet më datë 13 dhjetor. Fakti që Valisi ndodhej atje, ishte kërkesa për një raport mjekësor me të cilin do të plotësonte dokumentacion e nxjerrjes së bashkëshortes në Kemp. Pasi e ka sulmuar me fjalë fyese mjekun, Valisi e ka qëlluar atë me thikë duke i vënë në rrezik jetën, i cili shpëtoi falë ndërhyrjes kirurgjike. Ndërkohë burime policore pohuan se autori i plagosjes u prangos në flagrancë vetëm pak minuta më vonë, ndërsa kishte tentuar të largohej nga vendi i krimit. por ndërhyrja në kohë e policëve bëri që ai të binte në pranga dhe pastaj gjatë marrjes në pyetje të pranonte autorësinë në krim. Po kështu edhe në gjykatë, gjatë seancës së masës së sigurisë ai pranoi krimin, ndërsa pohoi se kishte vepruar në gjendje të dehur pasi më parë kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme pijesh alkoolike. Por edhe pas kësaj, gjykata duke vlerësuar rrezikshmërinë e tij të theksuar shoqërore vendosi ta linte në qeli deri në përfundim të hetimeve. fa.ma.