Fëmijët e zonës së goditur nga tërmeti përfundojnë në spital
DIBER - Netët e gjata jashtë, për shkak dëmeve që shkaktoi tërmeti në banesa kanë sjellë probleme shëndetësore për banorët e zonës dhe sidomos për fëmijët. Në spitalin e Bulqizës janë paraqitur në urgjencë rreth 40 fëmijë. Sipas mjekëve të vegjlit kanë shenja këputje, temperaturë dhe kollë të fortë. Ata kanë marrë ftohje pikërisht nga qëndrimi jashtë në natyre gjatë këtyre netëve, ftohje që po vijnë edhe për shkak se fshatrat e tyre ndodhen në zona me lagështirë të madhe, dhe temperaturat janë ulur ndjeshëm.
Banorët e Gjoricës dhe të Shupenzës kanë hezituar të futen në shtëpitë e rrënuara nga tërmeti për shkak të lëkundjeve të vazhdueshme të tokës, ndaj kanë sajuar çdo mundësi të rastit për të kaluar natën jashtë, që nga ngrehinat me plastmase, karrocat e kuajve ku janë sajuar si bujtina të vogla për fëmijët kryesisht dhe të moshuarit,por që tashmë janë shfaqur dhe probleme serioze shëndetësore. "Kam katër fëmijë", thotë një banor, "dy prej të cilëve në djep dhe që kanë tre netë që flenë jashtë në oborr". Ndërsa shtron pyetjen se si mundet që një fëmijë 6 muajsh të durojë këtë gjë.
Banorët shprehen se janë në kufijtë e fundit të rezistencës ndaj duan zgjidhje të shpejta, dhe jo thjeshtë llafe e premtime. Të pakënaqur nga zgjidhjet gjysmake apo disa të cilët nuk kanë përfituar asnjë ndihmë, shumë prej banorëve kanë protestuar para zyrave të pushtetit vendor. Janë 800 shtëpi të dëmtuara në Gjoricë nga 1300 gjithsej, dhe ata që janë dëmtuar janë më të varfrit e kësaj krahine, shumica pa punë e të ardhura të tjera,si dhe me shtëpi të ndërtuara me qerpiç pa asnjë mundësi strehimi tjetër,ndaj sipas tyre nuk janë 20 fletë çadre që mund t'ua zgjidhin këtë hall.
***********
TIRANË- Familjet që mbetën pa strehë pas tërmetit të rënë natën e së dielës në Gjoricë të Peshkopisë do të rregullohen sot në kampingjet që pritet të ngrihen deri në mesditë.
Për ngritjen e tre kampingjeve në tre komunat më të goditura nga tërmeti do të angazhohet sot brigada e Xhenios.
Lajmi është dhënë nga kreu i Emergjencave Civile, Alfred Olli, sipas të cilit sot do të marrë fund problemi i strehimit të banorëve.
"Numri i banesave të dëmtuara totalisht është shumë herë më i vogël nga sa u tha në fillim"- deklaroi ai gjatë një komunikimi me mediat. Sipas tij, aktualisht janë shpërndarë 120 rreth çadra, i kanë marrë banorët dhe i kanë vendosur në oborret e shtëpive.
Ndërkaq, edhe sot do të vijojë shpërndarja e ushqimeve me helikopterët e vënë në dispozicion.
Banorët gdhihen jashtë. Sizmiologët: Do vijojnë lëkundje të lehta
DIBËR- Banorët e zonës më të goditur nga tërmeti e kanë kaluar natën jashtë.
Shumë, sepse banesat i kanë të pasigurta për të banuar, ndërkohë të tjerë për shkak të frikës së përsëritjes së ndonjë tjetër lëkundjeje të fortë, si ajo e mbrëmjes të së dielës. Ndërkohë sizmiologët pranojnë se lëkundjet janë të mundshme të vijojnë edhe për disa ditë, por intensiteti i tyre do të jetë i ulët.
Banorët tregojnë se janë të frikësuar të rikthehen në shtëpitë e tyre, e për këtë kanë zgjedhur të flenë jashtë, nëpër makina, apo të mbuluar me batanije në oborret para banesave.
Ata bëjnë apel që shteti të shpejtojnë me ndihmat, pasi vetë nuk mund t'ia dalin dot.
Sipas specialistit Rrapo Ormeni, ky është një tërmet që i vijon lëkundjet deri sa të shuhen përfundimisht. "Duke marrë parasysh situatën e djeshme që lëkundjet më të mëdha arritën në 3.5 rihter, gjatë natës situata ka qenë më e qetë. Ne kemi regjistruar lëkundje me magnitudë 2-3.2 rihter, pra lëkundje me vlera të vogla. Lëkundja e fundit e regjistruar ka qenë në orën 07.09 me magnitudë 2.9 rihter"- thotë ai.
Sipas Ormenit, është normale që në këtë rast lëkundjet të vijojnë edhe ditët në vazhdim, pasi janë pasgoditje që shprehin çlirimin e energjisë së tërmetit deri sa ato të shuhen fare.
7 shtator
Reportazh/ Tërmeti, 15 sekondat që shkundën Dibrën
DIBËR - Kanë mjaftuar 15 sekonda të tërmetit 7,2 ballë me epiqendër në Gjoricë të Dibrës, që këtë fshat ta zgjojnë tërësisht nga gjumi dhe ta kthejnë në një vend të frikshëm për të jetuar normal tashmë.
Janë 15 sekonda hutimi, që kanë bërë që gjithë banorët e këtij fshati përkufi me Maqedoninë të dilnin menjëherë jashtë nga banesat e tyre. Banorët kanë nxjerrë më së pari fëmijët në djepa, ata që kanë patur fëmijë të vegjël, dhe kjo skenë tmerri vihej re dhe sot gjatë gjithë ditës nëpër oborre disa metra larg "hijes" së shtëpive të dëmtuara, pastaj sekush ka mundur të marrë disa batanije dhe mbulojë për të vegjlit, ndërsa më të mëdhenjtë e kanë bërë "gjumin" në këmbë, nëse mund të quhet gjumë.
Kryetari i komunës Shupenzë, Muis Llani, rrëfen se sapo dëgjova lëkundjet e forta në mesnatë, dola jashtë dhe për 3 minuta kam qenë afër disa shtëpive që dukeshin gjysëm të shembura. Ndihmuam banorët që të dalin nga shtëpitë, ndërsa njerëzit janë përfshirë në panik të jashtëzakonshëm.
Por Gjorica, mbetet dhe fshati më i goditur, i ndodhur 19 kilometra nga qendra e Dibrës, në vendin e quajtur Zalli i Drinit, pikërisht aty ku shënua dhe epiqendra e një tërmeti të tillë shkatërrues, tërmet i cili banorëve u solli në kujtesë tërmetin e shumë viteve më parë.
Fshati Gjoricë në të gdhirë dukej si i dalë nga një bombardim, me dhjetëra shtëpi të shkatërruara tërësisht e të tjera me dëmtime të shkallëve të ndryshme, gjë që vihej re lehtas gjithandej. Dëmtime të rënda kanë pësuar kryesisht ndërtesa të para '90-s, shtëpi të ngritura me qerpiç, prodhuar nga vetë banorët e atjeshëm pa mundësi ekonomike.
Janë dëmtuar kryesisht shtëpi dykatëshe me përbërës të tillë, ndërsa shtëpitë e ngritura me tulla apo gur, kanë mundur t'i rezistojnë këtij tërmeti të shkallës së lartë, më e shumta me dëmtime fare të lehta. Por varfëria e tejskajshme, ka bërë që banorët e atjeshëm të mos kenë pasur mundësi për shtëpi të reja, ndërsa tashmë nuk i kanë as ato me qerpiç. Por ata ndjehen të ruajtur nga Perëndia, që nuk kanë pasur viktima, pos tri rasteve të dëmtuar lehtas.
Por frika është e pranishme tek çdo banor i këtij fshati, që duket si i mpirë nga ajo që kanë përjetuar në pak sekonda. Xhelal Mera thotë se "frika e atij momenti është prezent tek të gjithë ne, por dhe lëkundjet e tjera që po vazhdojnë, na kallin frikën. Nuk e mbajmë mend një goditje të tillë tërmeti që në vitin 1967 këtu në Dibër, për fat arritëm të shpëtojmë fëmijët, pasi i nxorëm shpejt jashtë shtëpive".
Bajram Koci, një i moshuar po nga Gjorica, shprehet se "janë shumë tërmete që kam dëgjuar të na shkundin në këtë vend (zonë e shënuar për lëkundje sizmologjike), por ky është më i madhi dhe më i frikshmi për ne". Një banor tjetër ka numëruar që nga mesnata edhe 58 lëkundje deri afër orës 10.00 te ditës se sotme, ndërsa ashtu si dhe të tjerët i duket sikur i lëkunden këmbët herë pas here dhe jeton me veshët në krah, se mos papritur një tërmet tjetër mund t'ua rrafshojë fshatin.
Një grua, ka nxjerrë tre fëmijët jashtë nga shtëpia, dhe teksa i sheh të flenë në oborr tregon se "gjëja e parë që më shkoi në mendje sapo dëgjova lëkundjet ishte fëmija në djep, e mora dhe e nxora jashtë shtëpisë, pastaj dhe të tjerët dhe nënën e moshuar". Edhe Mehmet Leci në Gjoricë, me familjen prej katër anëtarësh thotë se e kanë kaluar natën jashtë. "Pasi nxora familjen time jashtë, shkova menjëherë të ndihmoja familjet e tjera", shprehet ai.
Flitet se janë mbi 1500 banorë që qëndrojnë jashtë banesave të shembura në Shupenzë, mbi 1200 të tjerë në Gjoricë, e po ashtu në shume fshatra të tjerë të Bulqizës dhe të Dibrës. Ata ndjehen të frikësuar nga goditjet që po vazhdojnë thuajse periodikisht ndërsa sizmologët kanë bërë thirrje që të mos ketë një frikë të tillë për përsëritje të asaj fuqie tërmeti si në mesnatë, por që do të ketë një shoqërim më goditje me shkallë gjithnjë në ulje, mbase për disa ditë apo javë, deri sa ato të shuhen plotësisht.
Prefekti Xhavit Seitaj, po stabilizojmë situatën
Zoti prefekt, jeni njohur në kohë me dëmet e shkaktuara nga tërmeti?
Po, për këtë kemi vepruar shpejt me komisionin përkatës të emergjencave, e për këtë janë ngritur njësitë e vlerësimeve paraprake në çdo fshat e komunë.
Si është bilanci i dëmtimeve?
Deri më tash na janë raportuar nga drejtuesit vendorë këto dëmtime, që ne i quajmë paraprake:
Për rrethin e Bulqizës:
Gjoricë, 64 shtëpi të pabanuara;
Shupenzë, 10 shtëpi ta pabanuara;
Fushë Bulqizë, 3 shtëpi tëpabanuara;
Ostren, 3 shtëpi të pabanuara dhe 2 shkolla të dëmtuara lehtë;
Zerqan, 9 shtëpi të pabanuara.
Për rrethin e Dibrës,
në Mqaellarë 70 shtëpi të pabanuara;
në Luzni 7 shtëpi të pabanuara dhe 2 kabina elektrike të dëmtuara;
Arrëz 3 shtëpi të pabanuara dhe 1 kabinë elektrike e dëmtuar;
Muhurr 9 shtëpi të pabanuara.
Për rrethin e Matit,
në fshatin Lis 1 shtëpi e pabanuar;
në Klos 3 shtëpi të pabanuara.
Duhet shënuar se shumica e këtyre shtëpive janë të ndërtuara me plisa balte (qerpiç), ndërsa shtëpitë e ndërtuara me lëndë tjetër ndërtimi kanë paraqitur rezistencë dhe më e shumta ka ndonjë plasje të vogël apo ndonjë oxhak të rënë,por me pak punë rikthehen në gjendjen që kanë qenë.
Ka pasur probleme me energjinë elektrike?
Në disa fshatra po, pasi u dëmtuan dhe kabina elektrike,por po punohet për të risjellë energji sa më shpejt.
Si do të bëhet vlerësimi përfundimtar?
Do të jetë komisioni me specialistë të mirëfilltë që do bëjnë vlerësim teknik të saktë dhe pas tyre pritet të ketë ndërhyrje siç dhe pohoj kryeministri Berisha që ishte në fshatrat e goditur nga tërmeti.
Si ndjehen banorët pas kësaj situate?
Ata po kalojnë momente ankthi, siç ngjet në katastrofa të tilla, dhe për këtë mijëra njerëz janë jashtë shtëpive të tyre, si tek ato që janë prishur por dhe të tjera, pasi lëkundjet vazhdojnë të jenë sërish aktive.
Janë sjellë ndihma për këtë situatë emergjente?
Po, për të përballuar situatën emergjente janë sjellë ndihmat e para, 86 çadra që po shihet të rajonizohet një vend i përshtatshëm, po ashtu disa ton ndihma ushqimore të cilat po merren në dorëzim nga drejtuesit vendorë për të bërë shpërndarje sipas nevojave më të ngutshme.
Berisha, porosi për vlerësime të sakta
I ardhur me helikopter, Kryeministri Berisha është ndalur pikërisht në epiqendrën e rënies së tërmetit 7,2 ballë të shkallës Rihter, fshatin Gjoricë, ku dhe është njohur me dëmet e shkaktuara si dhe ka parë nga afër dëmet në disa banesa, por ka vizituar dhe njerëzit që janë të detyruar të qëndrojnë në natyrë pasi u janë shembur thuajse tërësisht banesat dhe të tjerë që i frikësohen lëkundjeve të tjera.
Pasi është përshëndetur nga banorët e këtij fshati, Berisha, i shoqëruar nga deputeti i zonës Selami Xhepa, zv/ministri i Brendshëm Ferdinand Poni dhe Prefekti i Dibrës Xhafer Seitaj, ka marrë pjesë në një takim me shtabin e emergjencave civile të ngritur në shkallë prefekture, dhe ku kanë marrë pjesë të gjithë drejtuesit vendor të këtij qarku. Berisha kërkoj të njihej me gjendjen nga vetë drejtuesit vendor dhe të pranishëm të tjerë, duke e konsideruar si njohje me rezultate paraprake, ndërsa më pas do të jenë komisione të posaçme shtetërore që do të saktësojnë gjithçka në lidhje me pasuritë e paluejtshme.
"Mbrëmë e kam ndjek gjithë kohën përmes mediave këtë katastrofë, por që fatmirësisht nuk pati viktima. Ne jemi mësuar që të tilla katastrofa t'i kalojmë bashkërisht", ndaj kryeministri Berisha ka sugjeruar që shumë prej banorëve të mund të strehohen tek të afërmit në Tiranë apo të gjejnë shtëpi me qira, të cilat do ua paguajë qeveria, ndërsa po studiohet një vend për të ngritur një kamping me një sistem të nevojshëm urban shërbimesh, si ujë, energji elektrike etj. Berisha kërkoj vlerësim të saktë e të drejtë me ekspertë, ndërsa qeveria do të zhdukë çdo dëm të shkaktuar.
Nga ana tjetër përfaqësuesi i qeverisë, zv/minsitri i Brendshëm Ferdinand Poni, ka ndjekur nga afër që me rënien e tërmetit situatën e krijuar së bashku me Grupet e Shtabit të Përgjithshëm të Emergjencës. Sipas tij ka nisur shpërndarja e ndihma materiale, shumë prej të cilave u soll me helikopterë. Në takimet e shtabit janë vënë piketat për të drejtuar tërë operacionin e ndihmës dhe përballimit të kësaj situate, që nga shpërndarje e ndihmës tek njerëzit e prekur nga fatkeqësia natyrore, veshje, disa ton ushqime etj. Ndërkohë që janë vënë në gjendje gadishmërie policia, spitalet, ndërmarrja e rrugëve, shërbimi i elektrikut etj. Grupet e punës, sipas Pones, po reagojnë pozitivisht për të përballuar situatën e rëndë, kryesisht në komunat më të prekura Gjoricë dhe Shupenzë ku dhe është përqendruar ndihma më e madhe. I pyetur për dëmtimet në njerëz, Poni u shpreh për mediat se janë shënuar tri raste të lehta, të mjekuar në spital dhe më pas ata kanë shkuar tek të afërmit e tyre.
Zyrtarisht konfirmohet se dje në orën 23: 49 u regjistrua një tërmet i fortë me magnitudë 5.2 Shkalla Rihter, me epiqendër në koordinatat 41.51 veri dhe 20.50 lindje, koordinata këto që i përkasin zonës midis fshatrave Shupenzë dhe Gjoricë e Sipërm, të Qarkut të Dibrës. Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë në zonën veriore si dhe atë të qendrore të vendit, përfshi Tiranën.
Sipas qendrës sizmologjike tërmeti ka qenë me magnitudë 5.2 shkalla Rihter dhe
intensitet në epiqendër mbi 7 ballë. Të paktën 59 lëkundje me intensitet të vogël janë shënuar pas lëkundjes së parë që u regjistrua 19 km në juglindje të qytetit të Peshkopisë, në verilindje të vendit. Sipas Institutit Sizmiologjik, lëkundja e fundit është shënuar në orën 06.30 minuta të mëngjesit të sotëm në fshatin Gjoricë.
Lëkundje të forta janë ndjerë në qytete të tjera, Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Kavajë, Berat.