Fëmijët jetimë, kujdesi social dhe shoqëria
20 maji i çdo viti është një ditë e veçantë, me përmasa sociale, që na vë gjithnjë përpara përgjegjësisë me një grup social që padrejtësisht mban mbi supet e brishta përgjegjësinë e familjes, shoqërisë dhe kujdesit të shtetit. është dita e fëmijëve jetimë, e fëmijëve që për shkaqe biologjike apo sociale nuk kanë kushtet universal të rritjes së tyre në gjirin e ngrohtë të familjes, të këtij organizmi social të cilin nuk mund ta zëvendësojë asnjë strukturë tjetër e përkujdesit social rezidencial, ditor, komunitar. Familjen biologjike të fëmijës nuk ka asnjë institucion dhe shërbim alternative që mund ta kompensojë. E megjithatë, gjithnjë në çdo shoqëri ka një masë fëmijësh që e përjetojnë këtë situatë, që mbeten jetimë dhe kanë nevojë për kujdesin social të shtetit, shoqërisë dhe komunitetit social. Kjo është një plagë sociale, të cilën e ka edhe shoqëria shqiptare, e cila krahas modernizmit, ka pësuar një varg ndryshimesh që e kanë zgjeruar këtë plagë të shoqërisë dhe për të cilën na takon të gjithëve të mendojmë më shumë, për të mos qenë në “borxh social” me fëmijët jetimë. Qëndrimi dhe kujdesi për ta është kuintesenca e politikave sociale dhe e kujdesit institucional të të gjitha strukturave publike, lokale dhe komunitare të shërbimit social për fëmijët jetimë. Politika të reja moderne për fëmijët jetimë. Fëmijët jetimë në Shqipëri kanë një favor të veçantë. Qeveria shqiptare dhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, e kanë konsideruar kujdesin për fëmijët në përgjithësi dhe për fëmijët jetimë veçanërisht si “prioritet të prioriteteve”. Kjo deklaratë politike, që është kuintesenca e politikave sociale të qeverisë dhe kujdesit personal të z. Berisha, nuk ka mbetur thjesht në nivelin deklarativ, as thjesht një slogan elektoral.
Në të vërtetë kjo sfidë e programit është konvertuar në modernizimin e politikave sociale të kujdesit për fëmijët jetimë, në zgjerimin e rrjetit të përkujdesit institucional, në krijimin e formave moderne të shërbimit alternativ. Në mënyrë të pandërprerë, shteti ka udhëhequr tërë procesin e përmirësimit të dukshëm të kushteve të jetës për fëmijët jetimë që jetojnë nëpër institucionet e përkujdesit rezidencial, komunitar, apo ditor. Ndërkaq, janë zgjeruar mundësitë për të bërë realitet objektivin themelor që asnjë fëmijë të mos mbesë jetimë, por të jetë në gjirin e një familjeje, qoftë familje biologjike apo adoptive. Në politikat e përkujdesit për fëmijët jetimë ka një vendosje të drejtë të raporteve midis shërbimeve të “integrimit familjar” dhe “përkujdesit social” rezidencial. Prioriteti i politikave parandaluese dhe integruese mbi ato të përkujdesit rezidencial kanë dhënë frute të dukshme. Zgjerimi dhe konsolidimi i shërbimit të procesit ligjor të adoptimit, mbështetja e filozofisë së qeverisë shqiptare që jo të gjejmë “fëmijë për familjen pa fëmijë”, por të gjejmë “familje për fëmijën jetim”, e ka bërë procesin e birësimit për fëmijët që nuk kanë më lidhje me familjen biologjike, një proces natyral që zbut fenomenin e braktisjes dhe të trajtimit rezidencial në “shtëpitë e fëmijës” të fëmijëve.
#