Mbaronin gjimnazin brenda një viti, katër në pranga
Diploma false e gjimnazit të një studenti të Universitetit të Vlorës ka zbuluar një skandal në shkollën e mesme të fshatit Levan të Fierit.
Në këtë shkollë janë bërë regjistrime të nxënësve në vitin e katërt, pa mbaruar tre vitet e para. Dy javë hetime u janë dashur agjentëve të seksionit të luftës kundër krimit ekonomiko-financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier për të dokumentuar hetimin e nisur.
ArrestimetBurimet zyrtare të Policisë Fier bëjnë të ditur se mesnatën e së martës është vënë në pranga mësuesi i edukimit fizik të shkollës së mesme të Levanit dhe tre ish-nxënës që kanë përfituar dokumentet false. Ndërsa në gjendje të lirë po hetohen drejtoresha e shkollës, një student dhe një sekser. Të njëjtat burime pohojnë se arrestimet janë bërë në kuadër të operacionit të koduar “Diploma”, pas një pune dyjavore investiguese dhe operative që bëri të mundur dokumentimin ligjor të veprave penale: “falsifikim i dokumenteve shkollore”, “korrupsion pasiv”, “korrupsionit aktiv” dhe “shpërdorim detyre”. Këto vepra penale, sipas burimeve zyrtare të Policisë së Fierit, mësohet se i kanë kryer shtatë shtetas, katër nga të cilët janë arrestuar dhe për tre të tjerë paraditen e djeshme është vendosur hetimi në gjendje të lirë. Të ndaluarit janë: Asllan Hetemi 46 vjeç, lindur dhe banues në Fier, me profesion mësues, Renaldo Gashi 20 vjeç, lindur dhe banues në Fier, ish-nxënës, Eduart Kasaj 20 vjeç, banues në Patos, ish-nxënës i shkollës dhe Kreshnik Maloku 26 vjeç, lindur dhe banues në Fier, student. Ky i fundit është student në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës. Zëdhënësja e Policisë së Qarkut Fier, Valbona Meço, ka thënë për gazetën “Shqip” se “arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi nga muaji shtator 2009 deri në muajin janar 2010 ata kanë konsumuar veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve shkollore”, “korrupsionit pasiv”, “korrupsionit aktiv” parashikuar nga nenet 187, 259 dhe 244 të Kodit Penal”. Përveç katër të prangosurve të sipërcituar në hetim janë edhe tre shtetas të tjerë: Sanie Dulla, drejtoreshë e shkollës, Alban Kajolli 19 vjeç nga fshati Dërmënas i rrethit Fier, si dhe 20-vjeçari Petrit Gashi, nga qyteti i Fierit.
Këta shtetas, nëpërmjet përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, janë regjistruar si nxënës të vitit të katërt në shkollën e mesme në Levan të rrethit Fier. Ndërkaq, sipas policisë, drejtoresha Sanie Dulla ka bërë regjistrimin e këtyre nxënësve në shkollën e mesme të Levanit pa marrë konfirmimet nga shkollat përkatëse sipas kërkesës 56, pika “C” të dispozitave normative për arsimin parauniversitar. Nga veprimet hetimore janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 praktika të falsifikuara të regjistrimit të nxënësve në shkollën e mesme të Levanit, si dhe një palë dokumente automjeti të falsifikuara, të gjetura gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Asllan Hetemi.
SkemaBurime nga grupi i hetimit tregojnë edhe skemën e korrupsionit. Asllan Hetemi, mësues fizkulture në shkollën e mesme të Levanit, në bashkëpunim me shtetasin Kreshnik Maloku, u kanë marrë shtetasve Renaldo Gashi, Eduart Kasaj, Petrit Gashi dhe Alban Kajolli shumat nga 100 mijë deri në 120 mijë lekë për secilin, e më pas nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë bërë të mundur regjistrimin e tyre në vitin e katërt të shkollës së mesme në Levan, pa përfunduar vitet e tjera të shkollës së mesme.
#