E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hague krahason sërish Sirinë me Bosnjën

Sekretari i Jashtëm i Britanisë, William Hague, sërish e ka krahasuar konfliktin në Siri me atë të Bosnjës së viteve të 90-ta, derisa ka bërë thirrje për zgjidhje sa më të shpejtë.

"Kjo të kujton Bosnjën e 90-tave të hershme. Të gjitha përpjekjet tona janë duke shkuar në mbështetjen e një tranzicioni paqësor në Siri dhe drejt një zgjidhje paqësore, sepse çdo zgjidhje e dhunshme do të përfshijë në mënyrë të qartë shumë më shumë vdekje dhe vështirësi më të mëdha për popullin sirian,” ka thënë Hague në një konferencë për gazetarë në Islamabad.

Megjithatë, Hague shtoi se Londra zyrtare nuk përjashton asnjë opsion për të ndalur gjakderdhjen në Siri.

Ai i bëri thirrje Rusisë që të shfrytëzojë ndikimin që ka mbi presidentin e Sirisë, Baschar Al Assad dhe tërhoqi vërejtjen se ekziston rreziku që plani i Moskës, për të organizuar një konferencë ndërkombëtare, vetëm sa do t’i ofrojë më shumë kohë regjimit në Damask për të vrarë njerëz të pafajshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›