E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët, nën mbrojtje ligjore edhe nga prindërit



Brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti Shqipëria do të miratojë ligjin integral për të drejtat e fëmijëve. Ky ligj, i diskutuar shpeshherë nga Ministria e Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, pritet të parashikojë ndëshkime për çdo abuzim, përfshi këtu edhe dhunën psikologjike e fizike që mund të kryhet nga prindërit, bëjnë të ditur burime nga Ministria e Punës.

Drejtuesi i këtij institucioni, ministri Anastas Duro, bëri dje të ditur se ligji do të miratohet brenda muajit qershor, ndërkohë që detajet e këtij ligji do të detajohen gjatë ditëve në vijim. Por, burime brenda ministrisë, bëjnë të ditur se ligji parashikon një sërë masash për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, përfshi këtu të gjitha të drejtat e parashikuara në Konventën e OKB-së.

Ministri Duro deklaroi dje gjatë takimit me shefin e ri të UNICEF-it në Shqipëri, Detlef Palm, se detyrimet e Shqipërisë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve do të materializohen shumë shpejt. “Një nga rekomandimet e lëna për Shqipërinë në raportimin e fundit ishte plotësimi i kuadrit ligjor të brendshëm me një ligj integral për të drejtat e fëmijëve, proces që pritet të përfundojë me miratim e ligjit në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009”, – bëri të ditur zyra e shtypit e ministrisë, me anë të një komunikimi zyrtar.

Sipas saj, një nga detyrimet e qeverive që kanë ratifikuar Konventën Kuadër të OKB-së për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve është raportimi një herë në pesë vjet në Komitet për masat e marra për garantimin e të drejtave të njohura në Konventë dhe nivelin e përmbushjes së detyrimeve.

“Mbrojtja e fëmijëve dhe garantimi i drejtave të tyre mbetet prioritet i politikave të qeverisë”, - garantoi Duro. Duke u ndalur në punën që po bëhet për plotësimin e kuadrit të brendshëm ligjor për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, ministri i Punës falënderoi UNICEF-in për ndihmën e dhënë në procesin e hartimit të të parit ligj integral për të drejtat e fëmijëve, i cili në mënyrë të shprehur përcakton detyrat dhe detyrimet e çdo institucioni për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve në të gjitha fushat.

Ndërsa drejtuesi i ri i UNICEF-it, Detlef Palm, deklaroi se Ministria e Punës konsiderohet nga UNICEF-i si institucioni më i rëndësishëm që mbulon fushën e hartimit dhe zbatimit të politikave për mbrojtjen e fëmijëve dhe se ishte informuar nga paraardhësja Auer dhe stafi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara se në këto vite, bashkëpunimi mes dy strukturave ka qenë shumë i mirë dhe falë tij janë arritur të përmbushen shumë objektiva.

Ministri Duro e uroi zotin Palm për detyrën dhe e siguroi për vazhdimësinë dhe forcimin e bashkëpunimit, duke vënë në dukje se tashmë, shteti shqiptar ka ratifikuar dhe bërë pjesë të legjislacionit të brendshëm dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e fëmijëve. Ai tha se strukturat shtetërore po punojnë për krijimin e një baze ligjore dhe institucionale të plotë për garantimin e të këtyre të drejtave, si e drejta e jetës, arsimit, shërbimit shëndetësor, mbrojtjes nga format më të këqija të punës, mbrojtjes nga dhuna etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›