E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli vendos: Burg përjetë për Shpëtim Zizën



Burg përjetë për Shpëtim Zizën, i cilësuar si monstra që abuzoi seksualisht dhe më pas vrau një të mitur në Dibër. Ky ka qenë verdikti përfundimtar i togave të zeza të Apelit të Tiranës, të cilët pas një seance 1-orëshe vendosën të lënë në fuqi dënimin e dhënë nga kolegët e Shkallës së Parë në Gjykatën e Peshkopisë, për të pandehurin Shpëtim Ziza, i akuzuar për vrasjen dhe përdhunimin e 10-vjeçarit Bekim Çenga. Të njëjtën masë dënimi kërkoi dhe Prokuroria e Apelit, ndërsa avokati i 20-vjeçarit dha një tjetër version për ngjarjen e rëndë, për të cilën akuzohet klienti i tij. Avokati mbrojtës pretendoi para trupit gjykues se klienti i tij është i sëmurë mendor, por raporti i Mjekësisë Ligjore hedh poshtë këto deklarata. Ndërsa vetë Ziza, gjatë seancës deklaroi se “dua të përballem me Ermal Shurkun. Ai e ka vrarë fëmijën me doreza plastike. Mua më vuri pistoletën në kokë dhe më tha që ta pranoja krimin. Kisha frikë se mos më vriste ai ose shokët e tij, nëse nuk deklaroja siç më thanë”. Klientin e ka mbështetur edhe avokati i tij, i cili i ka kërkuar gjykatës që të kryheshin edhe disa ekspertiza ADN-je, për disa njolla gjaku që ishin gjetur tek viktima, pasi këto të fundit do të hidhnin dritë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pasi ka dëgjuar palët, trupi gjykues u tërhoq për vendim, duke lënë në fuqi dënimin “burgim të përjetshëm” për të pandehurin Ziza. Në seancën e djeshme, e pranishme ka qenë vetëm nëna e të pandehurit, Melita Ziza, e cila së bashku me të birin e akuzuar e priti shumë qetë vendimin e dhënë nga togat e zeza.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur një vit më parë, pas deklarimit nga familjarët e Çengës për zhdukjen e fëmijës së tyre 10-vjeçar, Bekimit. Policia e Peshkopisë nisi fillimisht hetimet për një rrëmbim të mundshëm, pas deklarimeve të Zizës, që e kishte takuar i fundit fëmijën. Kërkimet vijuan për katër ditë me radhë, derisa trupi i fëmijës është gjetur i pajetë në afërsi të shtëpisë ku jetonte, i konstatuar nga një kalimtar i rastit, pranë një përroi. Fëmija u rezultoi ekspertëve i përdhunuar më parë dhe më pas i mbytur me lidhësen e këpucëve. Trupi pa jetë i Bekim Çengës është gjetur pesë ditë pas zhdukjes nga familja. Kur është gjetur, ka qenë me trup të përmbysur, i masakruar, i dëmtuar në fytyrë, me shenja mbytjeje në qafë dhe i dhunuar seksualisht. Kjo ka qenë pamja e tmerrshme që kanë ndeshur hetuesit, kur kanë gjetur trupin e pajetë të fëmijës, që rezultonte i humbur. Ka qenë policia ajo që ka mundur të zbulojë kufomën në përroin e fshatit Tomin, rreth 200 metra larg nga pallati i fundit i lagjes “Kamen”, ku banon dhe familja e Ylli Çengës. Sipas prokurorit, në datën 24 tetor të vitit 2007, Ylli Çenga ka bërë një padi në komisarit për humbjen e djalit të tij, Bekim Çengës, ndërsa në datën 27 tetor të vitit 2007 është gjetur trupi i pajetë i tij. Prokurori shpjegoi se në datën 23 tetor viktima ka qenë duke u kthyer nga shkolla, kur është ndalur nga i pandehuri Shpëtim Ziza. Nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri i kishte kërkuar që të shkonte në banesën e tij dhe pasi të linte çantën e shkollës, të zbriste sërish poshtë dhe të luanin bashkë. Viktima është kthyer poshtë dhe ka takuar Zizën, me të cilin kishin shkuar pranë një ferre ku kishte strehën Ziza. Aty, sipas akuzës, i pandehuri i ka kërkuar që të kryenin marrëdhënie homoseksuale bashkë, por viktima nuk kishte pranuar. Nga hetimet ka rezultuar se Ziza e ka kapur me dhunë të miturin dhe më pas ka kryer me të marrëdhënie seksuale. 10-vjeçari, pas të bërtiturave, i ka kërkuar të pandehurit që ta linte. Prokurori shpjegoi se Ziza i ka kërkuar të miturit që të mos tregonte, por duke mos pasur besim te 10-vjeçari, Ziza kishte hequr lidhësen e këpucëve të tij dhe më pas të atleteve të Çengës, duke e mbytur. Nga ekspertiza mjeko-ligjore ka rezultuar se 10-vjeçari kishte vdekur nga asfiksia mekanike.

Ekspertiza

Togat e zeza vendosën shpalljen fajtor të të pandehurit Shpëtim Ziza, i akuzuari i vrasjes makabre të një 10-vjeçari. Sipas vendimit, Shpëtim Ziza akuzohet për vrasjen çnjerëzore të Bekim Çengës. Shenjat e dhunës në qafë dhe një lak prej fijesh ngjyrë bezhë, pak metër larg vendit ku u gjet fëmija, janë sipas ekspertëve, tregues të fortë që 10-vjeçari është mbytur. Fëmija, sipas ekspertëve që bënë këqyrjen e kufomës e më pas ekspertizën, mbante veshur të njëjtat rroba, me të cilat prindërit e kanë përshkruar, kur ai ishte larguar për herë të fundit nga shtëpia e gjyshit. “Në anën e djathtë të fytyrës, viheshin re shenja gërvishtjeje të thella, shumë të forta”, - janë shprehur ekspertët. Ekspertiza e kryer nga dy ekspertë të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, të ardhur enkas dhe me urgjencë për këtë ngjarje, kanë dalë në konkluzionin se fëmija ishte mbytur me litar në fyt. “Në këtë konkluzion është arritur, sepse janë gjetur shenja dhune në qafën e fëmijës”, - janë shprehur ekspertët. Sipas tyre, këtë përfundim e mbështet më së miri edhe fakti që 50 metra më lart, afër një bregoreje, në ca gëmusha janë gjetur një palë pantallona të vjetra, një litar i improvizuar me fije në ngjyrë bezhë, i cili rezulton të jetë përdorur për të mbytur fëmijën. Po në atë vend janë gjetur dhe njolla gjaku si dhe gjurmë, ku fëmija ka bërë përpjekje për të shpëtuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›