E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët që lindin me gjysmën e zemrës, ndërhyrjet edhe në QSUT

28/12/2010  Eagle Mobile dhe “Një botë për një zemër” dhurata për fëmijët e pediatrisë

Duke filluar nga viti ardhshëm, institucionet tona shëndetësore do të marrin përsipër realizimin e një sërë ndërhyrjesh të vështira kirurgjikale te fëmijët e vegjël që lindin apo kanë probleme të rënda në zemër. Lajmi është konfirmuar gjatë ditës së djeshme nga bluzat e bardha, gjatë aktivitetit të zhvilluar për fëmijët që kanë probleme në zemër e që gjenden të shtruar pranë repartit të pediatrisë. Kështu, krahas rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve të vegjël, do të shtohet dhe shumëllojshmëria e ndërhyrjeve, duke përfshirë këtu edhe ato më të vështirat, që deri më sot nuk janë realizuar asnjëherë në vendin tonë. “Për të rritur numrin e operacioneve, për të shtuar gamën e operacioneve dhe nga ndërhyrjet që ne pretendojmë të bëjmë janë ndërhyrjet te fëmijët që lindin me gjysmën e zemrës. Këto operacione realizohen kudo në botë me sukses dhe ne mendojmë që t’i realizojmë brenda vitit të ardhshëm”, është shprehur kardiokirurgu në QSUT, Altin Veshti. Sipas tij, përgjatë 2010-s në këtë shërbim janë kryer një numër i madh operacionesh të ndërlikuara, një pjesë e të cilave janë bërë për herë të parë. “Këtë vit ne kemi kryer 83 operacione shumë të rëndësishme, të cilat kanë filluar nga fëmijë 9 ditësh me peshë 2.3 kg”, shprehet Veshti. Ndërhyrjet e reja të realizuara nga ekipi i mjekëve kardiokirurgë kanë rezultuar të gjitha të suksesshme, duke bërë që fëmijët të shërohen plotësisht. Për 40 të shtruarit në këtë pavijon janë shpërndarë dhurata të shumta, duke u sjellë pranë të vegjëlve atmosferën festive që ka mbërthyer gjithë vendin. Ndarja e dhuratave është mundësuar në saje të bashkëpunimit ndërmjet kompanisë celulare “Eagle Mobile” dhe shoqatës “Një botë për një zemër”, ku drejtuesit e të dyja institucioneve kanë marrë pjesë në ndarjen e dhuratave dhe ëmbëlsirave për pacientët e shtruar. “Për ne është me mjaft rëndësi që në këto ditë të fundit të 2010-s jemi me fëmijët që kurohen. “Eagle Mobile” që në ditët e para është futur në shumë projekte të ndryshme sociale, dhe fokusi ynë kryesor kanë qenë fëmijët dhe edukimi i tyre. Ne si “Eagle Mobile” jemi këtu si një kompani shqiptare dhe po veprojmë si një kompani shqiptare. Jemi në qendrën më të madhe spitalore në Shqipëri dhe pikërisht në spitalin e fëmijëve, atyre që i duhen të ardhmes së vendit dhe që ne u japim shumë rëndësi”, ka pohuar drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin. Kurse drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku ka pohuar se iniciativa të tilla janë shumë të rëndësishme, pasi bëjnë që këta fëmijë të mos ndihen të vetmuar në këto ditë festash, kur të gjithë festojnë së bashku në familje. Fëmijët që morën dhurata i përkasin asaj kategorie që kanë kryer ndërhyrje të rralla kryesisht në zemër.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›