Fëmijët që lypin në Tiranë, merren nga rruga në mbrojtje tre fëmijë

Vijon aksioni për heqjen e fëmijëve nga rruga. Gjatë një aksioni Drejtoria e Shërbimeve Sociale në bashkëpunim me forcat e Policisë ka bërë të mundur heqjen nga rruga të tre fëmijëve rom, të cilët janë të njohur si kontigjent i disa vjedhjeve gjatë të cilave kanë përdorur edhe dhunë.
Drejtori i Shërbimeve Sociale të qarkut të Tiranës, Lulzim Konçi, u shpreh se këta fëmijë kanë qenë një problem shqetësues për komunitetin dhe pikërisht për këtë do të dërgohen në qendra rehabilitimi. 1 muaj pas nisjes së këtij projekti nga rrugët janë hequr 25 fëmijë.
Fëmijët që lypin mblidhen dhe dërgohen në qendra rehabilitimi, ose në disa raste u rikthehen familjeve të cilave i ofrohet ndihma përkatëse ekonomike. Vetëm në rastet emergjente, apo edhe kur rasti përsëritet, ndaj familjes ndiqen procedurat përkatëse ligjore, që mund të çojnë edhe drejt heqjes së të drejtës prindërore.