E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lekët për rrugë, jo në llogaritë e politikanëve”

Autori i Lajmit: red.
Investimet tregojnë mënyrën e shfrytëzimit të parave. Lekët nuk përfundojnë në konton e politikanëve. Kështu u është përgjigjur nga Spileja e Kavajës, kryeministri Sali Berisha akuzave të vazhdueshme të opozitës për mungesën e investimeve në infrastrukturë. Kryeministri mori pjesë në pwrurimin e fillimit të punimeve në rrugën e plazhit të Spilesë në rrethin e Kavajës në kuadër të turit Shqipëria po ndryshon . Në fjalën e tij me këtë rast, kreu i Qeverisë tha se përpjekjet për modernizimin e infrastrukturës turistike përbëjnë prioritetet kryesore të Qeverisë, e cila merr përsipër të përmirësojë asfaltimin e të gjitha rrugëve të zonave bregdetare, nga Velipoja në Sarandë. “Viti 2008 ka qenë viti më i madh turistik, ku numri i turistëve u dyfishua në krahasim me vitin 2005. Në këtë kontekst, përpjekjet për të modernizuar infrastrukturën turistike janë prioritet i qeverisë”, - theksoi ai. Berisha premtoi se asfaltimi i rrugëve do të bëhet realitet në të gjitha komunat e vendit, nga komunat e Dajtit, Bushatit, Lezhës, Kurbinit, Shijakut, Durrësit, Kavajës, Fierit, Vlorës, etj. Ai theksoi se në një kohë rekord do të asfaltohen rrugët që lidhin akset kombëtare me bregun e detit, duke i bërë një shërbim të madh kësaj zone, si zona kryesore bujqësore shqiptare. Me këtë riskenim të rrugëve, tha ai, i jepet ultësirës bregdetare jo vetëm një dalje e shpejtë në bregdet, por edhe në tregun vendas dhe të huaj. “Pak ditë më parë, një zëdhënës i politikës së re tha se shqiptarët po ofendohen me prerjen e shiritave. Por unë them se shqiptarët nuk ofendohen, por nderohen, nëse taksat e tyre shndërrohen në rrugë, shkolla, si dhe në rritjen e pensioneve dhe rrogave. Shqiptarët ofendohen nëse paratë e tyre përfundojnë në kontot bankare, ashtu si përfundonin 4 vjet më parë”, - theksoi Kryeministri. Ai
ripërsëriti edhe një herë rëndësinë që do t i kushtohet infrastrukturës rrugore në Shqipëri, duke rikujtuar se Qeveria ka akorduar një shifër prej 1.2 miliard dollarë, ose 8 herë më shumë në këtë drejtim. “Ne po i vjelim paratë, por nuk po fryjmë xhepat dhe as kontot bankare, por po shtrojmë rrugët, po ndërtojmë shkollat dhe po përmirësojmë jetën e qytetarëve të Shqipërisë, në mënyrën më transparente”, - pohoi ai.
Ky lajm është publikuar: 30/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›