E Diel, 1 Nëntor 2026

Verifikimi i titujve të pronësisë ndalon abuzimet

Autori i Lajmit: red.
Miratimi i ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë është konsideruar si një nga arritjet më të rëndësishme të dikasterit të Bujqësisë. Gjatë analizës 7-mujore ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, Jemin Gjana, pohoi se ligji i miratuar në korrik 2008 për verifikimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore është jo vetëm plotësimi i një boshllëku, por edhe angazhimi më serioz i qeverisë aktuale, angazhimi më i qartë i një qeverie në harkun kohor të 17 viteve gjatë të cilave është proceduar me ndarjen e tokës bujqësore. “Me këtë ligj ne vwmë në vend drejtësinë, për të luftuar korrupsionin dhe abuzimin në një proces dhe mbi një prej pronësive më të mëdha që kanë kaluar nga shteti tek privati. Ky ligj nuk prek asnjë princip bazë të ndarjes së tokës bujqësore përveçse merr përsipër të luftojë abuzimin dhe vjedhjen e titujve të pronësisë”, - shpegoi ai. Gjana pohoi më tej se në këto 7 muaj bujqësia dhe ushqimi u plotësua me disa prej ligjeve më të rëndësishme që përputhin standardet tona me ato të BE-së, ndërkohë që po zbatohen me sukses politikat e reja të qeverisë me skema të mbështetjes financiare për fermerin. Ministri Gjana vlerësoi ecurinë pozitive të rritjes së prodhimit bujqësor vendas dhe paraqiti objektivat primare të dikasterit që ai drejton për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori në drejtim të rritjes së konkurrueshmërisë dhe shtrirjes gjithë vjetore të prodhimeve bujqësore në tregjet e vendit. Deri tani, tha ai janë pajisur me kartela rreth 192 807 fermerë në gjithë vendin, duke u krijuar kështu atyre mundësinë që ta përfitojnë 6- përqindëshin shtesë të TVSH së rimbursueshme për çdo produkt të shitur në mënyrë të formalizuar. Kreu i Bujqësisë bëri një tablo të përmbledhur të arritjeve të ministrisë që drejton, të cilat konsistojnë në rritjen e investimeve në sistemet ujitëse dhe kanalizuese, ngritjen e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, përgatitjen për krijimin e Agjencisë së Pagesave, reformën rregullatore për të lehtësuar procedurat për licencimin e biznesit, etj.
Ky lajm është publikuar: 30/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›