E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: “Prioritet dosjet, Reforma Zgjedhore e ajo në Drejtësi

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Ligji për prokurorinë është një nga ligjet e rëndësishme të Reformës në Drejtësi dhe ne kemi gjithë angazhimin dhe prirjen për ta çuar këtë reformë deri në fund. Por sigurisht, kjo ka nevojë dhe për angazhimin e opozitës dhe kontributin e saj”

Prioritetet e mazhorancës qeverisëse për sesionin e ri parlamentar do të jenë projektligji për pastrimin e figurave apo siç njihet ndryshe ligji i spiunëve, Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi. Ky pohim është bërë dje nga kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Komentet e kreut të deputetëve demokratë u bënë menjëherë pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, e cila vendosi dhe nisjen e sesionit të ri parlamentar dhe miratimin e kalendarit trejavor të punimeve. Pas mbledhjes, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, bëri të ditur prioritetet për muajin shtator, duke shpresuar tek një bashkëpunim i ngushtë me opozitën. Patozi kërkoi bashkëpunim me opozitën për ligjin e Prokurorisë, i cili kërkon jo më pak se 84 vota të deputetëve, të cilat mazhoranca nuk i arrin dot, por ndryshe ndodh me ligjin e dosjeve, të cilin Patozi ka deklaruar se mund ta kalonin edhe pa votat e opozitës.
Deklarata
“Miratimi i ligjit “Për hapjen e dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit” dhe Kodi i ri Zgjedhor janë dy prioritetet e punës së Kuvendit me fillimin e sesionit kuvendor më 1 shtator”, - pohoi dje Patozi. Ai pohoi se shpreson që ligji i dosjeve të kalojë në Kuvend brenda dy javësh dhe me konsensusin e opozitës. Por, sipas tij, nëse pakica do të ketë një qëndrim refraktar, kjo nuk do të shërbejë për të mbyllur këtë çështje. “Unë nuk dua të besoj se opozita do tw jetë refraktare për ligjin që ne kemi paraqitur. Shpresoj në konsensus. Nëse jo, atëherë si gjithë parlamentet e botës dhe Parlamenti shqiptar do tw gjejë rrugën e tij, pra shumica do tw votojë”, - tha ai. Ndërsa, për sa i takon prioritetit tjetër, Kodit Zgjedhor, Patozi u shpreh se kjo është një punë në proces, e cila nuk ka ndalur edhe gjatë muajit gusht, por ai që do ta thotë fjalën e tij do të jetë Komisioni i Posaçëm, i cili do të nisë menjëherë axhendën e tij me miratimin e ligjit të ri zgjedhor. Por për parlamentarët shqiptarë ka dhe një tjetër prioritet për këtë sesion parlamentar: Reforma në Sistemin e Drejtësisë. Tashmë është dorëzuar në Kuvend projektligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë për administratën gjyqësore dhe pritet që pas ditës së hënë ai të fillojë të diskutohet në Komisionin e Ligjeve. Por në kuadër të kësaj reforma, ajo çka pritet të sjellë diskutime dhe debate të gjata mes palëve, është projektligji për prokurorinë. Sipas Patozit, ky projektligj është një nga më të rëndësishmit në kudër të Reformës në Drejtësi, prandaj mazhoranca ka gjithë angaxhimin e duhur për ta çuar atë para. Por, sipas tij, ky ligj kërkon 84 vota prandaj ai shpreson se do të arrihet konsensusi me opozitën, siç ndodhi për disa ligje të mëparshme. “Ky është një nga ligjet e rëndësishme të Reformës në Drejtësi dhe ne kemi gjithë angazhimin dhe prirjen për ta çuar këtë reformë deri në fund. Pra jo vetëm për ligjin e prokurorisë, por dhe ligje të tjera që vijnë më pas. Por, sigurisht, kjo ka nevojë dhe për angazhimin e opozitës dhe kontributin e saj. Ka ndryshim të madh mes dy çështjeve, ligjit të dosjeve dhe ligjit të prokurorisë. Ne kemi pasur mundësinë që disa prej reformave të mëdha, atë zgjedhore dhe në drejtësi, të gjenim numrin magjik 84 vota, po nuk e kemi kërkuar asnjëherë atë, pra në këto reforma ne kemi rënë dakord bashkarisht që t i miratojmë me konsensus dhe do tw vijojmë të kërkojmë konsensusin e opozitës”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 30/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›