Omer Stringa: PD gaboi në emërimin e njerëzve
Anëtari i kryesisë së PD-së deklaroi se PD gaboi në dhënien e posteve njerëzve më pak të kualifikuar
TIRANË- Pas tre vitesh qeverisjeje, anëtari i kryesisë së PD-së, Omer Stringa vlerëson se Partia Demokratike e ka luajtur shumë më mire rolin e saj në opozitë sesa tani në pushtet. Në një deklarim për mediat, Stringa ka deklaruar se Partia Demokratike gjatë këtyre tre viteve është shoqëruar me disa probleme të cilat, sipas tij, duhet të ishin përmirësuar me kohë. I pakënaqur edhe me përbërjen e kabinetit aktual qeveritar, Stringa ka theksuar se PD ka gabuar në dhënien e posteve njerëzve më pak të kualifikuar. “Me thënë të drejtën, partia jonë ka pasur një eksperiencë të madhe në opozitë dhe unë them që pothuajse e kemi bërë shumë mirë rolin e forcës politike në opozitë, ndërsa, përsa i përket rolit të partisë në mazhorancë ne kemi pasur mjaft probleme të cilat duhet të ishin rikuperuar me kohë. Shpesh ne kemi gabuar në dhënie postesh. Pra shpesh kemi dhënë poste me shumë sesa kanë kapacitet njerëzit. Ky është një problem, që në gjykimin tim nuk ka ecur mirë në partinë tonë”, - tha anëtari i kryesisë së PD-së, i cili aktualisht është edhe Dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Anëtari i kryesisë së PD-së, Stringa vë në dukje edhe një fenomen të njohur që ka shoqëruar qeverisjen aktuale këto tre vite, pikërisht krahasimin e punës së saj me kohen kur socialistët ishin në pushtet. Stringa shprehet se qeveria e drejtuar nga kryeministri Sali Berisha duhet të matet me kohën, duke sjellë si shembull pikërisht nivelin e rritjes ekonomike në vend. “Rritja 6 për qind ekonomike në vit është një rritje e kënaqshme. Por nëse ne do të pranonim këto rritje, gjykoj që në Komunitetin Evropian, pra në vendet më të varfra të komunitetit ne arrijmë 2025-2026. Është e detyrueshme që rritja ekonomike e Shqipërisë duhet të jetë jo më pak se 7 për qind, për të qenë rrotull viteve 2014-2015 në Komunitetin Evropian”, - tha më tej Stringa. Gjithashtu, ai lë të nënkuptohet se sigurimi i një mandati të dytë qeverisës do të ketë vështirësitë e veta në një kohë kur, sipas tij, strukturat duhet të ishin organizuar para një viti. Pak kohë më parë, anëtari i kryesisë së PD-së deklaroi se aktualisht kemi të bëjmë me një mazhorancë numerike, ku filozofia qeverisëse kishte humbur gjatë rrugës. Stringa ka kërkuar prej kohësh edhe një analizë të brendshme për këtë situatë, gjë që në fakt, në këto tre vite qeverisje të së djathtës nuk ka ndodhur në asnjë mbledhje, qoftë edhe formale të strukturave të Partisë Demokratike.