Femrat janë përgjegjëse për situatën e tyre
Nga Arbena Bakalli/ Studime pasuniversitare, Gjermani.
-Dje isha duke hyrë në një market të madh në periferi të kryeqytetit tonë. Hyrja kishte dy sete dyersh. Një djalë i ri rreth të 20-ve me mirësi hapi derën e parë për mua, dhe ndërsa unë shkova përpara hapa derën e dytë për të. Siç hyra në hollin e madh dhe plotë dritë një qytetar pranë meje tha (me zë të lartë) "Si është e mundur që ai djalë të mos e ketë hapur derën për ju?!" Unë iu përgjigja qytetarit, po ashtu me zë të lartë: "Unë jam një femër e rritur plotësisht, unë jam krejtësisht e aftë për hapjen e dyerve të mia!". Kushdo që arrin derën i pari mund ta mbajë atë hapur për të hyrë të tjerët që vinë pas, pavarësisht nga gjinia. E them sinqerisht, mbase unë jam ca si e fiksuar për këto gjëra. Sa herë që mua më rastis t’i hap derën një mashkulli, duket sikur para tij ngrihet një lloj pengese, e cila e detyron atë të ndalojë ecjen përpara dhe të hyjë në derën e hapur prej meje. Pas ndalimit vjen mërzitshëm dialogu ku ai këmbëngul, unë refuzoj, ai insiston, unë refuzoj përsëri. Përfundimisht njëri prej nesh jepet, dhe jeta vazhdon. Kjo pengesë, këmbëngulja e burrave për të mos pranuar që të kalojnë të parët, mesa unë kam kuptuar quhet, në publik, një gjest kalorësiak. Të gjitha gjestet që "priten” të bëhen nga burrat përkundrejt femrave, për shembull, si – mbajtja e dyerve hapur, apo dalja me nxitim nga vetura me qëllim për të hapur derën, ose tërheqja mbrapsht e karriges nga tavolina ku do të ulet dama, ose mospërmbajtja për të paguar kafenë apo drekën, ose mbajtja e palltos apo pardesysë për ta veshur, e të tjera të kësaj natyre për mendimin tim janë gjëra qesharake. Të qenit femër nuk do të thotë se nuk je qenie njerëzore. Përveç kësaj, ne vajzat, gratë nuk jemi fëmijë, dhe ne nuk duhet të kërkojmë apo të presim që të trajtohemi si të tillë. Deri këtu besoj se jemi dakord. Atëherë përse thuhet "zonjat të parat" kur është fjala për hapjen e dyerve, por nuk thuhet "zonjat të parat" kur është fjala për vlerësime, kualifikime akademike, arsimore, kulturore; kur është fjala për pagat, për vendet e punës, për mbrojtjen sociale etj., etj? Unë jam duke i bërë gratë përgjegjëse për pozitën e tyre, sepse janë vetë ato të cilat vazhdojnë me vetëdije ta përjetësojnë këtë praktikë të "kalorësisë”. Pse duhet që ne femrat ta quajmë një burrë "xhentëlmen" kur ai këmbëngul të paguajë kafen apo drekën; ose, kur ai prin që të hapë derën e hollit apo të veturës për ne, etj., dhe nuk e quajmë “xhentëlmen” në rastet kur ai nuk i bën të tilla gjeste kalorësiake? Kjo vjen pasi ne - idetë, mendimet, dëshirat tona - nuk i praktikojmë liriplota, siç ato na vinë e shkojnë në kohë të ndryshme, por kompleksohemi nga mentalitete, zakone, sjellje standarde tradicionale që lëvrinë ndyrësisht në hapësira të ndryshme politike, sociale, familjare, kulturore. Dhe, kjo është çështja përse unë ju nxis, ju vajza dhe gra, dhe ju kërkoj që të kuptoni se jemi ne ajo forcë e cila ka nevojë që të ndërmarrim aksione – t’i hapnim vetë dyert, t’i paguajmë vetë gjysmat e shpenzimeve në takim, dhe të mos ngurojmë që t’i kërkojmë një burri normal të vijë në takim për një kafe, për një drekë, për një bisedë çfarëdo. Ne nuk do të mund t’ia dalim mbanë veçse duke u lutur për barazi, apo duke protestuar për mosbarazi gjinore, dhe pastaj me hipokrizi të presim që të na ofrohet një trajtim galant nga shoqëria, komuniteti, kolegët, eprorët, bashkëshortët, të dashurit, shokët e miqtë. Problemi që unë shoh këtu, gjithmonë, është pritja. Në qoftë se nga një burrë pritet që ai të jetë me sjellje "kalorësiake", atëherë kjo e përjashton të gjithë aktin e sinqeritetit dhe të njerzillëkut. Do të doja që të shtoja një koment nga Rober Eckhartie, koment i cili në thelbin e vet pasqyron atë që ishte qëllimi i tërë kësaj bredhje nga ana ime: "Unë uroj që ideja e kalorësisë të mund të strukturohet natyrshëm brenda kuptimit mbi sjelljen. Më lini ta hap derën për ju pavarësisht nga gjinia. Nëse unë kërkoj të paguaj, më lejoni, dhe anasjelltas. Vështirësia qëndron tek ndryshimi".