Përdorimi i 21 janarit prej Edi Ramës, vijim i djallëzive të Enverit me viktimat
Ndër biografët e Enverit, që kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me të, kanë qenë Vedat Kokona, Beqir Ajazi, Hamit Kokalari, Mentor Çoku dhe Foto Bala. Dy të parët kanë shkruar për këto marrëdhënie. Dhe janë plotësisht të besueshëm, qoftë për seriozitetin e tyre si persona, qoftë për marrëdhënie në kushte tepër të afërta me E.H.-në. Vedati ka pas banuar në një dhomë me Enverin në Korçë, kur ishin studentë në Liceun francez të Korçës. Ajo që të bën përshtypje më tepër, është se s’i kishte folur V. Kokonës kurrë për politikë. Beqiri, si student, ishte i përditshëm pranë bibliotekës së shkollës, ku Enveri plotësonte orët me administrimin e bibliotekës, në të cilën Beqiri ishte ndihmës vullnetar, se i jepej rasti të konsultonte librat në frëngjisht, në vend që të vinte kafeneve, siç bënin disa të tjerë. Edhe Beqiri e përshkruan E.H.-n si i etshëm për cigare pas cigareje, por “gjefshek” në politikën e kohës. Hamiti ka botuar një libër interesant, nën kujdesin e të birit, Tomor Kokalarit. Në këtë vepër Enveri përmendet pak, shumë pak. Është e natyrshme, sepse Hamiti e shkroi këtë vepër në kohën para ndërrimit të sistemeve, në ndryshim nga Vedati e nga Beqiri. Hamitin e përmend edhe Enveri në kujtimet e tij, si një nxënës tepër të zellshëm. Por në prag të mbarimit të Luftës II Botërore, me fjalën sugjeruese të Enverit, u bë kërdia në Tiranë, - sipas gjen. Kristo Themelkos,- me vrasje pa gjyq njerëzish, me lista të përpiluar me thashetheme. Për këtë terror që përfshiu njerëz të pafajshëm, e për shkak të të cilit u gjenden, në të gdhirë, rrugëve e rrugicave të Tiranë, të pakallur, kishte folur në plenumin e Beratit Sejfulla Malëshova, duke e përcaktuar Enver Hoxhën si terrorist. Të vëllait të Musinesë, Hamit Kokalarit, i ishin vrarë të dy vëllezërit e tij. Dhe do të binte viktimë e këtij terrori edhe vetë Hamiti, po të mos ishte i sëmurë me temperaturë të lartë dhe të ngarkuarit për këtë gjëmë nuk kishin kohë ta ngrinin në kurriz, për ta ekzekutuar. Hamiti ishte fajtor për librin e tij “Kosova, djepi i shqiptarizmit”.
Mentor Çoku dhe Foto Bala kanë lënë përshtypje gojore të shumta, por – nga sa dimë –nuk kanë botuar vetë, ndonëse janë cituar nga shokët e burgjeve. Veçanërisht, Foto Bala. Kështu na del se Enveri i hyri me vonesë politikës, veçse me vrull të madh, si duket për të zënë kohën e humbur. Por fillimisht nuk e kishin besuar se do të barazohej në mizorí, me ithtarin e tij, Stalinin. Etja patologjike për pushtet e kishte tjetërsuar.
Kur përmendim emrin e Enverit, mund ta shoqërojmë ose jo me mbiemrin stalinist. Veçse këtë cilësor Enveri ia ka dhënë vetvetes. Ai e ka pasur për nder të jetë stalinist, para se ta kishte mbushur përplot kupën me krimet vetjake ndaj njerëzve të pafajshëm, me ambicien për të qenë i plotfuqishëm, domethënë absolut; pra, pa u bërë merak për mungesën e kolegjialitetit në krimet personale. Këto përparësi ia kishin dhënë emisarët e Titos në vendin tonë, duke e nuhatur mirë se mund të ishte një vasal i pashpirt e sadist i Titos, mjaft që të kishte bindjen se kjo ishte udha e vetme e një pushteti të pakufizuar.
Ka qenë flamurtar i kultit të individit, siç ishte edhe demiurgu i tij, Stalini. Ka dashur të ndjekë shembullin mizor të spërkatjes me gjak të pafajshmish jetësimin e flijimit të viktimave të pafundme, duke shfrytëzuar prerogativat mizore të kultit të individit. Dhe ia ka arritur. Nëse është vërtetuar që Stalini është vrasësi i Kirovit, i Orxhinikixes dhe i Labovës, po ashtu edhe Enveri është vrasësi i padyshimtë i Mustafa Gjinishit, i Edip Tërshanës dhe i Sabiha Kasimatit, - që të përmendim vetëm majën e ajzbergut. Mos të flasim edhe për Ramize Gjebrenë, për poetin nacionalçlirimtar Namik Mehqemenë, si edhe për shumë e shumë shokë e shoqe të tyre.
Kirovi u vra prej Stalinit dhe u varros me nderime, pasi u eliminua edhe Nikolajevi, i ngarkuar me vrasjen pabesisht të Kirovit. Po atë fat pati édhe Orxhonikixe, që u vu para alternativën: “Ose të vriste veten, ose do të pushkatohej me gjyq siç u pushkatua, për shembull, Kamenievi, që cilësohej nga sekretari i Stalinit, Boris Bazhanovi, si personi më i respektuar në B.Politike, duke zgjuar, kështu, xhelozinë e Stalinit. Kirovi dhe Orxhinikixe, të varrosur me nderime, na kujtojnë edhe neve, Mustafa Gjinishin dhe Nako Spirun. Si njëri, ashtu edhe tjetri, u varrosën me nderime; pastaj Mustafai u shpall tradhtar, kurse Nako pati dritë-hijet e tij, sipas konjunkturave.
Edhe sot e kësaj dite, endé nuk është qartësuar nëse Nako (si edhe Mehmeti) u vetëvra, apo u vra. Komunizmi stalinist (apo enverist, e njëjta gjë), ka misteret e veta, paçka se flitet për transparencë, kur këtë fjalë njerëzit inteligjentë e kanë zëvendësuar me fjalën “obskurantizëm”. Edi Rama le ta përdorë për të shpëlarë trutë e qoleve, sepse ajo Lëvizja për Mendimin Ndryshe e di mirë kuptimin e “transparencës” alla-Rama...
Dhe, për shoqërim idesh, do të merremi me datën 20 janar, jo 21 janar. Për këtë të dytin është shkruar shumë. Për 20 janarin: pak, thuajse aspak. Ndërsa i pari ka më rëndësi se i dyti. Sepse 20 janari kthjellon e qartëson të dytin. Më njëzet, Rama deklaroi se demonstrata e ditës pasardhëse “Mund të dalë jashtë kontrollit”. Duke vënë si premisë se Edi është përgatitësi i protestave dhe askush tjetër, dalin disa pyetje. Kjo fjalí duhet të merret si themel për arsyetimin e mëvonshëm. Askush nuk e vë në dyshim se është Edi që duhet pyetur për gjithçka bën PS-ja. Të bllokohet parlamenti. Të zhbllokohet parlamenti. Të rrezikohen deputetët në djegien e rrogave. Kushtëzimet i cakton dhe i vulos ai, dhe vetëm ai. Sesi lidhen të tri kushtet e BE-së - që të përfitojmë statusin e vendit kandidat për në komunitetin Europian, - me të katërtin (që është kërcu përmbi samar përderisa nuk është kusht i BE-së), kjo kuptohet vetëm po të kemi parasysh se kryetari i tanishëm i PS-së, ka një mendim “origjinal” për atë që është quajtur konsensus në marrëdhëniet ndërpartiake: - “E bëjmë këtë (konsensusin), po unë ç’përfitoj?”. I kuptuar kështu, konsensusi që mund të thuhet, shqip, “bashkëpëlqim”, do të merrte kuptimin e një pazari: (Më jep, të të jap). Vetëm se, të pranojnë të dy palët një konsensus nuk ka kuptimin e zvetënuar që dëshiron t’i japë njëra prej palëve vetë fjalës. Kësisoj: Jo e bëjmë këtë por unë ç’përfitoj, por: E bëjmë këtë, por a është e drejtë? E shtruar kështu pyetja, po, mund të diskutohet. “A është e drejtë? - nënkupton për të dy palët. Sigurisht, nëse nga hyrja në Bashkimin Europian përfitojnë shqiptarët, domethënë bëhet mirë edhe për ty, edhe për mua. Çështja e Fierit, një çështje lokale, mund të gjejë një zgjidhje të një natyre tjetër, përmes gjykatave, me shqyrtimeve të precedencave, etj.
Vijmë sërish të dalja jashtë kontrollit. Është e thjeshtë, nëse pranojmë që ditën e demonstratës, vendin, orën, mbylljen ... i cakton Edi Rama. Nuk i cakton Fiqri Xibri, që vetëm i paguan pjesëmarrësit, gjasme si në emër të sindikatave (!), me borderó madjé. Si pasojë, ajo “jashtë kontrollit” ka kuptimin “jashtë kontrollit tim”, jo “jashtë kontrollit të turmës, që paguhet nga Fiqriu, në vartësi të Ramës! Se s’ka sesi të ndodhë që “i zoti e jep, tellali s’e jep!” (I zoti e jep urdhrin e mbylljes, se mjaft u djersitën nga zelli i tepërt, por ja që s’dashka tellalli = turma!).
Kaluan më shumë se katër orë, me një agresivitet të paparë të protestuesve. Mjafton të shohim statistikën: Dyfish të plagosur nga forcat e rendit, në krahasim me gardistët. Janë orë e orë të tëra me pasivitetin e ruajtësve të objektit (kryeministrisë) dhe me rojtarët e objektit në pasivitet të plotë. Ç’kërkohet më tepër? E pamë urrejtjen dhe egërsinë që s’ishte vërejtur më parë. Një makinë u përdor për t’u përplasur me portën e hekurt të kangjellave rrethuese. U shpartallua kjo portë. Ç’kërkohej më tepër? Dera prej druri e kryeministrisë ishte barriera e fundit për të hyrë brenda ndërtesës kryeministrore. Rama, përballë, bënte sehir nga pallati qiellgërvishës përballë. Iu prish celulari që ta mbyllte me kaq? A ishte i tillë ai që të mbante përgjegjësí për vrasjet eventuale të personaliteteve kryeministrore, nëse ndodhte kjo? Punë e madhe! U vra Kirovi, né vrasim Nikolajevin dhe ja, u lamë! Njerëzit të gozhduar para Televizorëve në shtëpi apo në bare e klube, ishin të drithëruar. (Sigurisht jo Provokatori sehirxhi, që s’bëhej ende i gjallë!). Ç’priste? Priste viktimat! E ta bënte, pastaj, këtë mënyrë sjelljeje, kalin e betejës, në dobi të diskreditimit të zgjedhjeve të 8 majit! Por ja që njerëzit e ndershëm nuk e gëlltitën këtë grep! Pastaj, provokatori i dështuar e shpalli veten fitues, me “kauçukun”, jo me “vullnetin”. Kërkoi përgjigjen nga Komisioni i Venecies. Për fat të keq të tij, ky Komision i dha prioritet vullnetit të zgjedhësit, jo kauçukut!
Çdo të ndodhte sikur E. Rama ta mbyllte “protestën” gjysmë ore më parë? Një orë më parë? Dy orë më parë? Qoftë edhe mos ta bënte fare! Ç’i duhej? I duheshin... viktimat! Ja ku u gjend ai që të vret natën e të qan ditën. Stalini vrau Nikolajevin për të fshehur vrasësin e Kirovit! Vetveten!