Benedikti XVI: “Dashuria e krishterë, më shumë se shpirt humanitar, është dashuri e Zotit për njeriun”
Dashuria e krishterë nuk mund të reduktohet në nismë të thjeshtë humanitare, sepse është shprehje e vetë dashurisë së Zotit për njerëzimin. E pohoi dje paradite Papa, në audiencën me anëtarët e Fondacionit pro Petri Sede. Koncepti nuk është aspak i ri. Përshkon gjithë magjisterin shoqëror të Benediktit XVI, që u ka kujtuar vazhdimisht besimtarëve se bamirësia, e bërë me frymë të krishterë, i çon jo vetëm ndihmë konkrete atij, që ka nevojë, por mbi të gjitha, i çon dashurinë dhe mirësinë e Zotit. Është feja që na e mëson këtë; e pikërisht mbi fenë, e mbi Vitin e shpallur për ta rizbuluar, Benedikti XVI e përqendroi gjithë fjalimin e audiencës së sotme. Përballë tij, njerëz, që i përkasin një shoqate historike bamirëse katolike, themeluar në Belgjikë. Duke u folur në gjuhën frënge, Papa u kujtoi edhe një herë se nga Kreshmët dhe nga Viti i Fesë, vjen përsëri thirrja për pendesë, për kthim në rrugën e Zotit. Feja është realitet i gjallë, që duhet rizbuluar e thelluar vazhdimisht, në mënyrë që të lulëzojë. Është Krishti ai, që duhet t’i prijë shikimit e veprimit të të krishterit, mbasi bëhet fjalë për një kriter të ri kuptimi e veprimi, që e shndërron jetën e njeriut”.
Nëse feja ndriçon jetën dhe aspektet e saj nga një perspektivë e ndryshme, do të thotë se edhe mënyra si e dëshmojmë dashurinë e krishterë, duhet të niset nga kjo dritë shpirtërore. Feja pa bamirësi, pohoi Benedikti XVI, nuk sjell fryte; e bamirësia pa fe, do të ishte ndjenjë nën pushtetin e vazhdueshëm të dyshimit. Feja e bamirësia lidhen ngushtë njëra me tjetrën, kështuqë njëra i krijon tjetrës mundësinë të ecë në rrugë të drejtë. E kjo ndodh, sepse arrihet në atë takim të domosdoshëm me Jezusin, që i shndërron zemrën e sytë dhe i jep kuptim të vërtetë dashurisë së krishterë, e cila…nuk mund të rrëgjohet në humanizëm të thjeshtë e as në nismë të zhvillimit njerëzor. Ndihma materiale, edhe pse e nevojshme, nuk është gjithçka, kur bëhet fjalë për dashurinë e krishterë. Kjo dashuri është pjesëmarrje në dashurinë e Krishtit, dashuri që dhurohet, që ndahet me të tjerët. Çdo bamirësi e vërtetë është shprehje konkrete e dashurisë së Hyjit për njerëzit e, prej këndej, bëhet kumtim i Ungjillit”.
Kryeipeshkvi Skola: “Vendimi i Papës, për të mirën e Kishës”/Kryeipeshkvi i Milanos, kardinali Angelo Scola, u shkruan besimtarëve një letër, që do të lexohet në të dielën e parë të Kreshmëve, pra pasnesër, më 17 shkurt. Vendimi i Benediktit XVI për të dhënë dorëheqjen më 28 shkurt ka të bëjë me vetëdijen, para Zotit, se kjo është në të mirën e Kishës, nënvizon kardinali. Papa e ka marrë këtë vendim në liri të plotë e, përmes tij, vazhdon të na përforcojë në fe. Sipas kardinalit Scola, “dëshmia e Papës tregon ç’është jeta e plotë, e begatë, në gjendje të matet me fatin e njeriut, me Jezusin”. Secilit prej nesh, vazhdon kryeipeshkvi i Milanos, i takon tani “përgjegjësia për ta shoqëruar kolegjin kardinalor në mënyrë që të pranojë nismën e Shpirtit Shenjt për zgjedhjen e Papës së ri”.
Gjatë meshave të së dielës së ardhshme, do të ketë edhe dy ndjete, kushtuar Benediktit XVI dhe Kishës. Për Papën, sqaron kardinali, do të luten ata, të cilët i janë mirënjohës për ndihmën, që u ka dhënë në udhën e fesë, përmes magjisterit të tij. Për Kishën, nënvizon kryeipeshkvi i Milanos, duhet t’i kërkojmë të gjithë Zotit, ta jetojë këtë kohë, e bashkuar në lutje, në dashuri e shpresë, në pritje të Papës së ri, që Shpirti i Shenjtë do t’i dhurojë grigjës së Krishtit për të vazhduar misionin e kumtimit të Ungjillit për çdo krijesë.
Që nga 1 marsi, pra nga dita e fillimit të Selisë Vakante, gjatë kremtimeve kishtare nuk do të përmendet më Benedikti XVI. Nga 4 marsi, në meshat e ditëve të zakonshme, por jo të premten, do të jetë e mundur të përdoret rendi i meshës për zgjedhjen e Papës, si në kishat e ritit romak, ashtu edhe në ato të ritit ambrozian.
Marrë nga Radio Vatikani