E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fenomeni Slash dhe Guns NRoses

“Pas kitarës, Zoti krijoi Slash-in, kitaristin e ‘Guns N’Roses’”, ka thënë Michael Jackson. Në vitet ’90, së bashku me “Guns N’Roses”, ishte simboli i jetës seksuale, drogës, alkoolit dhe limuzinës. Sot, ndër përgatitjet për të nxjerrë CD e tij të parë si solist, tregon për çmenduritë e një kohe

“Jam 44 vjeç, por më besoni, më duket sikur kam jetuar 88 vite”. Slash, kitaristi i grupit më të famshëm të rokut “Guns N’Roses” nuk heziton të flasë për historinë e tij të vërtetë, atë të një jete të jetuar nën e emrin e ‘rock’n’roll’-it që kur ishte ende një bebe. “Mama Ola sajonte kostume skene për David Bowie, ndërsa baba Anthony dizajnonte kopertina për disqet e Joni Mitchell dhe Neil Young. Kur u ndanë, unë dhe Ola, që nuk kishim as shtëpi ku të fusnim kokën, filluam të endeshim nëpër Amerikë si vagabondë. Në shkollë nuk shkoja shumë mirë, sepse nuk kisha para të blija libra. Kujtimi i vetëm që më është ngulitur në kokë është kur një profesor hipi merrte kitarën me vete në klasë dhe luante me të muzikën e Led Zeppelin. Kur e pashë, e kuptova se çfarë dëshiroja të bëja kur të rritesha. Ajo intuitë më shpëtoi jetën”.

është e pamundur të thuash të kundërtën: në 25 vjet karrierë Slash ka shitur 80 milionë CD me “Guns N’Roses”, ka pushtuar majat e klasifikimeve me “Velvet Revolver”, ka qenë kitaristi i preferuar i Michael Jackson, ka luajtur me Stevie Wonder, Ray Charles dhe Vasco Rossi. Tashmë Slash ka preferuar të bëjë diçka ndryshe, ka incizuar diskun e parë si solist (do të dalë në muajin prill), me 14 këngë të interpretuara nga këngëtarë të famshëm. Mes shumë të tjerëve është edhe Fergie e grupit “Black Eyed Peas”, princi i errësirës, Ozzy

Osbourne dhe mbreti i “punk”, Iggy Pop, i njohur ndryshe si “Iguana”.
“‘Iguana’ është i pavdekshëm. I jeton 63 vitet e tij sikur të ishte 20. Dhe të mendosh që ka pasur më shumë femra dhe shishe uiski sesa vakte të nxehta”, thotë duke qeshur.
“Kokainë, heroinë, vodka, hashash dhe seks kafshëror, vetëm dhe në grup: këto janë disa nga të këqijat prej të cilave duhej të hiqja dorë që të mbijetoja. Tani kam ndryshuar shumë, por nuk do ta quaja veten shenjtor. Duke shkruar autobiografinë time kam arritur të kuptoj se kush isha në të kaluarën dhe çfarë kam ndryshuar në jetën time. Një ditë, ndërsa qëndroja në dush, pata halucinacione. Në kokën time fluturonin figura nga më të çuditshmet. Vrapova në rrugë ashtu i zhveshur siç isha, krejtësisht i zhveshur. Më hipën me forcë në një limuzinë për të më çuar në një qendër dezintoksikimi, por rrugës gjeta një shishe vodke në frigorifer dhe e ktheva të gjithën. Në mendjen time ishte një udhëtim jashtëzakonisht i frikshëm”, tregon Slash.

Ishin vitet ’90 kur grupi “Guns N’Roses” kishte arritur majat. “Ishte një nga grupet më të mëdhenj të historisë se rokut. Shisnim miliona disqe dhe çdo javë fusnim në xhep miliona dollarë”.
Një orgji seksi, drogë dhe rock’n’roll që e çoi grupin drejt ndarjes në pak vite. “Ishte një ndarje e tmerrshme, me shumë urrejtje. Për shumë kohë unë dhe këngëtari Axl nuk kemi nxjerrë asnjë fjalë që prej vitit 1994. U përpoqa të flisja me ta, por isha i pirë dhe nuk ma hapën derën”. Ajo nuk ishte tentativa e tij e fundit për të bashkuar grupin: “Një herë shkova në Las Vegas për të parë drejtpërsëdrejti ‘Guns’-ët e rinj. U ndalova në derën e jashtme nga dy truproja, të cilët më thanë: ‘Ti je i vetmi maskara që nuk ka ngrënë një të rrahur në këtë koncert. Ktheji këmbët andej nga ke thembrat dhe mos u duk më këtu’”.

Ajo që të çudit më shumë në një jetë kaq të shfrenuar është prania e një familje: “Bashkëshortja ime, Perla, dhe dy fëmijët, London Emilio e Cash Anthony, më mbajnë të lidhur me botën reale. Megjithatë, e përsëris kam ndryshuar shumë, nuk jam një shenjtor dhe nuk do të jem kurrë një bashkëshort ose baba që bën me familjen barbekju të dielën në mëngjes”.

Për Slash ka folur edhe i madhi Michael Jackson, me të cilin ka ndarë shumë herë skenën dhe studion e regjistrimit: “‘Njerëzit ose e urrejnë, ose e duan personazhin e shpikur nga media, që shtyhen nga një fragment i rremë për të krijuar mostra imagjinare. Në këtë pikë personi i vërtetë nuk ekziston më. E vetmja gjë që mund të kontrollosh është të përqendrohesh në cilësinë e artit tënd’, thoshte ai”.

Jackson kishte shumë eksperiencë. “E kanë torturuar për shumë vite”, kujton i mallëngjyer Slash. “Të luaje me të, që më adhuronte, ishte e jashtëzakonshme. Michael ishte një artist absolut: autor, këngëtar, balerin, koreograf dhe regjisor, talenti më i madh i muzikës. Një njeri që ishte i detyruar për dhjetë vjet të jetonte si kafshë e mbyllur në një kafaz. Pastaj u kujtuan ta ‘zhvishnin’ nga çdo akuzë, por ishte tepër vonë”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›