E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Kulturës, asnjë zgjidhje për cirkun e Tiranës

Takimi Xhaferraj premton një cirk kombëtar dhe shqyrtimin e statusit të artistëve

Asnjë zgjidhje konkrete nuk kanë mundur që të marrin artistët e cirkut të Tiranës edhe pas takimit me ministrin e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri. Ata nuk kanë mundur që të marrin një përgjigje se çfarë do të bëhet me ambjentet ku qëndron që prej 50 vitesh cirku i Tiranës, pas kthimit të truallit pronarit të saj.

Pas protestës së organizuar pak kohë më pare, nga artistët e cirkut të Tiranës për të mos lejuar shkatërrimin e këtij institucioni, ata kanë zhvilluar një takim edhe me ministrin e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj. Kreu i kësaj ministrie nuk ka dhënë asnjë deklaratë lidhur me çështjen e godinës së cirkut të Tiranës, pas këtij takimi. Por ai u ka premtuar artistëve se institucioni që ai drejton është duke përgatitur një draft, në të cilin, cirku i Tiranës do të trajtohet si institucion i nivelit kombëtar. Në qëndrimin zyrtar të mbajtur nga ana e Ministrisë së Kulturës për këtë qëllim thuhet se ministri i siguroi artistët se “cirku është përfshirë si institucion kombëtar në draftin që po përgatitet nga MTKRS, ku njëkohësisht siguroi dhe për kujdesin e vazhdueshëm të stafit në ministri”. Po kështu Xhaferraj ka premtuar edhe shqyrtimin e statusit të artistit.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Kulturës kanë nxituar të theksojnë se në këtë takim “ministri Xhaferaj konfirmoi se kujdesi për institucionin e cirkut nuk është që të krijojë një acarim me Bashkinë e Tiranës, por të japë pozicionin e duhur të këtij institucioni dhe artistëve që kanë kontribuar në edukimin professional”. Sipas qëndrimit zyrtar të MTKRS-së, Cirku i Tiranës si institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës shprehu pakënaqësitë e tij përgjatë gjithë kësaj periudhe, si pasojë e neglizhencës së bashkisë. Ata kanë sqaruar se në vitin 2005, Bashkia e Tiranës bëri një riorganizim të sektorit artistik në varësi të saj dhe përfshiu në qendrën Kulturore TIRANA, cirkun e Tiranës, varietenë e Tiranës, orkestrën frymore, bandën, si dhe kinematë e qytetit. “Kuptohet, shprehen përfaqësuesit e ministrit të Kulturës se në këto rrethana vëmendja ndaj cirkut dhe artistëve të tij është më e pakët. Ata shtojnë se ambientet e tij kanë filluar të ndryshojnë destinacion, duke u kthyer në ambiente për trupat e tjera të ardhura apo të krijuara rishtas. Ndërsa shtojnë se aktualisht, cirku ka konsoliduar pozitat e tij artistike. “Ky cirk ka qenë dhe është një institucion me vlera 50 vjeçare të rëndësishme edukative, gjë për të cilën shteti duhet të krijojë kujdesin e tij”, thuhet në qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Kulturës. Në takimin me artistët e cirkut dhe ministrin Xhaferraj mori pjesë edhe kryetari i Sindikatave të Bashkuara për Artin, Reshat Ibrahimi.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›