Fenomeni i akulturimit në Kosovë, një element zhvillues
Po bëhen disa vite, që disa përfaqësues nga komuniteti i artistëve dhe nga shtresat intelektuale në Kosovë, kanë tërhequr vërejtjen nga rreziku i akulturimit, duke thënë se ekzistojnë tendenca që në Kosovë të përhapet një element i tillë. Disa përfaqësues intelektual vlerësojnë se ekzistojnë shenja se fenomeni i akulturimit tashmë është duke u zhvilluar, ndërkohë që ka mendime që e kundërshtojnë këtë, por nuk mohojnë se ka tendenca që çojnë drejt akulturimit. Përfaqësuesit e komunitetit të artistëve në Kosovë shfaqin një lloj frike nga dukuria e akulturimit në Kosovë. Megjithatë, ata kanë mendime të ndryshme lidhur me çështjen se a është duke ndodhur kjo dukuri, apo janë vetëm tendenca për një gjë të tillë. Agim Sopi, regjisor, ka shprehur mendimin se fenomeni i akulturimit po ndodh në Kosovë. “Akulturimi, ose stadi më i lartë i shpëlarjes së trurit, do të thotë, para së gjithash, zhveshje nga identiteti shpirtëror, që të mos kesh nevojë të dëgjosh tingull më të bukur se sa zhurma e neveritshme e rrëmujës së përditshme, të mos kesh nevojë të shohësh pamje më të bukur se ngjyra e hirtë e asfaltit, që të mos kesh nevojë të lexosh më tepër se intrigat bulevardeske të shtypit të ditës”. “Thjesht, të mos kesh nevojë për fisnikërimin e shpirtit dhe mendjes, por të udhëhiqesh nga instinktet që në kufijtë e skajshëm të barazojnë me shtazën. Faktikisht dhe fatkeqësisht kjo po ndodh”, thotë Sopi. Por, mendim krejtësisht të kundërt ka dramaturgu dhe publicisti Haqif Mulliqi. Sipas tij, nuk mund të thuhet se Kosova i është nënshtruar akulturimit, por ai nuk përjashton mundësinë e ekzistimit të tendencave për një gjë të tillë. “Nuk do të thotë se nuk kanë ekzistuar tendenca të tilla për të interferuar në jetën e përditshme, në jetën kulturore. Antivlerat, si një tendencë për akulturim të shoqërisë, kanë ekzistuar dhe ekzistojnë”, thekson Mulliqi. Më tej dramaturgu Mulliqi shton se Kosova pas luftës ka bërë përpjekje të konsiderueshme për krijimin e institucioneve kulminante të kulturës, madje edhe të tilla që më parë nuk kanë ekzistuar. “Nuk duhet harruar që janë bërë edhe institucione, siç është Filharmonia e Kosovës, orkestra të tjera kamertale, apo dhe grupe të tjera muzikore”. “Në esencë, ekzistojnë tri shkolla të mesme të baletit, janë bërë 5 apo 6 teatro të shtetit, të cilat nuk i kemi pasur asnjëherë. Ka tendenca të mirëfillta edhe në film. Kosova nuk ka pasur kurrë më shumë filma artistikë, të metrazhit të shkurtër, siç ka sot”, shpjegon Mulliqi, lidhur me fenomenin e akulturimit në Kosovë. Ndërkaq, regjisori Sopi thotë se ndryshe nga vitet ‘70-të dhe ‘80-të shekullit të kaluar, kur Kosova kishte krijimtari artistike dhe vlera kulturore, me të cilat komunikonte me botën, sot ajo një komunikim të tillë nuk mund ta bëjë. Institucionet kulturore, sipas tij, me ose pa vetëdije, kanë zbatuar, siç i quan ai, politikat e buta të denigrimit kombëtar, të cilat, sipas tij, ishin filluar nga pushteti serb në fundshekullin e kaluar. Ai thekson se politikat e tilla ishin vazhduar edhe nga administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, me rikrijimin e institucioneve formale. “Dhe, për të qenë ende më trishtuese, e gjithë kjo, edhe pas shpalljes së pavarësisë, institucionet formale që i kishte krijuar UNMIK-u, vazhdojnë të jenë si të tilla dhe në vend që të ngrenë identitetin kulturor dhe shpirtëror të Kosovës, ato e akulturizojnë atë; institucione të amatorizuara deri në skaj”. “Dhe tash, fatkeqësisht ne s’kemi asgjë. Ne jemi një moçal vetëkënaqësie, në një ujë amull që nuk lëviz fare”, shprehet Sopi. Lidhur me gjendjen e krijuar, sipas regjisorit Sopi, përgjegjëse janë shumë segmente të shoqërisë kosovare. “Përgjegjësia është e të gjithëve, padyshim. Por, përgjegjësinë kryesore e bart elita politike dhe, padyshim, që një pjesë të madhe të përgjegjësisë e ka edhe e gjithë inteligjenca e Kosovës; e ka universiteti, Akademia e Shkencave dhe të gjithë krijuesit, veç e veç”, vlerëson Sopi. Ndërkaq, dramaturgu Mulliqi konsideron se përkrahja institucionale e artistëve, do të ndihmonte në përmirësimin e imazhit të vendit përmes, siç shprehet ai, diplomacisë artistike. “Nuk është shumë e lehtë kjo punë, sepse ka shumë pak fonde, ka shumë pak lekë. Derisa institucionet tona nuk e kuptojnë se është shumë, shumë e rëndësishme që grupet e ndryshme të artistëve, të të gjitha profileve, të lëvizin nëpër botë, ta bëjnë prezantimin e vendit tonë atje dhe të bëjnë një lloj diplomacie artistike jashtë vendit tonë, ne do ta kemi shumë vështirë që ta rregullojmë krejtësisht imazhin”, përfundon dramaturgu Mulliqi.
Dokumentari "Ten9Eight" dhe ëndrrat e fëmijëve në zonat e varfra
Dokumentari i Meri Maxios "Ten, Nine, Eight Shoot for the Moon", hapet me idenë: "Çdo nëntë sekonda një adoleshent në Shtetet e Bashkuara lë shkollën e mesme. Imagjinoni sikur ata t'i përfundonin studimet". Filmi trajton një histori frymëzuese për nxënësit problematikë, jetët e të cilëve marrin një kthesë duke mësuar aftësitë e biznesit dhe duke konkurruar për një çmim prej 10 mijë dollarësh. Konkurrimi është i vështirë. Janë 24 mijë konkurrentë nga gjithë Shtetet e Bashkuara, por vetëm 34 prej tyre shkojnë në finalen që mbahet në qytetin e Nju Jorkut. "Keni 8 minuta e gjysmë për t'u prezantuar, juria do të ketë tre minuta për të bërë pyetje". Të rinjtë marrin pjesë në atë që quhet Konkurrimi Kombëtar i Rrjetit të Mësuarit të Sipërmarrjes së Biznesit. Kjo organizatë jo fitimprurëse, ndihmon mijëra të rinj që vijnë nga komunitete me të ardhura të ulëta, për të zhvilluar prirjen e tyre të biznesit. Studentët paraqesin një plan biznesi përpara një jurie me mësues, drejtues komunitetesh dhe sipërmarrës. Fituesi fiton 10 mijë dollarë dhe një mundësi për të ndryshuar jetën. Realizuesja e filmit Meri Maxio ka ndjekur ecurinë e 12 prej këtyre fëmijëve, nga fillimi deri në fund. Nxënësit nisin duke mësuar se si të hartojnë një plan biznesi, që tregon drejtimin e kompanisë së tyre të ardhshme. Sipërmarrësit e rinj krijojnë biznese që variojnë nga qirinjtë organikë dhe kitarat, deri tek helmetat e futbollit amerikan. Ata duhet të njohin matematikën, të dinë të komunikojnë në mënyrë efektive me të tjerët, dhe të bindin investitorët e mëdhenj që plani i tyre ia vlen të financohet. Këta adoleshentë thonë se ata nuk e kishin menduar kurrë që ata mund të ndryshonin kaq shumë, nga nxënës që mund të linin shkollën, në pronarë të besueshëm biznesi dhe studentë kolegji. "Kurrë nuk e kisha menduar se do të fitoja miliona dollarë".
Rodnei Uolker është themeluesi i organizatës "Forever Life Video Production", një biznes për kasetat video të martesave me muzikë origjinale. "Isha 5 vjeç kur erdha në këtë jetimore". Si shumica e fëmijëve në zonën e varfër urbane ku ai jetonte, Rodney ka patur një jetë të ashpër. Ai u braktis nga prindërit e tij. Babai i tij, një veteran i luftës në Vietnam, ishte një përdorues heroine. Rodneit iu desh të luftonte fort për të qëndruar në shkollë. Ai thotë se konkursi i biznesit e ndihmoi atë që të rriste besimin dhe forcën , që ai kishte nevojë për të plotësuar ëndrrën e tij. "Ende më duhej të kthehesha në shtëpi, në një komunitet me drogë, varfëri dhe dhunën e bandave. Kështu ishte atje. E vetmja gjë që kishte ëndërruar ishte frymëzimi dhe mënyra ime për të gjetur një rrugëdalje nga kjo situatë". Amanda Loyola dhe Jessica Cervantes vijnë nga familje që luftojnë për jetesën e tyre. Prindërit e tyre janë imigrantë. Amanda Loyola thotë se familja e saj e ka mësuar atë që të ketë pikësynime të larta në jetë. "Familja ime është shembull se si unë jetoj jetën time. Ata nuk kishin asgjë kur erdhën, e madje nuk flisnin shumë anglisht në fillim". Lentja e kamerës së Maxios ka fiksuar shpresën dhe frikën por gjithashtu dhe këmbënguljen dhe orientimin e këtyre të rinjve. "Ne ishim të mirëpritur këtu dhe kjo mikpritje në një zonë të tillë urbane, realisht ktheu paragjykimin tim për jetën në këto zona , dhe për njerëzit që i popullojnë ato". Këta adoleshentë bisedojnë për atë çka i motivon, dikush flet për besimin, për pragmatizmin, dedikimin, iniciativën, të menduarit pozitiv, dhe dëshira për të kapërcyer vështirësitë. Mazio gjithashtu kapërceu një vështirësi. Në ditën e premierës ajo kishte frikë se të rinjtë nuk do të vinin të shikonin filmin. Po në fakt, thotë ajo, kinemaja u mbush me të rinj të zonave të varfëra urbane, të cilët u përqendruan në ekranin e madh, të përhumbur në ëndrrën e tyre të suksesit.
16 Shkurt 2010