Me Durim Hushin, Elbasani çlirohet nga epoka “zero” e regjimit të Sejdinit
Sytë e gjithë kombit për një ditë në vit vështrojnë në ditën e verës Elbasanin, qytetin e luleve, djepi i arsimit, është një qendër e madhe tregtare dhe transporti në rrugën “Egnatia”, të rilindur me Korridorin e 8-të.
Mirëpo qyteti i Elbasanit, një prej qendrave të brendshme tregtare më të rëndësishme për një pjesë të madhe të Shqipërisë së Mesme në ditët e tjera shfaqet ndryshe, me karakteristikat e një qyteti të vjetër, ku rrugët e papastra janë të ngushta dhe plot kthesa, ndërsa xhamitë çuditërisht të varfër dhe të lëna pas dore. Në këtë përshtypje kontribuojnë jo pak dhe muret me kullat e larta, të braktisura, të një kështjelle të vjetër mes shtëpive, në qendër të qytetit.
Dikur i quajtur si “qyteti i luleve”, Elbasani është katandisur sot në pikën zero, çka po e degradon çdo ditë popullsinë më të papunë në shkallë vendi. Me një popullsi prej 126.700 mijë banorësh, Elbasani numëron aktualisht mbi 32 mijë të papunë, ku gjysma e tyre janë ish-punonjës dhe specialistë të ish-kombinatit Metalurgjik dhe 12 uzinave të tij.
Qyteti ka vite që ka marrë hijen e zymtësisë, për shkak edhe të paaftësisë së kryebashkiakut Qazim Sejdini për të menaxhuar resurset turistike dhe ekonomike të Elbasanit. Por dihet se Qazimi është njëri prej atyre njerëzve që flet shumë dhe s’punon fare. Bashkia e këtij qyteti është tejet apatike, me një administratë e cila punon me logjikën e nëpunësit të para 17 viteve. Askush në bashki, komuna dhe institucionet e tjera vendore, nuk ka bërë dhe nuk po bën përpjekje për të ulur numrin e të papunëve, për të “rrëmbyer” nga dikasteret qendrore projekte të punëve publike, dhe investime. Afro 60 për qind e fuqisë punëtore në Elbasan, janë të papunë, duke mos pasur asnjë shans për të gjetur një të tillë edhe në vitet që vijnë.
Sakaq qyteti po plaket dhe rrudhet çdo ditë, i gjendur mes mungesës së përkrahjes, jetës aktive, i papunësisë, i ndotjes toksike, i varfërisë ekstreme, rrënimit të biznesit, largimit masiv të qindra familjeve, dhe rritjes së numrit të vetëvrasjeve. Qazim Sejdini është në finish të mandatit të tij. Ai ka dështuar në realizimin e premtimeve dhe këtë qytetarët e Elbasanit e dinë fort mirë. Realizimi i rikonstruksionit të Bulevardit dhe shatërvanit me tri harqe është shumë pak për një qytetet që meriton më shumë. Meriton më shumë në menaxhimin e mbeturinave, të telekomunikacionit, shërbimeve sociale, transportin urban, zonat tregtare, strehimin, planifikimin urban, zhvillimin e biznesit, sportit dhe kulturës, investimet në zonë, arsim, si dhe në mjedis.
Sidoqoftë alternativa ndaj Qazim Sejdinin është përzgjedhur nga qytetarët e Elbasanit. Ai është Durim Hushi, një qytetar i mirë, punëtor dhe fjalëpak. Në kundërshtim me Sejdinin e konsumuar nga platforma politike e shefit të tij, Edvin Rama, i cili ka zgjedhur të politizojë zgjedhjet. Z. Durim Hushi është ndryshe sepse gëzon mirëbesimin e qeverisë së koalicionit për Integrim, PD-LSI, dhe ka një agjendë qytetare siç e meriton Elbasani. Agjenda “Hushi” për Elbasanin është e thjeshtë, e kuptueshme për të gjithë: zhvillimin e sektorit privat në Elbasan si promotor i jetës ekonomike të qytetit dhe agjent themelor në rritjen e standardeve të jetës; Orientimin ndaj klientëve të administratës së Pushtetit Vendor; Përmirësimin e kushteve social-ekonomike të komunitetit të Elbasanit; Nxitjen dhe fuqizimin e edukimit para-universitar si agjent themelor i emancipimit dhe riaftësimit komunitar për ngritje të qëndrueshme ekonomike dhe sociale; Fuqizimin e arsimit universitar për ruajtjen e vazhdimësisë dhe krijimin në Elbasan të një bërthame universitare rajonale; ngritjen e bazës së re fizike dhe rigjenerimin e zonave ekonomiko-industriale; Ofrimin e alternativave mbi zhvillimin hapësinor dhe menaxhimin e territorit në Elbasan në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe me orientimet e propozimet për zhvillimin ekonomik të qytetit, si dhe Përmirësimin e cilësisë së mjedisit urban të Elbasanit dhe mjedisit natyror.
Me një fjalë, agjenda e Aleancës për Qytetarin në qytetin e Elbasanin ka drejtuesin e saj më premtues, sepse Z. Hushi ka në mendje një qytet dinamik universitar që përmes novacioneve në fushën e zhvillimit ekonomik dhe urban, nxit dhe sfidon konkurrencën rajonale, mbështet zhvillimin në vazhdimësi të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme, krijon një klimë të favorshme për fuqizimin e biznesit, por edhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore e atyre gjeografike - gjithçka në funksion të thithjes së investimeve nga lokalitete të tjera në Shqipëri, apo edhe atyre të huaja.